UETPRESS stenda më e kërkuar në “Ditënetët e librit”

Stenda e UET PRESS dhe Mapoedition është një ndër më të vizituarat në Festivalin Ditënetët e Librit që ka hapur siparin në Muzeun Historik Kombëtar. Autorë si Ben Blushi, Mustafa Nano, Blendi Fevziu, Alfred Peza, Ilir Ikonomi, Preç Zogaj apo Roger Scruton, Friedrich Hayek, etj vijojnë të ngjallin kureshtjen e lexuesve për vetë tematikat dhe vlerat që mbartin. “Për vetë profilin që UET PRESS ka krijuar në tregun e librit tashmë prej një dekade, si një shtëpi botuese me bibliotekën më të pasur përsa I përket librave që i duhen curriculiumeve universitare, ajo është stenda e vetme ku studentët apo njerëzit e auditorëve mund të gjejnë librat shkencorë, botimet studimore, apo emrat më të njohur të mendimit filozofik. Përgjatë kësaj dekade ne kemi punuar që kjo bibliotekë të jetë e pasur dhe bashkëkohore, e njëjtë me bibliotekat e shtëpive të njohura universitare në botë”, thotë Alda Bardhyli, drejtore e botimeve UET PRESS.

Sipas saj, kolanat e UETPRESS janë ndër më interesantet për prurjet që posedojnë. Por në vite UET PRESS e ka zgjeruar hapësirën e saj ku krahas kolanave në shërbim të universitetit ka krijuar dhe kolana të tjera të cilat i kanë shërbyer gjenerimit të ideve dhe njohës sa më mirë të historisë dhe filozofisë. E tillë është dhe kolana Ese, ide debate, ku përgjatë këtyre viteve kanë sjellë botimet e tyre emrat më të njohur të mendimit shqip.   Por cilët janë librat e rinj që do të gjeni në stendën e UET PRESS?

Sipas Bardhylit, një ndër librat e ri që nuk duhet humbur është libri i ri i një prej njohësve më të mirë të ekonomisë, presidentit të Universitetit Europian të Tiranës Ardian Civici “Anatomia e një krize financiare”. Libri  është një vështrim dhe një analizë e thellë e një dekade financiare, periudhës 2008-2018, si edhe leksionet që kanë dalë nga kjo krizë. Siç shfaqet edhe në kopertinën e tij, ky libër paralajmëron përgjigjen e një pyetjeje themelore se pse kriza u shfaq në formën e një ndeshjeje mes ariut dhe demit, që në simbolikën e Wall Street i pari simbolizon frikën ndaj tregjeve të mëdha, ndërsa i dyti optimizmin dhe shpresën se çdo risk mund të na çojë drejt fitimeve më të mëdha.

“Intuicionet e tranzicionit” një libër dëshmi i realitetit politik në Shqipëri përgjatë dy dekadave shkruar nga Prec Zogaj është një libër i rëndësishëm për këdo që e ka politikën pasion. Mustafa Nano me “Sandwich” na jep një vështrim historik ndërtuar mbi pyetjen: A është mirë me qënë shqiptar? Mustafa Nano i ka sjellë publikut të gjerë një paraqitje kritike të problematikës bazë të shkencave që trajtojnë historinë e kulturën e popullit shqiptar. Faktet e shumta, të përzgjedhura posaçërisht për të lënë gjurmë tek lexuesi, si dhe stili dinamik, prodhojnë tek ky i fundit adrenalinën e nevojshme për të ndjekur syhapur e me interes shtjellimin e çështjeve të ndërlikuara, gjë që nuk arrin ta bëjë gjuha e ftohtë, e mbingarkuar dhe e lodhshme e një studiuesi të mirëfilltë.

Dy prej emrave më të njohur të mendimit ekonomik Ludwing von Mises dhe  Friedrich Hyaek gjenden në stendën e UET PRESS me libra themeltarë. “Politikat Ekonomike” dhe “Mendimi Antikapitalist” , janë libra të shkruar nga  Mises i cili vlerësohet si një nga ekonomistët më të rëndësishëm dhe referencë e liberalizmit klasik, edhe pse te shkruara 50 vite me pare, i shërbejnë edhe sot mendimit ekonomik.  “Antropologjia etnike e shqiptarëve” nga studiuesi Aleksandër Dhima është një tjetër vepër e rëndësishme e ardhur kohët e fundit nga botimet tona.

Roger Scruton një nga filozofët më bashkëkohorë sot, është në stendën e UET PRESS nën përkthimin e Spartak Ngjelës me librin “Filozofia moderne, nga Aristoteli te filozofia analistike”. Historia e dashurisë së mbretit Zog me gruan më të bukur të Tiranës së atyre viteve, shkruar nga Alfred Peza në romanin “Sarah” është një histori që të grish ta lexosh.

“Pjesë e rëndësishme e stendës sonë është dhe kolana mapoedition ku një lexues i lidhur me letërsinë apo me leximet letrare mund të gjejë autorët më të njohur të letërsisë shqipe. Mimoza Ahmeti, Ben Blushi, Prec Zogaj, Vera Bekteshi, Rudolf Marku, Musa Ramadani, Alfred Peza, Kim Mehmeti, Maks Velo, Klara Buda etj janë emra që ia kanë besuar letërsinë e tyre botimeve tona”, thotë Bardhyli.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Hijet e sulmeve kimike rikthehen në Britani

“Një burrë dhe grua që u gjendën pa ndjenja në Wiltshire u...
Read More