Uji e koncesionet: Veliaj bën bashkë PS-LSI, konfirmohet bashkëpunimi në pushtetin lokal

Debatet për rritjen e çmimit të ujit dhe loja që u bë për të siguruar 31 vota. LSI lë vetëm dy këshilltarë për të votuar, më pas shprehet se nuk janë përfaqësues të forcës së tyre politike. Kryebashkiaku Veliaj siguron fitoren e parë në Këshillin Bashkiak, duke “afruar” LSI-në opozitare.

Kur Rama dhe Meta gjatë fushatës nuk linin takim elektoral pa thumbuar dhe akuzuar njëri-tjetrin, Erion Veliaj qëndronte në heshtje dhe sa herë pyetej theksonte se bashkëpunimi me LSI në Bashkinë e Tiranës ishte në nivele mjaft të larta, duke bërë ndarjen pushtet lokal dhe qendror. Ditën e djeshme Veliaj mori “dhuratën” e parë që ngjan se nuk do të jetë e fundit nga këshilltarët e LSI-së, që zyrtarisht thotë se është në opozitë, por nuk do shkulen lehtë nga pushteti lokal. Lëvizja Socialiste për Integrim votoi propozimin e Veliajt për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, me disa ndryshime të vogla, duke përjashtuar nga tarifat e reja familjet në nevojë që marrin ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe disa biznese që ofrojnë produkte të shportës. Në votim qëndruan vetëm dy përfaqësues të LSI-së, Agim Kraja dhe Genta Mezini, një anëtare e FRD, përfaqësuesit e PDIU, një anëtare e PR dhe pjesa tjetër u plotësua nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Në momentin e fundit, ku ishte rëndësia më e madhe, u arrit të siguroheshin 31 vota, aq sa nevojitej për të miratuar 17 projekt-vendime, ku më i rëndësishmi ishte rritja e çmimit të ujit të pijshëm. Fill pas votimit Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama mbajti një qëndrim disi evaziv dhe deklaroi se të dy personat që votuan pro rritjes së çmimit të ujit nuk janë anëtarë të LSI-së. “Agim Kraja nuk përfaqëson LSI-në, sepse ai ka qenë dikur me monarkinë, është kthyer ka ikur. Ne zgjodhëm rrugën institucionale. Ofruam seriozitet dhe zgjidhje ligjore. Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e LSI. Jemi koherentë në qëndrimin tonë. Kemi një konstante të pandryshueshme që është shërbimi ndaj qytetarëve. Individë të veçantë mund të luajnë. Genta Mezinin nuk e njoh fare kush është, nuk e njoh për këshilltare të LSI-së”, deklaroi ai. Por në të vërtetë që të dy njihen si përfaqësues të LSI-së dhe Mezini ishte prurja më e re në Këshillin Bashkiak të Tiranës, duke zëvendësuar një nga tri vendet e lëna bosh nga këshilltarët e mëparshëm që u zgjodhën deputetë.

Në opozitë dhe pushtet

Kryebashkiaku Erion Veliaj shënon fitoret e parë të rëndësishme në vitin e tij të dytë si në drejtimin e kryeqytetit. “Kemi votat për ta bërë Tiranën me ujë 24 orë. Bashkia do t’i përcjellë ERU plan biznesin me gjithë propozimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim. PS-LSI, Tirana me ujë më e rëndësishme se partitë”, -tha Veliaj, para mbledhjes. Nevojitej shumicë e thjeshtë për të kaluar një nga projektet më të debatura për sa i përket rritjes së çmimit të ujit dhe ata dy përfaqësues të LSI-së “vlenin” sa gjithë pjesa tjetër. Të 11 këshilltarët e tjerë nuk ishin të pranishëm gjatë votimit, por kjo nuk kishte asnjë vlerë. Më pas LSI u mundua të reagojë duke theksuar se dy personat që votuan pro rritjes së çmimit të ujit në Tiranë nuk i përkasin forcës së tyre politike. Gjithsesi, që të dy rezultojnë se janë nën siglën e LSI-së, ku Kraja më parë ka qenë përfaqësues i Lëvizjes së Legalitetit por i është bashkuar LSI, ndërsa Mezini zëvendësoi po dje Floida Kërpaçin, e cila është zgjedhur deputete. Kësaj loje i druhej kryetari i grupit të këshilltarëve të PD-së, Leonard Olli, që e konsideroi pazar të pastër politik mes PS dhe LSI. “Është një veprim i turpshëm, më vjen keq ta pohoj, por është një pazar që vijon të zhvillohet në emër të opozitës. Sot më shumë se qartë provohet se kush janë opozitarët dhe kush janë pazarxhinjtë”, -tha Olli. Megjithatë PD taktikisht ditën e djeshme ngjan se luajti gabim. Teksa pritej që të hidheshin në votim draft-projektet e hartuara nga stafi i Bashkisë së Tiranës, në sallën e këshillit bashkiak u futën përfaqësues të PD-së që pas shkëmbimeve të akuzave u larguan nga mbledhja. Mirëpo ky veprim bëri që të plotësohej kuorumi i nevojshëm për nisjen e procesit të votimit dhe kalimit të drafteve të paraqitura. Përfaqësues të PD-së këmbëngulin se pavarësisht votimit me 31 vota, ligjërisht asnjë nga draftet nuk mund të hyjë në fuqi, pasi nuk ka pasur kuorumin e duhur.

Votat në Këshillin Bashkiak

Jo pa qëllim Veliaj që nga momenti i marrjes së Bashkisë së Tiranës është munduar të “shkrijë” PS dhe LSI, si dy forca që sipas tij kanë objektiva të qartë për zhvillimin e qytetit. Sfidën e parë Veliaj e kaloi dje pa shumë vështirësi, duke paralajmëruar se bashkëpunimi me LSI do të vijojë në pushtetin lokal, për aq kohë sa debatet në politikën qendrore do të jenë në tone të moderuara. Për nga mënyra sesi kryebashkiaku ndërmerr vendime të rëndësishme, u duk qartë se ekzistonte një dakordësi paraprake me anëtarët e këshillit bashkiak që përfaqësojnë LSI-në. Kryebashkiaku e rriti “stekën” e pretendimeve për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm për abonentët familjarë nga 45 në 65 lekë m3 dhe nga 135 në 165 lekë m3 për subjektet private. Lëvizja Socialiste për Integrim u fut në këtë “minilojë” duke propozuar që për disa kategori duhet të bëhej diferencimi për rritjen e çmimeve. Kaq mjaftoi që të kuptohej se tashmë ishte fakt i kryer kalimi i 17 draft-projekteve të bashkisë, ku mes tyre përveç çështjes së ujit të pijshëm është edhe dhënie me koncesion e ndërtimit të shkollave të reja në Tiranë. Tashmë që LSI është në opozitë, Veliajt do i duhet të luajë mirë politikisht, duke shmangur në çdo mënyrë agresivitetin pasi për çdo vendim të rëndësishëm që ka të bëjë me buxhetin dhe investimet duhet të kalojë në Këshillin Bashkiak. Me votat e PS, PDIU dhe FRD, këshilli bashkiak do kapte shifrën 30, por nuk mund të siguronte shumicë. Nga ana tjetër, nëse PD dhe LSI do bashkoheshin, arrinin shifrën 31 këshilltarë, Veliaj si kreu i Bashkisë Tiranë mund ta shihte veten në vështirësi reale.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Meta betohet si president: Shqipëria dhe demokracia do të jenë të parat

Ilir Meta është betuar si Presidenti i shtatë i periudhës së pluralizmit....
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *