Ulen çmimet e siguracioneve,  ja sa kushton sot një policë


Nga të dhënat e siguruara nga kompanitë dje një policë sipas monitor.al për mjetet me kubikazh deri në 1600 cm3 dhe më e re se 10 vite shitet 14 mijë lekë, ndërkohë që më herët ky çmim mesatarisht në treg ishte 17.500 lekë

Kompanitë e sigurimit kanë ulur dje me të paktën 20% primet për sigurimin e detyrueshëm motorik (TPL-Sigurimi i Detyrueshëm i Mbajtësit të Mjetit Motorik për Përgjegjësinë Civile ndaj Palëve të Treta). Ashtu sikurse një vit më parë kur primet u rritën me të paktën 25 %, duket se këtë herë kemi një tërheqje duke i ulur pak a shumë në të njëjtën masë.

Çmimet në treg

Nga të dhënat e siguruara nga kompanitë dje një police sipas monitor.al për mjetet me kubikazh deri në 1600 cm3 dhe më e re se 10 vite shitet 14 mijë lekë, ndërkohë që më herët ky çmim mesatarisht në treg ishte 17.500 lekë. Për një mjet me të njëjtën fuqi motorike por që është e barabartë ose më e vjetër se 10 vite primi sot është rreth 14 500 lekë, ndërkohë që më herët ishte rreth 18 000 lekë.

Për mjetet me kubikazh 1600-2500 cm3 dhe me vjetërsi më të vogël se 10 vite primi i sigurimit ishte rreth 18 000 lekë, ndërkohe që sot i njëjti prim shitet rreth 14 500 lekë. Për një mjet me vjetërsi të barabartë ose më të madhe se 10 vite primi që shkruhet nga kompanitë është rreth 15 000 lekë, ndërkohë që më herët ky prim kishte një mesatare prej 18 500 lekësh.

Për mjetet që kanë një kapacitet motorik mbi 2500 cm3 dhe janë më të reja se 10 vite, pra pas 2007, primi i ri është 15 000 lekë ndërkohë që më herët ishte 19 000 lekë. Për mjetet me të njëjtin kapacitet por me vjetërsi më të madhe se 2007 primi i sotshëm është 15 000 lekë, ndërkohë që më herët ishte rreth 19 500 lekë.

Precedenti i një viti më parë

Në gushtin e 2016-ës kompanitë e sigurimit në një lëvizje të unifikuar rritën primin e sigurimit motorik brenda ditës në masën 25%. Kjo shkaktoi një reagim të gjerë në publik, ndërkohë që vuri në lëvizje edhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare e cila deklaroi se nuk mund të ndërhynte në çmimet që kishin vendosur kompanitë pasi tregu ishte i liberalizuar.

Në fund AMF vendosi t’i ndëshkonte ato me gjoba për shkak se nuk kishin njoftuar në kohë për ndryshimin e primit të sigurimit. Qysh nga liberalizimi i tregut të sigurimit, që nga vetë AMF, është konsideruar një proces që ndodhi herët dhe me probleme, kompanitë kanë pasur luhatje drastike të primeve ku fillimisht kishim një konkurrencë të hapur me çmime minimale.

Kjo solli si efekt rënien e pagesës së dëmeve bruto. Më pas AMF vendosi një prim mesatar risku tregu duke iu kërkuar kompanive që të mos vendosin prime nën këtë dysheme në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëria e treguesve financiarë.

Treguesit në korrik 2017

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-qershor 2017 kapën vlerën mbi 7,415 milionë lekë, ose 12.03% më shumë se në periudhën janar-qershor 2016. Gjatë periudhës janar-qershor 2017, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 551,848 me një rritje prej 14.69% krahasuar me periudhën janar-qershor 2016.

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-qershor 2017 arritën rreth 4,322 milionë lekë, ose 11.43% më shumë se në periudhën janar-qershor 2016.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-qershor 2017, pati një rritje prej 14.35% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 6.46% krahasuar me periudhën janar-qershor 2016.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-qershor 2017 pati një ulje prej 9.29% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 0.12% krahasuar me periudhën janar-qershor 2016.

Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-qershor 2017, pati një rritje me 2.65% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-qershor 2016. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 2.13%.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Tërmeti në Itali/ Shpallen 2 viktimat e para. Nxirret i gjallë fëmija

Tërmeti që goditi mbrëmjen e djeshme ishullin e Ischias ka shkaktuar të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.