Ultimatumet në politikë nuk duhen shpaguar!

Nga Ervis Iljazaj

Padyshim situata politike është e papranueshme. Askush me një logjikë normale nuk mund të pranojë që zgjedhjet parlamentare të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partisë kryesore të opozitës aktuale. Të gjithë zërat publikë që mbështetin qëndrimet politike të liderit aktual të Partisë Demokratike, gjithmonë e më shumë nxijnë situatën që është krijuar. Dhe me të drejtë! Një situatë ku praktikisht asnjë institucion i shtetit shqiptar nuk është në funksionim të plotë është totalisht e tillë.

Mirëpo kjo është vetëm pasoja. Përpara se të ngjyrosim pasojat duhet të shikojmë dhe shkakun. Dhe shkaku kryesor i kësaj situate është qëndrimi ultimativ i Partisë Demokratike.

E gjithë situata aktuale që paraqitet në këto momente në politikën shqiptare duket pa rrugëdalje për të marrë një zgjidhje. Palët vazhdojnë të jenë larg pozicioneve të njëra-tjetrës dhe në rreshtimet fillestare. Megjithëse, ka një lëvizje të gjerë në orët e fundit e cila na bën të shpresojmë për një marrëveshje politike që do të çlironte vendin nga këta muaj absurdë, jashtë çfarëdolloj logjike politike të pranueshme.

Pa llogaritur kostot ekonomike dhe shoqërore që kjo sjellje politike ka krijuar, ajo që bie në sy, është një përballje forcash ku arsyeja ka reshtur së funksionuari.

Pa u futur në detaje për kërkesën e saj të vetme në të gjithë këtë histori, atë të qeverisë teknike, kërkesë të cilën personalisht e konsideroj të padrejtë moralisht, politikisht dhe në shkelje të plotë të Kushtetutës të Shqipërisë, shqetësimi më i madh në këtë situatë është kërkesa e opozitës për të legjitimuar një ultimatum.

Aktualisht, mazhoranca ndodhet në një avantazh moral dhe politik në raport me opozitën për shumë arsye. Lëshimet nga pozicioni fillestar i saj në opinionit publik mund të perceptohen si një lëvizje e cila përshëndetët për hir të vullnetit të treguar prej saj për të garantuar një stabilitet politik i cili do të lejonte kursin normal të zhvillimit të ngjarjeve. Ndërsa opozita, me një insistim pothuajse të verbër deri më tani, kërkon të vetmen gjë e cila nuk mund të lejohet kurrsesi. Kërkon deformimin e vullnetit popullor që ka mandatuar këtë Kryeministër. Dhe e kërkon në formën më të rrezikshme të mundshme, nëpërmjet ultimatumit, që më shumë se sa një logjikë prej lideri është një logjikë prej “kamikazi”, i cili në momentet e imponimit hedh në erë veten dhe këdo që i gjendet pranë.

Dihet që ultimatumet, jo vetëm në politikë por në çdo lloj marrëdhënieje tjetër shoqërore të çojnë drejt përplasjes të forcave. E vetmja gjë për të cilën vendi nuk ka nevojë në këto moment. Dhe në një përplasje forcash, mazhoranca, për faktin se përfaqëson pjesën më të madhe të shoqërisë është më e fortë. Në këtë kuptim ky është edhe një qëndrim taktik i gabuar nga ana e opozitës.

Por problemi është akoma edhe më i madh. Nëse ultimatumet legjitimohen, kjo përbën një precedent tejet të rrezikshëm për vazhdimësinë e rendin normal politik. Ai mund të përdorej në të ardhmen nga të gjitha opozitat që ndihen të dobëta numerikisht dhe në këtë mënyrë krizat ciklite politike nuk do të mbaronin asnjëherë dhe do të bllokonin vazhdimisht jetën politike të vendit me gjithë kostot që këto qëndrime sjellin.

Andaj Lulzim Basha të gjitha garancitë që i dhanë ndërkombëtarët dhe vetë mazhoranca për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme duhet t’i shohë si arritje për të dhe votën e lirë në Shqipëri. Por, deri këtu është logjika politike. Më tej, hyn në lojë forca. Dhe cila palë politike është më e fortë në mbështetjen popullore në këtë legjislaturë e tregojnë më së miri numrat në Parlament. Kjo është një strategji politike si thikë me dy presa. Mund të të sjellë shumë përfitime, por në të njëjtën kohë dhe shumë kosto. Është një vijë demarkacioni shumë e hollë, që është pothuajse e pamundur të gjykohet. Kështu që, e vetmja rrugë që njeh politika për të mos degraduar në një terren të dhunshëm ku fiton ai që ka më shumë muskuj është sjellja inteligjente e një lideri për të arritur marrëveshjet politike të cilat nuk fitohen asnjëherë nëpërmjet imponimit të forcës, aq më tepër kur këtë forcë politike nuk e zotëron.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Marrëveshja e vitit 1991: Gramoz Pashko nga Londra, pse kundërshtoi Berishën për të dalë nga qeveria

Ish–kryeministri i Qeverisë së Stabilitetit, Ylli Bufi, tregon në një libër sfidat...
Read More