Universitetet e Pavarura: Koha për tregun e arsimit të lartë

foto coverKonferenca e dytë shkencore e Forumit të Pavarur të Rektorëve u mbajt të shtunën në Universitetin Europian të Tiranës me temë: “Ekonomia e dijes dhe tregu i Arsimit të Lartë në Shqipëri”. Ministrja Harito: Arsimi, vendi ku ngjizen politikat e zhvillimit. Gjuraj: Sistemet më performuese janë sistemet e edukimit që nxisin konkurrencën në tregun e edukimit. Malaj: Të ndërtojmë mekanizma për lidhje me diasporën akademike. Marenglen Spiro: Koha e shkumësit ka marrë fund. Adrian Civici: Duhet stimuluar funksionimi i tregut të Arsimit të Lartë.

Koha e shkumësit ka marrë fund. Profesorët e universiteteve sot kanë një sfidë të vështirë përpara; si të përgatisin të rinj të aftë që t’i shërbejnë zhvillimit ekonomik në hapin e epokës teknologjike ku po jetojmë. Dija është një produkt tregu dhe si i tillë duhet të liberalizohet për të arritur zhvillimin.

Këto teza u hodhën të shtunën në një konferencë shkencore ku debatuan profesorë të shquar të universiteteve shqiptare.

Konferenca shkencore me temë: “Ekonomia e dijes dhe tregu i Arsimit të Lartë në Shqipëri” është e dyta konferencë e realizuar nga Forumi i Pavarur i Rektorëve nga sektori privat i arsimit të lartë në vend.

Rektorët e universiteteve dhe profesorët që lektuan në këtë konferencë debatuan për një nga temat më të nxehta që lidhen me arsimin e lartë, “tregun e arsimit të lartë” kur në vendin tonë arsimi i lartë privat zë një përqindje shumë të vogël në një sistem shtetëror gati monopol.

haritoHarito: Arsimi, vendi ku ngjizen politikat e zhvillimit

Konferencën e përshëndeti ministrja e Inovacionit Milena Harito, e cila vlerësoi këtë debat dhe theksoi se universitetet shqiptare duhet t’i përshtaten kohës dhe të ecin me hapin e kohës në një botë ku zhvillimi është i vazhdueshëm dhe i shpejtë.

“Ky lloj forumi është vendi ku duhet të ngjizen politikat e nesërme dhe kur them të nesërme janë ato që duhet të ndodhin në dy-tri vitet e ardhshme, në mënyrë që të mos humbim trenin e radhës. Shqipëria për arsye të ndryshme historike, sociale ka humbur shumë trena zhvillimi dhe është momenti, sot ose kurrë, që të ecim shumë shpejt dhe të kapërcejmë disa vonesa që kemi patur me vite” – u shpreh Harito.

Ajo theksoi se në epokën e teknologjisë që po jetojmë, universitetet të parët kanë detyrimin që të ecin me këtë hap dhe t’iu përgjigjen zhvillimeve që ndodhin në këtë drejtim.

gjurajGjuraj: Sistemet më performuese janë sistemet e edukimit që nxisin konkurrencën në tregun e edukimit

Prof. dr. Tonin Gjuraj, rektori i UET-it që ishte dhe mikpritësi i kësaj konference, e vuri theksin te roli i dijes dhe i arsimit në zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë në tërësi. Më tej ai theksoi se performanca e arsimit rritet nëpërmjet konkurrencës.

“Është demonstruar gjerësisht se edhe thjesht të kopjosh nga vendet e përparuara, nuk funksionon në çdo kohë dhe në çdo kontekst lokal. Së dyti, siç thotë me të drejtë profesor Pritchett, të shtosh më shumë fonde në një sistem që ka shumë të çara, është si të frysh gomën e shpuar të një biçiklete. Sado fonde të shtohen në një sistem jo të mirëmenduar, nuk mund të arrijmë objektivat që janë shoqërisht të dëshirueshëm. Por, një konsensus i plotë ekziston midis të gjithë studiuesve: sistemet më performuese janë sistemet e edukimit që nxisin konkurrencën në tregun e edukimit. Matja e performancës së punës dhe financimi përkundrejt rezultateve të arritura në përmbushjen e indikatorëve të matjes së performancës, duhet të jenë objektiva themelorë të politikëbërjes”.

Gjuraj vlerësoi se ligji i ri i arsimit të lartë është një hap pozitiv në reformimin e sistemit, por, shtoi ai –“ka akoma dhe shumë hapësira për më shumë dinamikë dhe fleksibilitet, për më shumë liri dhe konkurrencë në sistem, për mbikëqyrje të sistemit bazuar në indikatorë performance dhe jo në inpute në sistem, për një sistem që rrit vetëveprimin dhe shpejtësinë e reflektimit të dinamikave të tregut të punës dhe progresit teknologjik në kurrikulën akademike etj”. 

adrian civiciAdrian Civici: Duhet stimuluar funksionimi i tregut të Arsimit të Lartë 

Dija, nuk mund të jetë monopol shtetëror pasi ndikimi i këtij produkti në zhvillimin ekonomik është minimal. Për ta bërë sa më cilësor atë duhet liberalizuar tregu i arsimit të lartë. Me këtë tezë Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici, diskutoi në Konferencën Shkencore të Universiteteve të Pavarura, ku flitej për ekonominë e dijes.

“Do doja që të ndaja me ju nevojën që kemi të gjithë për të qartësuar një koncept, atë të tregut të arsimit të lartë. Akoma nuk bëjmë dallimin që duhet midis pazarit në arsimin e lartë dhe tregun e arsimit të lartë. Cilat janë konceptet dhe debatet që e bëjnë të funksionojë tregu i arsimit të lartë? Ç’do të thotë ekonomi dije? Do të thotë malli dhe produkti më i shtrenjtë është bërë dija. Këtu përmendëm që mirëqenien e vendeve e kanë krijuar edhe skllevërit edhe perandoritë dhe shumë elemente të tjera. Sot më i shtrenjtë në konkurrencën ndërkombëtare është produkti i dijes. Pyetjes së Adam Smith “si pasurohen kombet” gati çdo shekull i jepet nga një përgjigje e ndryshme. Sot eksperienca po tregon që ato vende që janë më të përgatitura në konkurrencën ndërkombëtare dhe për të qenë të pasura janë ato vende që prodhojnë dije. Po të analizosh politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është thjesht një blerje e lirë e trurit nga vendet e tjera.

Çfarë mekanizmash vë shoqëria ne dispozicion që këtë produkt ta prodhojë me cilësinë më të lartë të mundshme? Nëse ne vazhdojmë me konceptin që ky është një produkt vetëm shtetëror, që do të thotë duhet të financohet vetëm nga struktura shtetërore, natyrisht në gjuhën ekonomike do të thotë që është një lloj monopoli dhe kufizimi në sensin që ti prodhon një produkt që ka cilësi të dobët. Ndikimi i këtij produkti në zhvillimin ekonomik është minimal.

Po të shikojmë në vende të ndryshme diskutimi për tregun e arsimit bëhet se çfarë kapitalesh, çfarë institucionesh marrin përsipër të prodhojnë këtë makineri që prodhon dijen. Duke krahasuar investimet që bëhen, fondet në Europë, po kalon 40% sasia e financimeve nga fonde të ndryshme që marrin përsipër të prodhojnë një produkt dhe t’jua ofrojnë të tjerëve në cilësinë më të lartë siç është një diplomë apo një program që përgatit një njeri që prodhon dijen. Në këtë sens merr kuptim fjala treg i arsimit të lartë, çfarë politikash dhe masash merr një shoqëri e caktuar që të krijojë çdo hapësirë të mundshme financimi, investimi për ta prodhuar këtë produkt në mënyrën më cilësore.

Po t’i referohemi eksperiencës së Izraelit dhe vendeve të zhvilluara shohim që në disa raste ky prodhim mundësohet vetëm nga shteti, por mos harrojmë që nëse ne me shumë vështirësi shkojmë në 3% të prodhimit të arsimit bruto këto vende kanë kohë që kanë kaluar 11-12%. Pra, ose do mobilizojmë maksimumin e investimeve për këtë produkt kaq të rëndësishëm, ose do stimulojmë funksionimin e një tregu të prodhimit të këtij produkti ku të angazhosh gjithë burimet financiare dhe institucionale që ke në dispozicion për prodhimin e këtij produkti. Mesatarisht sot në Shqipëri harxhojmë 600 euro duke futur dhe sektorin privat për një student. Vende si Rumania e ka 3000 euro etj”. 

arben malajArben Malaj: Të ndërtojmë mekanizma për lidhje me diasporën akademike

Rektori i Universitetit Luarasi, Arben Malaj, preku problematikat me të cilat përballet arsimi i lartë në Shqipëri dhe theksoi se duhet të krijohet një bashkëpunim me diasporën akademike jashtë vendit.

Tema që kemi zgjedhur me kolegen ka të bëjë me një element të rëndësishëm që bazohet në një sërë sfidash me të cilat përballet vendi ynë. Fokusi ynë në këtë studim është angazhimi i komuniteteve shqiptare jashtë vendit në rritjen e cilësisë së kapacitetit social në Shqipëri. Studimet përfshijnë impaktin e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit dhe kapaciteti që kanë për të kontribuar në zhvillimin e vendit, që është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Sipas studimeve të fundit vendi ynë ka rreth 46% të popullsisë që jeton jashtë. Ne sugjerojmë se komuniteti shqiptar jashtë vendit, ka kapacitetin të kontribuojë në zhvillimin e vendit, përmes transferimit të njohurive dhe përvojave të marra jashtë duke propozuar një model konkret, i cili është diskutuar në tryezën që patëm në fushën e arsimit gjatë Samitit të Diasporës. Lidhur me konceptin e një sistemi kujdestarie të shkencëtarëve dhe kërkuesve jashtë vendit me shkencëtarët brenda vendit tonë ne arrijmë në përfundimin se aktorë si qeveria, universitete, sipërmarrjet duhet të ndërtojnë mekanizma për përmirësimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe komunitetit shqiptar jashtë vendit. Specifikisht me grupet që i përkasin mjedisit akademik por dhe atyre që kanë sukses në implementimin e dijes në bizneset e tyre. Pra duhet një bashkëpunim biznes, qarqe akademike dhe qeveria që ndërmerr reformat kryesore. Ne e zgjodhëm këtë temë sepse jetojmë në kohën e revolucionit të katërt, atij informatik çka nënkupton se shpejtësia e njohurive është e lartë, kërkesa për të talentuar po rritet shpejt, konkurrenca për të mirarsimuar, për t’i mbajtur do të jetë e ashpër. Ndërsa oferta jonë akademike është e vogël. Cilësia e kërkimit shkencor është e ulët, aftësia konkurruese në vend apo rajon ka filluar të përmirësohet, por është larg të qenit realisht konkurruese”. 

enila cenko unytTri shtyllat që përgatisin studentë të shekullit XXI 

Rektori i UNYT, prof. dr. Fatos Tarifa dhe kolegia e tij dr. Enila Cenko gjatë konferencës shkencore të Universiteteve të Pavarura referuan mbi aftësitë që i duhen studentit të sotëm për t’u përgatitur me tregun e punës të epokës ku jetojmë. Cenko tha se eksperienca amerikane na vjen në ndihmë në këtë drejtim ku i gjithë sistemi i lartë është i bazuar në tri shtylla.

“Këto tri shtylla nuk fillojnë në arsimin e lartë, por dhe në ato parauniversitar siç janë parashkollori, 9-vjeçarja. Këto tri shtylla janë: të mësuarit dhe menduarit inovativ, ku futen mendimi kritik, mendimi në funksion të zgjidhjes së problemit, kreativiteti si dhe aftësitë implikative dhe të ndërvepruarit në grup. Së dyti, njohja e teknologjisë digjitale që nënkupton njohjen e marrjes së masave për të përthithur informacionin, si dhe njohjen me mediat. Së treti, përgatitja profesionale dhe për jetën në vazhdimësi. Kjo do të thotë fitimi i shprehive bazë të fleksibilitetit, të qenit të adaptueshëm ndaj kushteve dhe zhvillimeve të reja, aftësia për vetëveprim. Të gjitha këto sa realizohen në universitetet shqiptare? Që të zhvillohen kanë nevojë për kushte, ku së pari disiplinat bazë dhe kurrikula janë të nevojshme por jo të mjaftueshme. Duhet përmirësimi i vazhdueshëm i mjedisit si dhe praktikimi profesional. Neve na duhet një arsim i lartë që përfshin problematika dhe aftësi të nevojshme për tregun e punës në shekullin XXI. Këto aftësi duhet të jenë të nevojshme për të gjithë studentët. Ekonomia amerikane është ajo që është e bazuar më shumë në ekonominë e dijes që do të thotë se është një ekonomi e bazuar në industri të ndërtuara nga teknologji dhe dije të avancuara që janë rezultat i investimeve të mëdha për kërkim dhe zhvillim. 50% e GDP ndërtohet nga ekonomia e dijes. Ditët e sotme punonjësit e mësimit po zëvendësojnë ato të dijes, ku punonjës të mësimit janë ata që kanë mësuar nëpërmjet një smartphoni ose mënyra të tjera. Sot hapat e parë që duhen ndërmarrë janë rivlerësimi i formave të mësimdhënies që prodhojnë të mësuarit dhe të dijes. Tjetër hap është përcaktimi i qëllimit që duhet të ketë mësimdhënia në universitet si dhe krijimi i kurrikulave që adresojnë këto qëllime”. 

mareglen spiro (1)Marenglen Spiro: Koha e shkumësit ka marrë fund

Rektori i Universitetit Marin Barleti, prof. dr. Marenglen Spiro, gjatë fjalës së tij në Konferencën e Universiteteve të Pavarura tha se universitetet shqiptare duhet t’i përshtaten kohës ku jetojnë, pra asaj teknologjike, dhe t’i përgatisin të rinjtë me aftësi që u kërkon vendi i punës, jo vetëm me dije.

“Koha e shkumësit ka marrë fund. Edhe koha e testimeve, eja më thuaj çfarë di dhe të vë notën, ka marrë fund. Tani është një kohë kur duhet të nxisim kreativitetin dhe aftësitë e studentëve për të dalë në tregun e punës” -tha ndër të tjera ai.

“Të gjithë ne kemi pasur në vëmendje se si të hapim një universitet të ri, modern, të kohës dhe natyrisht për të shtyrë përpara sistemin tonë të arsimit të lartë dhe gjykoj që shumë nga këto principe të cilat lejojnë dhe të japin shkas për të ecur përpara në këtë drejtim janë të përcaktuara dhe shumë të tjera lënë hapësira të hapura për të gjitha horizontet, për transformime shumë të rëndësishme të institucioneve tona të arsimit të lartë. Shkaku i tretë është se gjykoj që nga të gjitha diskutimet ka shumë elemente që mund t’i atashohen universitetit të gjeneratës së tretë, atij që është i nevojshëm tani. Dhe kam vënë re që shumë universitete që bëjnë pjesë te forumi ynë ka mjaft elementë të cilët pasqyrojnë këto realizime dhe janë në efektshmëri të plotë. Teknika po përparon shumë si dhe shkenca, por a jemi ne të përgatitur për këtë? Formimi po bëhet shumë i shtrenjtë për shkak të dijeve që janë të shumta dhe cilësore, të cilat duhet t’ua mësojmë studentëve. Krijimi i ndërmarrjeve të vogla, teknoparqeve, spin off-eve dhe start up-eve bashkë me studentët do të jetë me sa duket gjenerata e re e universiteteve që do t’i atashohet cilësisë së tyre” – theksoi Spiro.

Rëndësia e metodave digjitale në arsimin e lartë

Prof. as. dr. Rahim Ombashi nga Universiteti Beder foli mbi metodat digjitale në arsimin e lartë si faktor i ndërveprimit real në zhvillimin ekonomik.

“Çfarë bën arsimi krijues? Ai e ndihmon studentin për marrjen e vendimeve të drejta në jetë, i shton imagjinatën por mbi të gjitha i formon personalitetin kuturist, që do të thotë i aftë të kalosh pengesat dhe të kërkosh pengesa të reja. Kreativiteti bëhet produkt i motivitetit të brendshëm dhe jo të jashtëm. Individët duhen të ndihen këshillues.

Ende ne të arsimit të atëhershëm kemi frikë për të krijuar studentë. Në arsimin e lartë më shumë përfitime ka individi se sa shoqëria, por shoqëria duhet domosdoshmërish të investojë për këtë. Evropa vazhdon të punojë intensivisht dhe kam bindjen që edhe Ballkani Perëndimor duhet të ketë të njëjtat zhvillime” – theksoi Ombashi.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Hera e fundit e proporcionalit rajonal dhe domosdoshmëria për një sistem të ri zgjedhor

Nga Ervis Iljazaj Mesa duket partitë politikë do ti drejtohen garës elektorale...
Read More