Universitetet publike: Nuk ka internet, por blihet një makinë 76 milionë lekë

Zëri i Amerikës ka publikuar raportin e kryer për shpenzimet në Universitetet Publike. Sipas tij paratë e tarifave të studentëve dhe të ardhurat nga buxheti i shtetit janë shpenzuar më së shumti për investime luksi dhe zyrash. Ndërkohë në Universitetin e Tiranës shpenzimet për bursa studimi janë në nivelin 0, të papërfillshme edhe fondet e shpenzuara për kërkim shkencor.

Organizatat Qëndresa Qytetare dhe Task Forca Studentore, mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert, publikoi një raport monitorimi mbi menaxhimin e tre universiteteve publike në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Nga monitorimi i transaksioneve rezulton se tre universitetet publike janë më larg shkencës dhe më pranë luksit të zyrave, pasi nuk kanë shpenzuar asnjë vlerë për nënkategorinë studime dhe kërkime përgjatë 1 viti akademik.

Blerje luksi

“Paratë e tarifave të studentëve dhe të ardhurat nga buxheti i shtetit janë shpenzuar për investime luksi dhe zyrash. Mbi 1 miliard lekë të vjetra ka shpenzuar Universiteti i Durrësit për rikonstruksione ndërtesash dhe pajisje zyrash, ndërsa Universiteti i Elbasanit ka blerë një automjet në vlerën 76 milionë lekë të vjetra” – thuhet në raport. Edhe pse ka më shumë ndërtesa, Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 7 herë më pak se ai i Elbasanit dhe 14 herë më pak se Universiteti i Durrësit për të paguar energjinë elektrike. Universiteti i Elbasanit ka paguar 17 herë më shumë ujë se ai i Tiranës dhe 11 herë më shumë ujë se sa Universiteti i Durrësit. Ndër shpenzimet e luksit ka hyrë edhe një abonim i shtrenjtë për kartë televizive nga Universiteti i Elbasanit për zyrtarët drejtues, kur mjediset e tij nuk kanë internet falas për studentët. Tre universitetet shpenzojnë mjaft para për sigurimin e ndërtesave, shuma të konsiderueshme, që rrjedhin nga tarifat e studentëve apo nga buxheti i shtetit. “Universitetet paguajnë kaq shtrenjtë shërbimin e rojës, por studentët vuajnë mungesën e shërbimeve minimale si kartonat e diplomave, internetit, ngrohjes dhe ftohjes, laboratorëve dhe bibliotekave” – thuhet në studim.

Zero bursa

Në Universitetin e Tiranës shpenzimet për bursa studimi janë në nivelin 0, ndërsa mbi 45 mijë dollarë u shpenzuan për vendimet gjyqësore mbi largimet e padrejta nga puna të nëpunësve.

“Keqadministrimi dhe papërgjegjshmëria e titullarëve rëndon mbi xhepat e studentëve, pasi universiteti paguan me paratë e studentëve punonjësit e larguar në mënyrë të padrejtë nga puna, duke lënë vetë studentët ekselentë pa bursa” – thekson studimi. Universitetet e Durrësit dhe Elbasanit i kanë harxhuar paratë e bordeve administrative jo për kërkim shkencor dhe shërbime ndaj studentëve, por për kolltuqe, makina dhe kompani sigurimi. Bordi i Administrimit të Universitetit të Elbasanit i kanë caktuar vetes një shpërblim mujor prej 350 dollarë në muaj sipër pagave të tyre si zyrtarë. Të tre universitetet janë më larg shkencës dhe më pranë luksit të zyrave, pasi në një vit akademik nuk kanë shpenzuar asnjë vlerë për studime dhe kërkime, pra paratë e tarifave të studentëve janë kthyer në pajisje zyrash, makina luksi dhe ndërtime godinash. Këto shpenzime për internet dhe telefona arrijnë vlera të konsiderueshme krahasuar me abonimet standarde për zyra dhe familje, paradoksi qëndron në faktin se në asnjë nga këto tre universitete nuk ka as salla me internet falas për studentët dhe as wireless falas në ambientet e tyre. Interneti aksesohet vetëm nga administrata e universiteteve dhe pedagogët. “UT nuk ka paguar ende asnjë bursë studimi, megjithëse viti akademik po mbaron, por kjo është një nga të drejtat kryesore të mohuara ndaj studentëve, të cilët kur vjen afati i pagesës së tarifës tregohen më se korrektë” – thuhet në studim. Autorët kërkuan ndërhyrjen e komisioneve parlamentare, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ministrisë së Arsimit, Senateve Akademike dhe Këshillave Studentore për të vëzhguar investimet gjatë këtij viti akademik.

 

Universiteti i Tiranës, në pikëpyetje edhe akreditimi

Një rezultat tronditës në shtator të vitit 2017 do të trondiste thellë themelet e Universitetit të Tiranës, i cili u vlerësua nga agjencia britanike me vetëm një vit akreditim institucional. Vlerësimi më i dobët i të gjitha kohërave ngriti një pikëpyetje të madhe mbi cilësinë e Universitetit të Tiranës dhe diplomave që lëshohen prej tij. Kjo, një arsye për të krijuar jo pak panik te studentët në prag diplomimi, apo veçanërisht në një periudhë si kjo, kur maturantët do të aplikojnë në gusht për të ndjekur studimet e larta në një prej fakulteteve të UT-së. Drejtuesit më të lartë të universitetit thonë se nuk ka vend për t’u shqetësuar. Por, përtej këtij argumenti, e vërteta është se në Universitetin e Tiranës problematikat janë thelluar edhe më shumë, një fakt që e pohojnë edhe vetë dekanët e fakulteteve, të cilët përmes një shkrese disa ditë më parë, i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit, së cilës i kërkojnë të zbardhë menjëherë raportin përfundimtar të shkeljeve administrative dhe financiare të kreut të Rektoratit të Universitetit të Tiranës, një arsye pse ata mendojnë se UT-ja është në kaos dhe pse mund të rrezikohet riakreditimi në muajin gusht. Ndërkohë Ministria e Arsimit, të cilës iu kërkua informacion se përse nuk është zbardhur ende raporti mbi veprimtarinë e funksionimit të UT-së, tha se nuk është e detyruar t’i përgjigjet medies për informacione të tilla zyrtare. Heshtja e Ministrisë së Arsimit nuk mund të mos të të çojë para dilemës dhe pyetjes: A është edhe ajo përgjegjëse për kaosin e krijuar në Universitetin publik të Tiranës?

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Melanoma: Kush rrezikohet nga kanceri i lëkurës

Melanoma mund të trajtohet suksesshëm nëse zbulohet në kohë. Ky kancer mund...
Read More