Universiteti, ja si zgjedhin ekselentët

Në jetë na ndodhin plot ngjarje që nuk varen nga ne, por një nga ngjarjet më të mëdha të jetës është plotësisht në dorën tonë dhe përcakton në një mënyrë a një tjetër si do ecë ajo më pas. Po flasim për zgjedhjen e universitetit dhe degës që do të studiojmë.

Të rinjtë 18-vjeçarë që sapo kanë fituar lirinë e moshës për t’u ndjerë të rritur aq sa për të ndërmarrë përgjegjësi mbi vete po përjetojnë dilemën e parë të fortë në jetë, që ka të bëjë me rrugën që do të ndjekin për t’u formuar profesionalisht.

Pikërisht sot dhe nesër (28-29 gusht) të gjitha universitetet në vend shpallin listat e fituesve të raundit të parë nga kandidatët për studentë që kanë aplikuar në fund të korrikut.

Deri më 11 shtator ata do të duhet të zgjedhin të regjistrohen në një prej preferencave të tyre që kanë shënuar gjatë aplikimit.

Por ka shumë prej tyre që e kanë zgjidhur dilemën shumë kohë përpara se të shpallen listat duke aplikuar pranë universiteteve ku kanë dëshirë të studiojnë.

Në zyrën e pranimeve në Universitetin Europian të Tiranës gjejmë disa kandidatë për studentë që po kryenin aplikimin paraprak për degën që dëshironin, pasi kishin shënuar UET të parin në listën e preferencave të tyre. Shumica e tyre janë nxënës me mesatare shumë të lartë dhe vendimin për të ardhur në UET e kanë marrë që kur ishin akoma në bankat e shkollës së mesme.

UET çdo vit ka synuar të tërheqë pranë vetes më të mirët e maturës duke i mbështetur me bursa të plota ose gjysmë-bursë nxënësit me mesatare të lartë me anë të një projekti ambicioz “100 nga 1000 më të mirët e maturës”, ku ofrohet mbështetje për 100 nxënësit më të mirë sipas rezultateve të gjimnazit.

“Mapo Universitet” bisedoi me disa prej tyre për të kuptuar arsyet që i çuan në këtë zgjedhje, kur me atë mesatare që kanë mund të shkonin në çdo universitet shtetëror, degën që do të studiojnë dhe ambiciet për jetën e tyre.

 

Arjol Sako: Pse refuzova shtetin për të studiuar në UET
Nxënësit ekselentë janë të mirëpritur në çdo universitet, vendimi i tyre mbetet te zgjedhja që bëjnë.

Mesatarja aritmetike e të tria viteve të gjimnazit, 9.84, i jep mundësinë Arjol Sakos të studiojë në cilindo universitet që dëshiron, por zgjedhja e tij e parë ka qenë UET.
Falë mesatares së lartë që kam, mund të fitoja shumë lehtë në shtet, por janë shumë arsye të tjera përse unë vendosa të ndjek studimet e larta në UET. Unë nuk dëshiroj të studioj thjesht për të marrë një diplomë dhe për t’u futur në punë… Dëshiroj më shumë se kaq, dëshiroj një shkollë ku unë të formohem intelektualisht dhe të jem i aftë për t’u përballur me kërkesat e tregut të punës këtu, në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar. Vendosa të studioj në UET sepse UET-in e shoh si një institucion arsimor i cili ofron një edukim shumë cilësor, e shoh si një universitet lider dhe një qendër ekselence në formimin akademik dhe profesional”.
Arsyet që e kanë shtyrë Arjolin të bëjë zgjedhjen e tij për të vazhduar studimet në UET janë të shumta.
“Për mendimin tim UET është modeli i universiteteve që i duhen shoqërisë, të rinjve shqiptarë dhe jo vetëm. Sepse është qendër e ideve novatore, mbështetës dhe lobues i fuqishëm i të drejtave dhe aftësive të të rinjve, por është dhe institucioni, i cili të siguron jo vetëm një mësimdhënie cilësore por edhe një mbështetje profesionale të garantuar. UET-i, me pak fjalë, është një histori dhe një model suksesi”.

 

Arjoli ka zgjedhur të studiojë Financë-Bankë.
“Kam vendosur që të studioj në fakultetin e Shkencave Ekonomike, në degën Financë-Bankë. Zgjodha këtë degë sepse mendoj se më përshtatet shumë me karakterin por edhe me formimin tim të përgjithshëm. Duke qenë se jam paksa i prirur në drejtimin e degëve shoqërore dhe kam një jetë shumë të ngarkuar me aktivitete sociale, veten pas disa vitesh e shoh shumë lart, me një karrierë shumë të suksesshme profesionale dhe akademike dhe pse jo, një njeri i njohur në Shqipëri dhe jo vetëm, kjo gjë nisur nga ambicia personale…”.

Silvia Tosku: UET, një derë që hap mijëra dyer të tjera

 

Nxënëse ekselence që në fëmijëri, Silvia Tosku përmbylli me sukses gjimnazin me një mesatare mjaft të lartë, 9.81. Tashmë sfida e re që paraqitet është universiteti. Silvia e ka bërë zgjedhjen e saj, Universitetin Europian të Tiranës.

“UET më ka pëlqyer shumë si universitet që në prezantimin e parë. Unë i dua fort mundësitë, por nuk mund të kërkoj me lupë në universitetet shtetërore ndërkohë që UET i ofron të gjitha ato që unë kërkoj.

Asnjëherë nuk kam qenë një mbështetëse e politikave shtetërore në fushën e arsimit dhe universitetet shtetërore lënë shumë për të dëshiruar kur flasim për arsim cilësor dhe mundësi për karrierë të studentëve. Ndërkohë që UET, përveçse një universitet, është në të njëjtën kohë edhe “një derë” që të hap mijëra dyer të tjera”.
E vetëdijshme se ekziston ende një skepticizëm për sa i përket nivelit të universiteteve private, Silvia shprehet mjaft e bindur për zgjedhjen e saj.
“Ka nga ata të cilët mendojnë se unë, si nxënëse e mirë, me potencial të mjaftueshëm për të arritur degë mjaft të mira në shtet, nuk duhej kurrsesi të zgjidhja “rrugën më të lehtë”, privatin… por UET është një ndër universitetet më të mira në vend, është i akredituar, i vlerësuar prej më shumë se veç një institucioni për korrektësinë dhe vlerat që mbart në tërësi dhe për këtë arsye e shumë të tjera unë i qëndroj me besim të plotë zgjedhjes që kam bërë.

Prej 12 vitesh kam patur mesatare mjaft të lartë, dhe nuk mund të lejoja që gjithë mundi im të gremisej në universitetet shtetërore, dhe metodave të tyre joefektive”.
Edhe pse universiteti paraqet sfida të reja në jetën akademike, Silvia është mjaft pozitive për sa i përket të ardhmes së saj. Ajo do të studiojë për Financë-Bankë, një zgjedhje që është ndikuar nga tendencat e tregut të punës.
“Unë do të studioj Informatikë-Ekonomike në profilin Financë-Bankë. E zgjodha ketë degë duke u bazuar në mënyrë objektive në tendencat e tregut të punës që dukshëm e favorizojnë, por edhe për fleksibilitetin që më ofron më tej duke më mundësuar të studioj edhe informatikën, por edhe financën në të njëjtën kohë. Ambiciet e mia përmbushen më së miri në këtë degë. Kam besim të plotë që kam zgjedhur drejt dhe të ardhmen e shoh të ndritur për sa i përket karrierës sime profesionale. Duke vazhduar punën me të njëjtin intensitet si prej fillimit të klasës së parë, madje dhe përtej kapaciteteve normale, pa me të voglin dyshim diploma e UET do të jetë dera e hapur për mijëra të tjera”.

Inger Skura, një “Miss” nis rrugëtimin për t’u bërë avokate
Inger Skura është maturantja e bekuar me kombinimin ideal; bukuri dhe zgjuarsi. E kurorëzuar si Miss Inteligjenca në “Miss Universe Albania 2017”, Inger është fituese e bursës së talentit, akorduar nga UET. Mesatarja e lartë e tri viteve të gjimnazit, 9.6, e bën Inger të jetë jo vetëm një “Miss” por edhe një nxënëse ekselence.

“UET më përzgjodhi për të qenë përfituese e një prej bursave që ofron dhe unë pranova me shumë kënaqësi. Kjo bursë studimi në UET, m’u dha si trofe në kompeticionin e bukurisë “Miss Universe Albania 2017”, ku u përzgjodha si “Miss Inteligjenca” nga vetë stafi i UET. I falënderoj ata pa masë për mundësinë që më është dhënë. Por edhe nëse nuk do të isha fituese e kësaj burse zgjedhja ime do të kishte qenë sërish UET. Pavarësisht se rezultatet e mia shumë të mira në gjimnaz do të më mundësonin të fitoja çdo degë në universitet shtetërore, për mua ky universitet përbën një nga preferencat e mia të hershme”.

Ajo ka vendosur të zgjedhë këtë universitet pasi është njohur me të nga afër.
“Arsyet të cilat më kanë shtyrë të studioja në këtë universitet nisin që nga fakti se UET ofron mundësinë për të studiuar me pedagogët më të mirë shqiptarë. Gjithashtu, informacioni se pjesa më e madhe e studentëve të UET kanë dalë jo vetëm shumë të përgatitur akademikisht, por edhe janë punësuar në kompanitë më me zë në vend. Për të vazhduar më tej me faktin se kampusi i UET përfshin shumë hapësira dhe godina në shërbimin tonë si auditorë mjaft modernë, bibliotekën, laboratorët etj. Këto dhe arsye të tjera e shndërrojnë UET në universitetin e duhur për formimin tim”.

Ajo ka zgjedhur të studiojë për Juridik duke u nisur nga dëshira e saj e brendshme. Është e bindur që ky është profesioni që i shkon për shtat dhe e sheh veten një avokate të suksesshme në të ardhmen.
“Kam zgjedhur fakultetin e Drejtësisë, degën Juridik. E zgjodha ketë degë sepse më pëlqen mbi të gjitha tërësia e fjalës ‘DREJTËSI’, po ashtu mendoj se kjo degë, më vonë si profesion, më përshtatet më së miri mua si karakter dhe si personalitet. Pas disa vitesh do të doja shumë të ushtroja suksesshëm profesionin si një juriste, avokate e ardhshme”, shprehet Inger, më se e motivuar për të korrur të tjera suksese në të ardhmen e saj.
Melina Pano: Bota mund të përmirësohet duke nisur nga vetja
Një ndër maturantët e shumtë ekselentë që kanë zgjedhur UET këtë vit është edhe Melina Pano.
Mesatarja mjaft e lartë, 9.82, i lejon Melinës të ketë shumë mundësi zgjedhjesh për të vazhduar studimet e larta, por ajo trokiti në dyert e Universitetit Europian të Tiranës.
“Kam zgjedhur UET, sepse midis zgjedhjeve të shumta që kisha, përfshirë dhe universitetet shtetërore, ishte mësimdhënia, korrektësia dhe historiku i UET që më bënë të zgjidhja këtë universitet. UET është një prej universiteteve të pakta në Shqipëri, që të ofron mundësi për t’u rritur në vlera dhe për të përmirësuar veten gjatë kohës që studion. Kjo falë përkrahjes që të ofron nëpërmjet programeve të shumta të intershipeve etj”.
Melina ka zgjedhur të studiojë në degën Financë-Bankë. Pasioni që ka për këtë degë, i premton me siguri, një të ardhme të ndritur.
“Do të studioj në degën Financë-Bankë. Zgjedhja ime konsiston në faktin që në ditët e sotme, jo vetëm Shqipërisë, por edhe botës anembanë, i duhen menaxhues situatash dhe buxhetesh më të mirë por jo vetëm aq. Duhen njerëz të përgatitur dhe të aftë për të dhënë maksimumin e tyre, për të përmirësuar kompaninë ku punojnë apo ambientin që i rrethon. Duke u nisur nga fakti që bota mund të përmirësohet duke e nisur ndryshimin nga vetja, unë kam nevojë të përmirësoj veten time në UET dhe të jap maksimumin tim në çdo aspekt të jetës, duke kontribuar me njohuritë e mia. Në të ardhmen e shoh veten si një prej financierëve që do të punojë me përkushtim, pa u stepur përpara vështirësive dhe e aftë për të menaxhuar suksesshëm situatat e ndryshme që mund të paraqiten. Do të doja, pse jo, që në një të ardhme të afërt, të kisha kompaninë time…”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Masakra e ndërtimeve në Sarandë: Paditet ish-kreu i ALUIZNI-t

KLSH kallëzon në prokurori ish drejtorin, 2 ish-përgjegjës sektori dhe 2 specialistë...
Read More

5 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published.