Universiteti shtetëror nuk është monument kulture për t’u ruajtur nga shteti

Nga Klementin Mile

Gazetat e përditshme po thonë atë që e dinim prej kohësh: Universiteti i Tiranës është pa standarde! Në këtë konkluzion kanë arritur ekspertët e agjencisë britanike Quality Assurance Agency, në bashkëpunim me ekspertët vendës. Bordi i Akreditimit ka përpiluar një listë të gjatë me rekomandime për Universitetin e Tiranës, duke i lënë një vit kohë për t’i përmbushur. Në të kundërt, nuk do të funksionojë më si universitet.

Rreziku që ky universitet të mbyllet përbën një skandal të jashtëzakonshëm. Universiteti i Tiranës, më i vjetri ndër universitetet shtetërore, sot nuk e meriton të quhet universitet dhe, nëse nuk përmirësohet, pas një viti nuk do ekzistojë më.

Do më vinte keq nëse ndodh kjo, pasi atje i kam ndjekur studimet e para të nivelit Bachelor. Por nostalgjia ime nuk është argument, as pro as kundër këtij universiteti. Në fakt, njëra nga arsyet që Universiteti i Tiranës është sot në këtë gjendje, lidhet pikërisht me argumentet e përdorura për të justifikuar ekzistencën e tij.

Ky është argumenti që e paralelizon Universitetin e Tiranës me qeverinë e vendit. Argumenti që thotë se kur qeveria performon keq, ne ndryshojmë kryeministrin, ose ndonjë ministër, ose sjellim në pushtet një qeveri tjetër, por nuk bëjmë pa qeveri. Në mënyrë analoge, kur universiteti shtetëror (në këtë rast Universiteti i Tiranës) performon keq, ne mund të ndryshojmë rektorin, dekanin, ndonjë pedagog, sekretare etj., por nuk mund të bëjmë pa universitet shtetëror.

Ky argument është përdorur shprehimisht, ose në mënyrë të nënkuptuar, nga ata që përpiqen të mbrojnë sektorin shtetëror të arsimit të lartë, nga ata që flasin për arsim publik falas dhe, nga ana tjetër, sulmojnë sektorin privat dhe reformën në arsim. Ky argument bazohet tek analogjia ndërmjet qeverisë dhe universitetit shtetëror dhe mund të jetë i vlefshëm për aq sa kjo analogji qëndron.

Për të kuptuar nëse është e fortë apo e dobët kjo analogji, duhet të zbulojmë truallin ku ngrihen pohimet. Pohimi se nuk mund të jetojmë dot pa qeveri implikon ekzistencën e shtetit. Me fjalë të tjera, ashtu siç bien dakord të gjithë mendimtarët politikë (liberalët, konservatorët, socialistët, fashistët, komunistët) përveç anarkistëve, pa qeveri nuk mund të ketë shtet. Shteti, pra, është trualli. Shteti është e mira primare që justifikon ekzistencën e qeverisë: qeveria duhet sepse është tipar esencial i shtetit.

Por a mund të thuhet e njëjta gjë për universitetin shtetëror? A është ky i fundit tipar esencial i shtetit? Apo shteti mund të vazhdojë të ekzistojë po aq mirë edhe pa të? Le të kujtojmë që shteti ka ekzistuar edhe para se të krijoheshin universitetet në Mesjetë. Shteti vazhdoi të ekzistonte edhe kur universitetet i ngriti dhe i menaxhoi kisha. E kjo do të thotë se universiteti shtetëror nuk është tipar esencial i shtetit.

Analogjia ndërmjet qeverisë dhe universitetit shtetëror, që i sheh të dyja këto si tipare esenciale të shtetit, nuk qëndron. Prandaj argumenti se nuk mund të bëjmë dot pa universitet shtetëror është logjikisht i pavlefshëm.

Po atëherë pse insistohet kaq shumë për ta mbajtur në këmbë universitetin shtetëror? Pse favorizime nga më të ndryshmet, pse bllokim i konkurrencës dhe tregut universitar? E njëjta pyetje, në fakt, mund të shtrohet edhe për organe shtetërore të tjera, si bie fjala Televizioni Publik Shqiptar (TVSH). Nga njëra anë, universiteti shtetëror dhe TVSH-ja nuk i duhen domosdoshmërisht shtetit. Nga ana tjetër, si universiteti shtetëror ashtu dhe TVSH-ja ofrojnë cilësi tejet të dobët. Paradoksi është i plotë: shteti paguan kosto për të mbajtur në këmbë institucione që jo vetëm nuk i duhen, por as nuk i shërbejnë cilësisht publikut.

As logjika ekzistenciale e shtetit, as logjika kushtetuese, as logjika ekonomike nuk e shpjegon këtë fenomen. Por kjo nuk do të thotë se jemi përballë absurdit. Janë të paktën dy logjika të tjera që mund t’i japin kuptim paradoksit.

Kështu, mbajtja në këmbë dhe favorizimi i universitetit shtetëror (dhe TVSH-së), në kushtet e një performance skandaloze të tij, mund të shpjegohet prej logjikës ideologjike. Shteti i mirëqenies sociale, si formë tipikisht e majtë e shtetit, priret të ndërhyjë dhe kontrollojë të gjithë sektorët e shoqërisë. Në rastin shqiptar, kjo logjikë e parë kombinohet me një të dytë: logjikën korruptive. Edhe institucionet shtetërore për të cilat shteti paguan kosto të lartë mund të sjellin fitim. Sigurisht, jo në arkën e shtetit, po në xhepat e feudalëve, që nga ministrat e deri te rektorët, dekanët, pedagogët e sekretaret.

Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kriza e Demokracisë Lokale

Demokracia është në krizë për shumë arsye dhe për shkak të shumë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.