Vaçe Zela, këngëtarja qe i dha emër një epoke

 

vace-zela

Vaçe Zela, e lindur më 7 prill të vitit 1939, një vajzë nga Lushnja, që u bë artistja e popullit, nuk e kishte menduar se të kënduarit e këngës shqipe do ta përfshinin në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë.

Në Paris, e krahasuar me këngëtaren e madhe franceze, Edit Piaf, ndërsa në Itali me të madhen Mina, teksa poeti , Visar Zhiti do e quante zërin e Vaçes, një pjesë të lirisë së munguar.

Do të këndonte që e vogël në aktivitetet e ndryshme që organizoheshin në qytetin e saj, ku u zbulua si talent për të qenë pas kësaj pjesë integrale e të gjitha festivaleve të muzikës në Radio dhe më vonë në Radio- Televizion, që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981 kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë. Po ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, në të cilin ka interpretuar shumë këngë, pjesë e muzikës së filmave.

Për yllin e muzikës shqiptare do të vinin njëri-pas tjetrit çmime të shumta. Këngët “Çelu si mimoza”, “Djaloshi dhe shiu”, “E dua vendin tim”, “Ëndrra ime”, “Lemza”, “Nënave shqiptare”, “O diell i ri”, “Sot mbusha 20 vjet”, “Të lumtur të dua” e shumë të tjera do të mbeteshin në fondin e artë.

Ndërsa çmimet që do të shkonin për këngëtaren janë të panumërta. “Artiste e Merituar” në ’73-in, “Artiste e Popullit” në ’77-ën, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare nderi e Lushnjes”, po në qytetin e lindjes. Kinoteatrit iu vu emri i saj dhe u ngrit një bust, presidenti Alfred Moisiu i akordoi “Nderi i Kombit”, ndërsa u shpall edhe “Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit.

Çmime të tjera ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Ajo ka marrë Diskun e Artë nga Amerika, për kontribut në shoqëri në vitin ’97, është zgjedhur gruaja e vitit ’97-98 në Kembrixh të Anglisë, “Mikrofoni i Artë”, nga Ministria e Kulturës e Kosovës, “Çmimi i karrierës” e shumë të tjera. Ndërsa Institutit Biografik Amerikan, e rreshton në botimin e tij ndër 500 njerëzit më me influencë.

Viti 1991 do të shënonte ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje.

Prej kohësh Vaçe Zela, për shkak të sëmundjes së saj mungoi fizikisht në aktivitetin muzikor, teksa mbeti “Zëri” i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Ndonëse e larguar prej vitesh në Zvicër, e lumturonte fakti që njerëzit e kujtonin , që nuk i kishin harruar këngët e bukura që ajo i përcillte nga skena e festivaleve.

Vaçe Zela jetoi me bashkëshortin e saj, Pjetër Rodiqi dhe vajzën, Irmen ne Zvicer derisa ndërroi jetë më 6 shkurt të vitit 2014.

Por rikthimi në Shqipëri, mbeti dëshira më e madhe për Vaçen.

E kujt si kishte rënë në sy ballkoni me lule në qendër të Tiranës, pranë Sheshit “Avni Rustemi” në Tiranë. Sepse ajo nuk ishte vetëm këngëtare, por edhe “gruaja e luleve”. Për to kujdesej motra e saj, sigurisht me shpresën se një ditë ajo do t’i prekte sërish .

Artistja e madhe ndërroi jetë në Zvicër në moshën 75 vjeçare me 6 shkurt 2014, rreth orës 01:20 duke u gdhirë nje e enjte. Ikja e saj ngjalli trishtim tek shqiptaret . Karafila të bardhë mori Vaçja, diten e nderimit të saj për në banesën e fundit. Me duartrokitje dhe me lot në sy, u përcoll trupi pajetë i këngëtares së madhe shqiptare në banesën e fundit e shoqëruar nga tingujt e këngës së Whitney Houston, “I always love you”.

 
Shkruar Nga
More from Redaksia

Jane Fonda është ‘e turpëruar’, Ajo nuk foli më përpara për Harvey Weinstein

Jane Fonda është shprehur 'ndihem e turpëruar se nuk reagova më parë"....
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.