Valentina Leskaj, jeta midis shoqërisë civile dhe politikës

Letra e një 13-vjeçari nga Nagorni-Karabaku: “Mos komprometoni paqen tonë” dhe mesazhi që vjen nga Zavalina. 16 vjet në politikë plot ngjarje e sfida të rëndësishme. Cili është aktiviteti pas politikës i gruas së rëndësishme të politikës së socialistëve

Revista Mapo

Ka ndodhur gati përmbysje në elitën politike të dy partive kryesore, këtë vit. Janë larguar nga dy krahët, personalitete të rëndësishme të politikës në 27 vjet. Janë larguar themelues e qëndresëtarë të PD-së, por edhe reformatorë e intelektualë të historisë politike të PS-së. Shumica e tyre u përjashtuan nga angazhimi në politikë për arsye të ndryshme por kishte prej tyre që u larguan me dëshirë. Shumë prej tyre vazhdojnë të rezistojnë duke kritikuar lidershipin e partisë që i la jashtë sallës së kuvendit. Të tjerë janë tërhequr duke pranuar në heshtje këtë vendim. Por ka edhe nga ata që i janë kthyer me të njëjtin ritëm aktivizimit të hershëm, para të ishin pjesë e politikës. Njëra prej tyre është Valentina Leskaj e cila largimin e kishte zgjedhje personale.

Katër mandate e zgjedhur si deputete në Kuvendin e Shqipërisë, drejtuese në nivele të larta të PS-së, anëtare kryesie e sekretare e Marrëdhënieve me Publikun e kësaj partie, ministre në qeverinë Nano, më pas kryetare e grupit parlamentar të PS-së së drejtuar nga Edi Rama dhe në fund, nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë.

Valentina Leskaj vendosi të qëndrojë jashtë listës së kandidatëve për deputetë të PS-së në qershorin e këtij viti. Vendimin e kishte marrë para se Rama të niste procesin e hartimit të listës. E la vendin në parlament me shpresën që atje të ulej një e re socialiste, siç u shpreh ajo në media.

“Vendimin për të mos kandiduar e kam deklaruar qysh ato ditë në media: largohem për t’iu hapur rrugë të rinjve, në fakt do të preferoja që në vendin tim në sallën e Kuvendit të ulej një e re. U largova me dëshirë sepse nuk e shoh parlamentin dhe politikën në përgjithësi, si vend pune, po si një angazhim dhe njeriu mund të bëjë angazhim qytetar edhe pa qenë në parlament”, thotë Valentina Leskaj për Mapo.

Është larguar pa asnjë merak sepse është ndjerë e vlerësuar dhe e mbështetur në elektorat në vazhdimësi. “Kam marrë mbështetje nga zgjedhësit e mi me rezultate shumë të larta dhe rezultatet ku ka kandiduar e drejtuar fushata nëpër qarqe, vetëm janë rritur. E di që këtu në Shqipëri nuk ndodh që tamam në një rast të tillë të largohen politikanët e të lënë mandatin e deputetit, ma kanë bërë shumë këtë pyetje. E kundërta ndodh zakonisht, edhe pse rezultatet vijnë gjithnjë e në ulje, nuk ndodh shpesh të ketë largime. Ndaj duket kaq e pazakontë tërheqja e saj referuar edhe faktit se politikanët shqiptarë nuk e konceptojnë dot veten jashtë posteve politike”, thotë Leskaj.

Kur vendosi të largohet nga politika aktive, mori shumë mesazhe nga miqtë, bashkëpunëtorët dhe elektorati i saj. Padyshim që mesazhet e miqve janë të rëndësishme por ato që e kanë prekur më shumë zonjën Leskaj janë mesazhet që i mbërritën në celularin e saj nga elektorati i Vlorës dhe Elbasanit, por edhe i Tiranës e qarqeve të tjera.

“I hapa dhe i lexova mesazhet një e nga një.. ishin shumë mesazhe dhe për mua ishte moment shumë prekës. Kam marrë mesazhe nga miq e bashkëpunëtorë nga krahu im politik, por edhe qytetarë, madje edhe nga kundërshtarët politikë. Por ato që më kanë prekur më shumë janë mesazhet nga elektorati sepse kam pasur një raport njerëzor me ta dhe intensiv”.

Përshëndetje Zonjë! Në fakt nuk jam nga ata që shquhen për patriotë të “thekur” por nderoj fort ata që kanë punuar për vendin por më shumë ata që po punojnë sot për vendin. Vlerësime dhe respekt për juve dhe familjen tuaj. Përshëndetje Lefteri nga Zavalina.

Është një mesazh që vjen nga një banor i një fshati të largët në Elbasan dhe që ka lënë shumë mbresë ndër mijëra mesazhe që i kanë mbërritur në telefon zonjës Leskaj, kur ajo deklaroi largimin nga politika.

“Kurrë nuk e kam mbyllur telefonin tim për ta sepse gjithnjë kam menduar se angazhimi në politikë është mision, është përgjegjësi dhe jo vend pune, jo privilegj. Në telefonin tim kanë mbërritur shpesh ankesa e thirrje për ndihmë dhe e them ndoshta pa modesti se jam përpjekur maksimalisht që t’i ndihmoj, edhe kur nuk i përkisnin elektoratit të qarkut ku kam drejtuar por njerëzit, për mua janë njerëz . Nuk kam bërë kurrë dallime dhe jam përpjekur të mbështes sa kam mundur me zgjidhje që kam mundur të gjej për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve të thjeshtë”, thotë Leskaj kur e pyet se cilat janë mesazhet që të kanë lënë më shumë mbresë kur vendose të largoheshe nga politika. Edhe sot më bie telefoni dhe unë nuk hezitoj të vazhdoj përpjekjet për të kontribuar. “Ka gjithmonë rrugë e mënyra për t’iu gjendur pranë njerëzve kur kanë halle e probleme”, thotë zonja Leskaj, disa muaj pasi e ka lënë politikën dhe i është kthyer aktivizimit të hershëm në shoqërinë civile.

Para se të hynte në politike

Valentina Leskaj u angazhua në politikë si përfaqësuese e shoqërisë civile. Kishte krijuar një profil publik, si një ndër themelueset e shoqërisë civile në Shqipëri .

Aktiviteti i saj shtrihet brenda vendit si Drejtore e Qendrës për Popullsinë e Zhvillimin, Presidente e Forumit të Organizatave joqeveritare, po edhe jashtë vendit në disa Organizata Ndërkombëtare, deri në OKB . Ishte viti 2000 kur Valentina Leskaj mori një ftesë personale nga Presidentit Clinton, gjë që nuk e ka thënë asnjëherë kur ishte në Politikë. “Isha njëra nga 5 të ftuarat që përfaqësonin shoqërinë civile në Shtëpinë e Bardhë, e vetmja përfaqësuese e shoqërisë civile nga Europa”, rrëfen Leskaj. Ndryshe nga shumica e drejtuesve të politikës shqiptare, nuk i ka bërë publike në media takimeve të rëndësishme që ka patur me personalitete të rëndësishme të politikës botërore.

Kur e pyet për këtë Leskaj thotë se:

“Nuk i kam bërë reklamë aktivitetit sidomos atij ndërkombëtar apo takimeve me personalitete sepse unë besoj se njerëzit nuk duhet të të çmojnë nga ato që shohin për ty po nga ato që ti bën për ta, nuk mendoj se rëndësia përcaktohet nga fotot me personalitete botërore, madje kjo më duket pak fyese për njerëzit, po edhe për veten siç ndodh këtu që botojnë edhe shkojnë në një mbledhje të zakonshme apo një takim rastësor qoftë dhe në korridoret e mbledhjeve botojnë foto”, thotë zonja Leskaj.

Në vitin 2000 është renditur në Gratë e Mileniumit, nga Revista “Executive Ëomen”, e botuar në Londër. Ishte pjesë e listës së grave më të famshme të botës, ndër të cilat ish-kryeministrja britanike Margaret Thatcher, kandidatja për presidente e SHBA-së, Hillary Clinton e të tjera.

 

Kur u bë pjesë e rëndësishme e politikës shqiptare dhe aktive në Strasburg, si Kryetare e Delegacionit Parlamentar në Asamblenë Parlamentare të KiE, zonja Leskaj ka marrë disa letra e mesazhe nga Moldavia si Reportere e KiE për Moldavinë, po më tërhoqi vëmendjen një mesazh shumë domethënës. Është një letër mjaft interesante që i ka mbërritur kur ishte zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Është dërguar nga një 13-vjeçar nga Nagorni-Karabak.

Letra e një 13-vjeçari

“Mos kompromentoni paqen tonë”, është slogani që shoqëron fotografinë e 13-vjeçarit nga një zonë konflikti, Nagorni-Karabaku, të cilën ia dërgonte zëvendëspresidentes së Këshillit të Europës, zonjës Valentina Leskaj.

Është mesazh domethënës, është lutja e një fëmijë ndaj institucioneve më të rëndësishme të KiE që t’i thonë “JO” rezolutave “të rëndomta”, nëpër rreshtat e të cilave shpesh janë gjendur rrugë për të shkatërruar shtëpi, shkolla e jetë fëmijësh.

 

E dashur zonja Valentina Leskaj.

Emri im është Tsovinar. Jam 13 vjeç dhe si çdo fëmijë tjetër në Europë gëzoj të drejtën për jetë, arsimim dhe fëmijëri të lumtur.

Miqtë e mi dhe unë duam që të jetojmë në paqe në qytetet dhe fshatrat tona, të lirë nga plumbat dhe predhat.

Ju lutem, refuzoni gjithçka që mund të rrezikojë familjet tona dhe shkollat tona dhe votoni “JO” për rezolutat mbi Nagorni-Karabakun më 26 janar.

Faleminderit.

Kjo letër është një ndër momentet më pikante të zonjës Leksaj si përfaqësuese e lartë në Asamblenë Parlamentare të KiE.

Pjesë e politikës, e ftuar nga Fatos Nano

Një ftesë e kryeministrit Fatos Nano në vitin 2003, do të ishte hapi i parë i Valentina Leskajt drejt politikës. Padyshim që ishte menduar gjatë për ta pranuar atë ftesë sepse përfshirja në politikë në Shqipëri është e vështirë jo vetëm për gratë, për shkak se politika është agresive në Shqipëri. Pas angazhimit si ministër, Valentina Leskaj u zgjodh deputete e PS-së në Elbasan për të ngjitur hap has hapi shkallët e karrierës deri te posti i kryetares së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e më tej si nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Ka mbajtur poste të rëndësishme në PS, në vite shumë të vështira të opozitës, kohë kur kryetari i PS-së Edi Rama nuk ishte në kuvend, nuk ishte deputet.

Betejat politike i ka zhvilluar në qarqe të mëdha si ai i Elbasanit, si drejtuese politike e PS, ndërsa mandate i fundit ishte në qarkun e Vlorës, gjtihashtu një qark i rëndësishëm. Në parlament, zonja Leskaj ka drejtuar Komisionin Parlamentar për Integrimin, dhe më pas për shumë vite Komisionin Parlamentar për Arsimin dhe Median. Ka drejtuar komisionin e medias kur po kryhej reforma për Mediat Elektronike e cila ishte një nga “patatet e nxehta” e për pasojë nga betejat më të vështira në opozitë.

Ndërkohë që zonja Leskaj ka drejtuar delegacione të rëndësishme shqiptare si Kryetare e delegacionit të PS dhe Nenkryetare e Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit Shqipëri-BE një Komitet me peshë për integrimin e Shqipërisë në BE me debate të forta mes pozitës dhe opozitës.

 

Si Kryetare e Delegacionit tw Parlamentit Shqiptar nw Asamblenw Parlamentare tw Këshillit tw Europës, zonja Leskaj është zgjehdur edhe Zëvendës Presidente e Asamblesw sw KiE.

E pyetur pwr aktivitetin atje ajo veçon si një ndër përvojat e rëndësishme, zgjedhja në Komitetin e Monitorimit dhe zgjedhja Reportere për Moldavinë një vend me komplikime të mëdha politike qoftë për shkak të gjeopolitikës së rajonit , ndikimit Rus dhe cështje të tjera të brëndëshme. E ka parë si një përgjegjësi e madhe këtë zgjehdje por edhe një vlerësim të zgjidheshe reportere për një vend me problematika kaq të mëdha.

Sfidat e një gruaje në politikën e “të fortëve”

Modeli “i të fortit” në politikë, ka qenë një ndër problematikat kryesore me të cilat është përballur parlamentarizmi vitet e fundit. Në sallën e Kuvendit të Shqipërisë gjuha e urrejtjes është bërë një gjë e zakonshme, ka patur në atë sallë deputetë që nuk kanë lidhje me parlamentarizmin, të fortët.

Valentina Leskajt, Jozefina Topallit, Majlinda Bregut, Arta Dades e grave të tjera të politikës, iu është dashur të ulen në rresht me të tillë deputetë. Ka qenë një ndër sfidat më të mëdha të këtyre grave përballja me modelin e “të fortëve”.

 “Nuk e di sa ia kam arritur…Për mua ka qenë e rëndësishme të ruash identitetin personal, kulturën tënde, respektin ndaj tjetrit në mënyrën e komunikimit, pavarësisht nga mjedisi që të rrethon apo modelet e të fortëve”, thotë Leskaj duke veçuar se: “Për mua agresiviteti është dobësi, forca qëndron te argumenti. Jam përpjekur të gjej mënyrën time për t’i thënë gjërat edhe kur nuk kam qenë dakord…pavarësisht se ……..”.

Pas politikës

“Dal çdo mëngjes në zyrë”, thotë Leskaj kur e pyet se cilat janë angazhimet që ka aktualisht pasi ka lënë politikën. Vazhdon të jetë aktive me organizatat ndërkombëtare që ka bashkëpunuar dikur deri në misionet faktmbledhëse në vendet e Afrikës, si në Ganë, Bregu i Fildishtë, Mali etj., e ngarkuar nga EPF (European Parliamentary Forum) në Bruksel. Janë misione ndërkombëtare te të cilat zonja Leskaj ka nisur të aktivizohet qysh në vitin 2000 (përpara hyrjes në Politikë).

Aktualisht është zgjedhur zëvendëspresidente e qendrës së UNESCO-s për Ballkanin për Gratë dhe Paqen, me qendër në Selanik. Pas largimit nga politika, Valentina Leskaj i është kthyer angazhimit në shoqërinë civile, siç dhe e kishte deklaruar që do vazhdonte të ishte e angazhuar. Ka thuajse të njëjtën ngarkesë në ditën e saj të punës, me angazhime brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë që familja tani ka më shumë dedikim, është një gjyshe shumë e lumtur me nipër e mbesa, të cilëve tashmë ka vendosur t’iu japë kohën e munguar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Numërimi: Zbulohet “loja” e PS-së kundër LSI-së

PS kërkon hapjen e 9 kutive të votimit në Tiranë me pretendimin...
Read More