Vallja çame: Rikthimi dhe të rejat e konfliktit Tiranë-Athinë

45 Me greketMarrëdhënies së acaruar mes dy vendeve që pas deklaratës së Johannes Hahn për “Çështjen Çame”, si vijimi i përplasjeve për shelfin detar, ligjin e luftës, varret dhe disa diskutime të tjera, i shtohet një përplasje për Himarën dhe një replikë e gjatë e kryeministrit me Athinën zyrtare dhe mediat e vendit fqinj mbi to.

Nga Vladimir Karaj

Edi Rama e pati paralajmëruar fjalimin për Himarën, vendin ku “Demogorgoni pasi u godit nga rrufetë, polli 2 hyjni, ‘kaosin’ dhe ‘përçarjen’ ”, siç tha ai në Kuvend. Në një replikë drejtuar Vangjel Dules, kreut të PBDNJ-së, ish-aleatit  në qeverisje, Rama iu kthye publicistikës, duke “vënë pikat mbi i” dhe mbajtur në kuvend qëndrimin më të ashpër ndaj Athinës prej ndonjë kryeministri shqiptar në të paktën dy dekada. Për këtë Rama është “duartrokitur” të paktën në rrjetet sociale, ku më shumë se 130 mijë njerëz e kanë parë videon vetëm në faqen e tij, rreth 10 mijë e kanë pëlqyer, 1,400 e kanë ndarë. Komentet janë euforike po ashtu: “Burrështetas, Skënderbe, ai që do të bëjë Shqipërinë”, për të perifrazuar vetëm disa.

Sali Berisha, i cili më 2012 u kryqëzua për deklarata të ngjashme, por më pak të kujdesshme në stilistikë, replikoi menjëherë duke nuhatur ndoshta se kryeministri kërkonte të fitonte pikë politike. “Nacionalizmi është strofulla e fundit e horrave. Ky është një diskutim folklorik dhe diletantesk”, tha Berisha, duke tentuar të kthejë debatin te narkotikët e kapur në Rrëshen një natë më parë nga policia, të cilën po ashtu e akuzoi edhe se i mbronte.

Kjo nuk është hera e parë që Himara përdoret për sherre edhe imagjinare mes Tiranës dhe Athinës, kur palët politike kanë nevojë të shkarkojnë dhe shmangin probleme reale, por është e paqartë nëse lëvizja e kryeministrit është një përgjigje e merituar për fqinjët, siç e lexoi opozita një përpjekje për shpërqendrim apo në fund të fundit vijimi i kursit të përplasjes me Athinën zyrtare.

Nga ana tjetër i paqartë duket edhe profili, tashmë jo dhe aq i ri, i kryeministrit që duket se po noton me qejf në ujërat ku mezi dallohet patriotizmi nga nacionalizmi, ndërsa hedh herë pas here edhe batuta prej kozmopolitani si përmendja e Ivo Andriç në Beograd (i famshëm jo vetëm për letërsinë, por edhe shkrimin e planeve të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve).

Përplasja me Greqinë

E paralajmëruar është edhe përplasja me Greqinë. Në fakt qeveritë janë në këtë kurs prej 2013-s dhe marrëdhëniet e Ramës me Athinën nuk kanë qenë të mira as kur ky ishte në opozitë dhe dërgoi në Kushtetuese marrëveshjen për shelfin detar, firmosur nga lideri i tanishëm i opozitës Lulzim Basha. Në Athinë titujt për të janë agresivë. Një gazetë e quante “kukull të Erdoganit”, duke thirrur në lojë Turqinë, fqinjin tjetër të Greqisë me të cilin ajo ka probleme të ngjashme kufitare dhe historie.

Situata në fakt u përshkallëzua kur Johannes Hahn, Komisioneri për Zgjerimin i BE, përmendi togfjalëshin “Çështje Çame” pas ngulmimit me pyetje të një eurodeputeteje greke në Bruksel.  Ndërkohë Tirana zyrtare duket se është duke provuar një politikë të shkompleksuar me fqinjët, duke mbrojtur pozicionet e saj dhe bllokuar negocimin e kërkesave të fqinjëve në këmbim të diskutimit të këtyre çështjeve. Qëndrimi i Brukselit dhe zemërimi i Athinës ishin shenja të kësaj politike. Shqipëria ndërsa ka bërë të qartë se nuk mendon për ndryshim kufijsh, Rama e tha sërish këtë në fjalimin e tij edhe pse replikuesi Vangjel Dule nuk qe në gjendje të mohonte bindshëm “Vorio Epirin” gjatë një debati në Opinion.

Sidoqoftë shkaku i përplasjes së fundit është qesharak nëse shihet nga Tirana. Bëhet fjalë për një vendim lokal urbanistik të Bashkisë së Himarës për të prishur disa objekte (sipas zyrtarëve: lavazhe, ngrehina të rrënuara, kioska dhe pak banesa), që u kthye në çështje shtetesh me thërritje ambasadorësh dhe kërcëllitje dhëmbësh për bllokim të integrimit. Qasja e Athinës është nervozuese. Asnjë ndërhyrje urbanistike, aq më pak në përmasa të tilla, nuk do duhej të ishte në axhendë debati. Edhe pse mund të thuhet se qeveria shqiptare (pavarësisht kohës) nuk ka qenë fort e “ndershme” me shpronësimet edhe kur ato janë bërë në Tiranë dhe banorët sigurisht kanë të drejtë ta kontestojnë, kjo nuk mund të jetë arsye për një sherr shtetesh.

Kështu që gjasat janë se Athina po përpiqet të vendosë në qendër të vëmendjes një histori tjetër, përpos asaj Çame, të cilën vijon ta mohojë apo ta quaj të mbyllur duke i shpallur bashkëpunëtorë të nazistëve të gjithë të dëbuarit, qofshin këta gra e fëmijë. Rama në fjalën e tij i mëshoi kësaj. “Nëse s’do, s’ke qejf t’i quajmë çamë, s’ka problem, janë qytetarë shqiptarë. Nëse s’të pëlqen fjala “çështja çame”, është çështja e Shqipërisë për shqiptarët dhe të drejtat e njeriut, liria e lëvizjes, e drejta për të kërkuar pronën dhe dëmshpërblimet në rrugë të rregullt ligjore dhe procedurale, kjo është e gjithë ajo që quhet çështja çame”, tha Rama. Mes dy vendeve ndërkohë mbeten të hapura një mori çështjes përfshi shelfin detar, atë të varreve përkujtimore apo vijimin e progresit në librat historikë për shkolla ku synohet një gjuhë më paqtuese dhe me realiste. Preç Zogaj, edhe pse kritik ndaj qeverisë, nuk ishte i ashpër ndaj Ramës. Duke folur në Top-Channel ai tha se retorika ishte shproporcionale, “në të dy krahët mund të them, në raport me problemet që ekzistojnë midis dy vendeve”. Madje Zogaj tha se Rama vetë nuk duhej të ekspozohej në vijën e parë të këtyre përplasjeve. Ai shtoi se “Nëse ka një plan që na çon drejt heqjes së ligjit të luftës, të na e thotë. Ne mbështesim kryeministrin e vendit tonë”. Nga ana e tij Skënder Minxhozi, shkroi në Java për një “komunikim pa dorashka”, por që sipas tij lë shumë të panjohura në marrëdhëniet mes dy vendeve. “Gjithsesi fjalimi i Edi Ramës ka prerë me thikë epokën e normalitetit të sforcuar mes dy vendeve, duke na shtyrë drejt një periudhe të re e cila mbetet e gjitha për t’u zbuluar”, shkruan Minxhozi.

Përplasja shqiptare

Mero Baze nga ana e tij tha në TCH  se thelbi i fjalimit dhe përplasjes sidoqoftë nuk ishin problemet mes dy vendeve. Një pjesë e madhe e analistëve edhe pse i kanë dhënë kryeministrit “hakun” se po thoshte diçka që duhej thënë e kanë vënë theksin se retorika po përdorej për çështje të konsumit të brendshëm politik. Andi Bushati, që e pati lavdëruar si një fitore “3 me 0” qëndrimin e Ramës në Beograd që nuk dallon shumë nga ai i djeshmi, ishte i ashpër kur e akuzonte kryeministrin te Lapsi.al për “strategji sa përfide aq dhe djallëzore”. E thënë kjo Bushati madje ka tërhequr edhe lavdet e 2014-s, ndërsa thotë se edhe atëherë Rama përdori të njëjtën formulë. “Dhe kalkulimi i tij pervers është pikërisht ky. Të futet në një dialog me ekstremet e margjinalizuara, të mbushura me budallallëk dhe fanatizëm për të dalë triumfues nga këto beteja”, shkruan Bushati.

Nga ana tjetër, arsye pse ndër analiza politike Rama vështirë se do gjejë miratimin që mori në 2014, është me gjasë përplasja e tij e vazhdueshme me median, por edhe fakti që pozitat e tij në politikën e brendshme nuk janë të njëjtat qoftë edhe pse është në fund të një mandati ku mjaft janë të pakënaqur. Për dallim duhet thënë që mediat në vendin fqinj kanë qenë gati me një zë sa u përket përplasjeve dhe madje dhe qëndrimeve të politikanëve të tyre. Kotzias nuk u akuzua për nacionalizëm atje dhe as në ndonjë formë tjetër, kur lëshoi për shtyp një deklaratë që gati e kërcënonte Shqipërinë me integrimin në BE.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Reforma në Drejtësi: Rezistenca e fundit e gjyqësorit

Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e kuvendit për të hequr pezullimin për ligjin...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.