“Vaniteti i diferencave të vogla”

Ditën e enjte në mbrëmje, në mjediset e Galerisë kombëtare të Arteve, Tiranë, u krye hapja e ekspozitës së autorit të njohur Britanik, Grayson Perry, me gjashtë punime origjinale në tapiceri, me titullin “Vaniteti i diferencave të vogla”.

Megjithëse u përkthye “Kotësia e dallimeve të vogla”, po ruaj termat originalë: vanitet dhe diferencë, pasi në kontekstin social- filozofik, ato përbëjnë terminologji funksionale të interpretimit të kuptimeve.

Nga Dr. Mimoza Ahmeti
Ditën e enjte në mbrëmje, në mjediset e Galerisë kombëtare të Arteve, Tiranë, u bë hapja e ekspozitës së autorit të njohur Britanik, Grayson Perry, me gjashtë punime origjinale në tapiceri, me titullin “Vaniteti i diferencave të vogla”. Megjithëse u përkthye “Kotësia e dallimeve të vogla”, po ruaj termat originalë: vanitet dhe diferencë, pasi në kontekstin social- filozofik, ato përbëjnë terminologji funksionale të interpretimit të kuptimeve.

Kështu diferenca është baza jo vetëm e dallimit, por edhe e socializimit, dmth. e bashkimit të grupit. Ndërsa vaniteti është jo vetëm rrjedhojë e izolimit prej dallimit, por edhe një mbrojtje- mbështjellore e këndshme dhe munduese kundrejt ndryshimit pa vazhdueshmëri, apo asimilimit.

Në jetën e dallimit, megjithëse ai mbetet “i vogël”, rëndësia e vetëperceptimit është e madhe. Ajo bëhet energji dhe motivim jetese. Por me kohë, sigurisht, mund të bëhet edhe vdekje, siç ndodh me konsumimin e çdo entropie formale, rënien pastaj në konservim apo kopjim të ontologjsë, kundër temporalitetit.

Megjithëse autori ka dizenjuar në mënyrë krejt deskriptive dhe naïve dallimet e shtresave shoqërore të Anglisë, një snap shot i viteve të fundit ky, me tendencën që, së toku me të, të japë edhe “absurditetin” e diferencave të vogla– nga një intervistë e Grayson Perry-t kuptojmë se udhëtimi i tij nëpër shtresat sociale të Anglisë, na riprezanton një reliev historik-modern-mobil të qenies humane, e cila vazhdon të mbetet nën erosin mes materiales dhe modelit mondan të qytetit të vjetër, të klasës së themelimit dhe asaj të imitimit.

Qyteti i vjetër, apo klasa në zhdukje, sipas tij, nuk karakterizohet nga ngutja e rendja pas stimujve të konsumizmit. Përkundrazi: ka një lloj vetëdijeje që tregon për një distancë kundrejt çfarëdo përfshirjeje rastësore. Është pikërisht kjo distancë “diskriminuese”, që e bën këtë shtresë të kujdesshme kundrejt shijes, e cila, po ta vëmë re, nuk është vetëm vetëdije dhe kënaqësi dallimi por njëkohësisht edhe vetëdije vlerë e marrëdhënieje etike me mjedisin: trupor, shoqëror, natyror. Eshtë ndjeshmëri. Klas.

Autorit i bie në sy se njerëzit e kësaj shtrese të lartë mund të veshin një xhaketë stofi të grisur. Por një vëmendje sado e thjeshtë ndaj fjalëve do të kuptonte se përdorimi i stofit për veshje është diçka ekologjike për trupin. Në shoqërinë e konsumit, përdorimi i sintetikeve, poliestrave e të tjera produkte antitrup, janë tërësisht normale për konceptin dhe praktikën ditore (Jam i interesuar në politikën e konsumizmit dhe në historinë e dizajnit popullor, thotë autori në intervistën e tij).

Perry gjithashtu thotë se “riciklimi” i sendeve dhe riparimi i tyre është karakteristikë për këtë shtresë të lartë). Kjo do të thotë se vlera e këtyre sendeve nuk është thjesht vlerë utiliteti, por edhe prekje, dashuri, vetëdije për sublimimin e kolonive që janë përdorur si mjedis për lëndë të para të mrekullueshme, të papërsëritshme, si dhe për kohën e lirë të dhuruar e mishëruar me shije kraftimi, pa të cilat bota e ndjenjave do të qe shumë e varfër.

Megjithatë qëllimi i autorit, të paktën ai i ekspozuar dhe momental, pasi me kohë, qëllime të tjera dhe riinterpretime mund të akumulohen rreth veprës në fjalë, me ndryshimin e konteksteve dhe horizonteve të përqasjes ndaj saj, pra qëllimi imediat i kësaj vepre, duket një lloj thirrjeje jo vetëm për të sheshuar dallimet midis shoqërisë së mesme dhe të lartë angleze si dhe klasës së tretë, klasës së punës që dikur quhej proletariat, çfarë do të thotë në terma socialë: një reformim social dhe reflektim kulturor i Anglisë; njëheresh ndeshemi edhe me një lloj talljeje me tis tragjizmi për këto dallime që vetëreferojnë dhe e bëjnë Anglinë asgjë më shumë sesa ajo është, një shoqëri me një vetëpërshkrim të kufizuar, edhe pse të sofistikuar, përgjatë lëvizjes integrative globale. Kjo lëvizje nuk është shërimi, por akselerimi, sa më i shpejtë i ekspozimit të problemit dhe bashkërendimi total kundrejt tij.

Kjo është edhe merita e autorit, i cili, duke intuituar politikat e ndërsistemit e tematizon artistikisht problemin anglez, për të emancipuar shoqërinë dhe fituar kohë me hapjen e një debati social, që përshpejton procesin e kuptimit për komunikim.

Megjithatë, të marrësh përsipër të përgjithësosh në art Anglinë, si shoqëri dhe fenomenologji, aq më tepër në gjashtë tapete industriale, është një mission sa i vështirë aq dhe i pamundur. Normalisht një kufi fizik midis klasave nuk ekziston, por edhe nëse mundet, ai është në një lëvizje dhe ridimensionim të vazhdueshëm dhe ekzistenca e këtij kufiri mbetet kusht i komunikimit, në mënyrë paradoksale, por jo tautologjike, pasi vetë kufiri kushtëzohet prej komunikimit.

Intensifikimi i kufinjve (ku nuk përjashtohen ato klasorë), thotë Luhmann, është jo thjesht vija ndarëse e dallimit. Kufiri nuk është vetëm ndarje por edhe komunikim; është e pamundur të përcaktohet qartë nëse kufiri vjen prej sistemit, apo klasës, apo vjen prej mjedisit, dmth, diçkaje përtej saj, që ekziston si tjetër dhe futet në raport me, dhe, nga kjo pikëpamje, Anglia mbetet një kraft estetik, etik, e politik, ende i pazbuluar, që nuk mund të deskriptohet me një apo disa akte artistike, por mund të vetëreduktohet si një procedurë historike e egos apo sistemit të saj. Reduktimi i saj vjen nga atraktimi që e shkakton. Ajo është atraktive prandaj është e detyruar të reduktohet.

Imanenca e konstitucionit grupor apo klasor anglez, sidomos e shoqërisë së saj të lartë, na flet se ende vlerat sociale besohen e jetohen si natyrë dhe jo thjesht si utilitet interesi e konvencioni, çka i jep sens orderit të saj dhe gjatësi latencit (rendit të brendshëm kuptimor), pavarësisht nga optika (edhe kjo-klasore) e autorit.

Perry e stigmatizon rëndë shoqërinë e konsumizmit, nxitimin e saj për akses material dhe mungesën e reflektimit.

Hapjen e kësaj ekspozite e shoqëroi vetë konsulli i Ambasadës së Britanisë së madhe në Tiranë, zoti Duncan Norman. Në fjalën e tij elokuente të hapjes së mbrëmjes, ai e kosideroi këtë ekspozitë si një riprezantim artistik të mobilitetit social të shoqërisë së Anglisë. Ai e prezantoi piktorin si një artist në zë bashkëkohor, të artit vizual anglez, me një gamë të gjerë interesi për publikun Britanik dhe atë të huaj.

Merrte pjesë gjithashtu Ministrja e Kulturës, zonja, Mirela Kumbaro.

Kuratori dhe mediatori i apasionuar i kësaj ekspozite, zoti Rubens Shima, preferoi ta prezantojë veprën e Perryt nëpërmjet një narracioni detatoj, të jetës, ngritjes dhe rënies, së personazhit kryesor, të dizenjuar në tablotë qytetare-mobile të tapicerive murale – heroit fiksional modern- Tim Rakewell. Fundi tragjik i jetës së tij lë vend për aludime të shumëfishta.

Gjashte tablotë që janë një koleksion i British Council, udhëtojnë në galeritë e botës si një analogji artistike e ndryshimit social dhe çmimit individual që paguhet për të; ato janë një thirrje për ndërgjegjësim dhe balancim të jetës përditore të njeriut modern. Skemat e tyre janë marrë prej subjektesh artistike të hershme apo klasike, e janë ritrajtuar me një sens aberrant!

Tablotë kanë udhëtuar edhe në vende të tjera të Ballkanit para se të mbërrijnë në vendin tonë, dhe janë pritur gjithkund me reflektime të ndryshme, çka i jep diversitet jetës së veprës artistike.

Ajo që të bën të mendosh se procesi social e mobil nuk është linear por kompleks e i ndërthurur, është edhe thjeshtësia teknike me të cilën janë realizuar gjashtë tablotë. Ato janë dizenjuar në një copë letër nga autori, pastaj dixhitalizuar, dhe koha e kraftimit të tyre nuk ka marrë më shumë se disa orë për copë, falë teknologjive industriale të botës së komercit. Kështu të kundërtat takohen, antinomojnë dhe neutralizojnë violencën e domethënieve, dhe tragjizmi nuk është më shumë sesa koha e nevojshme e natës për të sjellë agimin.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Legalizohen 6 pallate të braktisura nga investitorët, përfitojnë 450 familje

ALUIZNI ka përfunduar procesin e legalizimeve për 6 pallate të braktisura nga...
Read More