Vapa: Kujdesi për të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe fëmijët

Qindra raste në ditë kërkojnë ndihmë mjekësore, teksa doktor Skënder Brataj apelon për parandalim dhe kujdes të shtuar veçanërisht në këto ditë të ngrohta vere 

Moti i nxehtë dhe temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin, kanë shtuar numrin e personave që kërkojnë ndihmë mjekësore. Vetëm gjatë 10 ditëve të fundit, 181 raste kanë kërkuar ndihmë si shkak i problemeve shëndetësore të ardhur nga moti i nxehtë. Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, doktor Skënder Brataj në një intervistë për “Mapo” apelon për më shumë kujdes gjatë këtyre ditëve të ngrohta veçanërisht personat më të rrezikuar; të moshuarit, fëmijët, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna. Sikurse shpjegon doktor Brataj, rritjet ekstreme të temperaturave mund të rëndojnë gjendjen shëndetësore të tyre dhe nëse ekspozimi në diell vazhdon duke neglizhuar kështu problemet shëndetësore, pasojat mund të jenë deri fatale. Ndaj dhe përballë disa shenjave që fillojnë që nga dobësia e përgjithshme trupore, dhimbje koke, të vjella, marrje e deri te rënie e tensionit arterial, rritje e pulsit (takikardi), ndjenja e të fikëtit të mos neglizhojnë për asnjë moment por të kërkojnë sa më shpejt ndihmën e parë mjekësore. Qoftë kjo edhe përmes një telefonate falas në numrin 112/127, telefonata të cilat priten nga Shërbimi Kombëtar i Urgjencës Mjekësore. Vetëm gjatë tre muajve të fundit, nga data 3 prill-5 korrik janë mbi 38059 telefonata të cilave iu janë dhënë zgjidhje, qoftë përmes këshillimit mjekësor nga telefoni e deri te misione shpëtimi, asistencë me ambulancë mjekësore dhe staf mjekësor, për probleme që nga ato me sëmundjet kronike, traumat, arrestet kardiake, problemet e traktit tretës, endokrin, urogjenital, nervor, respirator, sëmundjet infektive.

Por si funksionon Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore?

Që nga momenti që qytetari kërkon ndihmë mjekësore lokalizohet vendndodhja e tij, merret në dorëzim nga shërbimi publik i urgjencës mjekësore, deri në zgjidhjen e patologjisë me trajtimin e saj në vendngjarje ose transportimin nën asistencën mjekësore në spitalin më të afërt. QKUM do të koordinojë evente madhore si maksi-emergjenca, tërmete, përmbytje dhe fatkeqësi natyrore të çdo lloji. Bën koordinimin e urgjencave ndërspitalore dhe në të ardhmen, me krijimin e mundësisë së transplantit të organeve mund të bëjë koordinimin e tyre në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Bën unifikimin e protokolleve dhe udhëzuesve për të gjithë personelin mjekësor, garanton formimin dhe trajnimin e tij për kurset bazë dhe të avancuar për të gjitha urgjencat mjekësore dhe traumatike.

Si të kërkojmë ndihmë mjekësore?

Telefonata duhet bërë drejt numrit 127 për zonën e Tiranës dhe në rang kombëtar 112, ndërkohë që shumë shpejt ky shërbim do të ofrohet edhe në gjithë Shqipërinë. Në momentin që qytetari merr në telefon, duhet të japë adresën e plotë ku ndodhet i sëmuri (qytet, fshat, rrugë, kryqëzim, pallat, institucion dhe çdo pikë referimi pranë jush). Direkt duhet të japin edhe një numër kontakti (personi që telefonon/shoqëruesi i të sëmurit ose vetë i sëmuri nëse është ai telefonuesi), përshkrimin e gjendjes së pacientit nëse përgjigjet, merr frymë, ka gjakrrjedhje etj). Gjithashtu, përshkruani situata të veçanta: fëmijë i vogël, grua shtatzënë, persona me sëmundje të njohura etj. Jepni të dhënat personale të pacientit nëse i dini (emrin, mbiemrin, moshën). Kujdesuni që numri i kontaktit që na jepni të jetë i disponueshëm për të krijuar mundësinë e komunikimit në çdo kohë me ekipin mjekësor.

Pse dhe si mund të rrezikojnë shëndetin temperaturat e larta?

Efektet anësore të të nxehtit mbi shëndetin shfaqen atëherë kur sistemi i brendshëm i rregullimit të temperaturës nuk arrin të eliminojë sasinë e tepërt të nxehtësisë me qëllim ruajtjen e vlerave normale të temperaturës trupore. Deficitet e kompensimit fillimisht manifestohen me shenja dhe simptoma lehtësisht të korrigjueshme me ndërprerjen e ekspozimit ndaj nxehtësisë. Por, nëse ekspozimi vazhdon, shenjat dhe simptomat e dekompensimit bëhen më serioze dhe njihen si stresi nga nxehti dhe goditja nga i nxehti. Rritjet ekstreme të temperaturave mund të rëndojnë gjendjen e personave me patologji kronike. Rruga kryesore e eliminimit të nxehtësisë është nëpërmjet djersitjes, por në situatë fizike dhe ambientale ekstreme, ky mekanizëm është i pamjaftueshëm. Nëse dhe shkalla e lagështisë së ambientit është e lartë, djersa avullon ngadalë dhe temperatura trupore mund të arrijë vlera mbi 40°C, duke dëmtuar organet vitale të organizmit.

Cilët janë faktorët që përkeqësojnë gjendjen shëndetësore dhe kush janë më të rrezikuarit?

Faktorët janë të shumtë, duke nisur që nga mosha, te fëmijët e vegjël dhe te të moshuarit është i reduktuar; sëmundjet pre–ekzistuese; përdorimi i disa medikamenteve; konsumimi i drogës dhe alkoolit. Më të rrezikuar nga valët e të nxehtit janë: të moshuarit, në veçanti ata që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, hipertensioni, sëmundjet kronike respiratore, sëmundjet e veshkave dhe sëmundjet neurologjike, personat me aftësi të kufizuar, sepse janë të varur nga dikush tjetër për rregullimin e temperaturës dhe ambientit ku jetojnë, fëmijët nga mosha 0-4 vjet dhe gratë shtatzëna, personat që punojnë në ambiente të hapura.

Cilat janë shenjat, si ta kuptojmë që po vuajmë nga i nxehti?

Dobësi e përgjithshme që shoqërohet me dhimbje koke, të vjella, nauze, marrje mendsh që mund të shkojë deri në gjendje ankthi apo edhe humbje të vetëdijes, etje e shtuar, temperatura trupore të larta, ngërçe (krampe) muskulore –të shkaktuara nga dehidratimi, irritim i lëkurës dhe edema (sidomos të këmbëve). Në momentin kur lëngjet trupore bien në një pikë kritike aftësia e trupit për të djersirë ndërpritet, lëkura bëhet e zbehtë e thatë dhe e nxehtë, rënie e tensionit arterial, rritje e pulsit (takikardi), si dhe ndjenja e të fikëtit. Por nëse ekspozimi ndaj të nxehtit vazhdon sjell çrregullime të koshiencës që variojnë nga konfuzioni deri në humbje të plotë të koshiencës; konvulsione; rritje e frekuencës kardiake si dhe dëmtime të rënda cerebrale, dekompensim akut kardiak dhe vdekje.

Çfarë duhet bërë, si mund të jepet ndihma e parë?

Në të gjitha rastet kur vihen re simptomat e një goditjeje nga temperaturat e larta duhet njoftuar menjëherë Shërbimi i Urgjencës Mjekësore në numrin 127. Në pritje të ambulancës vendoseni personin në një vend të freskët dhe me ajrim (të ventiluar), me këmbë të ngritura mbi nivelin e trupit. Tërhiqeni personin në një ambient të freskët dhe të ajrosur. Përdorni një ventilator për të ulur temperaturën. I vendosni kompresa të ftohta, mbulojeni me çarçaf apo peshqirë të lagur në ujë në temperaturë ambienti, dhe nëse nuk kontrollohet rritja e temperaturës përdoret akull, por jo direkt mbi lëkurë. Bëni hidratimin e pacientit duke i dhënë ujë dhe lëngje për të pirë (nëse është koshient). Vendosni pako me akull në nivel aksilar, qafë, ije etj. Nëse është jokoshient (në gjendje të pavetëdijshme), vendoseni në pozicion anësor. Kjo parandalon aspirimin e të vjellave dhe hap rrugët e frymëmarrjes.

Këshilla

-Të evitohet ekspozimi në diell. Sidomos në pikun e temperaturave (nga ora 11:00 deri në 17:00).

-Ambienti në të cilin jetojnë të jetë i freskët dhe i ajrosur mirë, nëpërmjet ajrit të kondicionuar, ventilatorëve ose nebulizatorëve për lagështimin e ajrit. Të vendosen perde të errëta sidomos në dritaret e ekspozuara ndaj rrezatimit diellor. Të vendosen termometra për matjen e temperaturës së ambientit ku shpenzojnë më shumë kohë.

-Të pihen sa më shumë lëngje, kryesisht ujë. Evitoni pijet shumë të ftohta, ato me gaz, me shumë sheqer dhe aditivë të tjerë.

-Të konsumohen vakte ushqimore të shpeshta, në sasi të vogla, të ftohta dhe me përbërës ushqimorë lehtësisht të tretshëm.

-Të vishen me rroba të lehta, me ngjyra të hapura dhe prej pambuku ose linoje me qëllim thyerjen e rrezatimit UV.

-Për personat që përdorin terapi mbajtëse, të mos e ndërpresin apo ndryshojnë atë, pa u konsultuar me mjekun përkatës.

-Rekomandohen dushe të shpeshta me ujë të vakët dhe pa u tharë me peshqir.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Në këto kushte bashkëqeverisja PD-PS është kundër interesit publik

Nga Ervis Iljazaj Vazhdojnë ende spekulimet mbi bashkëqeverisjen e koalicionit të madh...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *