Vasili ‘i hap rrugën’ Kryemadhit, Ruçi: Jo koalicion me LSI-në

Petrit Vasili nuk do jetë më kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pas mbledhjes së kryesisë së LSI, ai ka dhënë dorëheqjen. Në një konferencë të posaçme për shtyp, pas mbledhjes së kryesisë së LSI-së, Vasili tha se tashmë misioni i LSI-së është rilindja e një fryme të re.

“Kryesia vendosi mënyrën e ristrukturimit dhe riorganizimit të LSI në opozitë pasi fronti ku është vendosur është front i gjerë. Për t’i dhënë Shqipërisë një opozitë të vërtetë, as të kapur dhe as të akapruar si deri sot.

Nuk janë përgjegjësi që lidhen vetëm me LSI, po në funksion të drejt për drejtë të qytetarëve shqiptarë. Ndaj në këtë funksion personalisht kam vendosur të paraqesë dorëheqjen si kryetar i LSI dhe ia kam paraqitur këtë propozim kryesisë së LSI dhe kam marrë besimin e saj që të drejtoj grupin parlamentar të LSI që sot është një grup me detyra tërësisht të reja, shumë herë më të mëdha se sa ka pasur në kohën e qeverisjes, pasi fronti parlamentar do të jetë një nga frontet prioritare në opozitë.

Në funksion të këtij dinamizimi të ri të partisë t’i propozojë LSI nga ana ime zonjën Monika Kryemadhi si kandidate për kryetare të LSI, bazuar jo thjesht në pozicionin e zv. kryetares, por në radhë të parë për cilësinë politike të jashtëzakonshme”, tha Vasili.

Ndërkaq, ai ka propozuar për zv.kryetar Luan Ramën dhe Erisa Xhixhon për nënkryetare të LSI, post që mendohet të jetë vakant nga Rama.

Konventa e LSI do të mblidhet të mërkurën e ardhshme për të marrë këto vendime.

LSI është shprehur e kënaqur me rezultatin në zgjedhje, megjithatë ata bënë fushatë për të dalë forcë e parë.

Tashmë LSI do jetë në opozitë.

Ndërsa një nga njerëzit më të fuqishëm në PS, Gramoz Ruçi, tha për GSH se nuk do ketë aleancë me LSI.

“S’ka koalicion me LSI-në. Kemi zhvilluar një fushatë për të vetëqeverisur Shqipërinë dhe nuk kemi pse ta diskutojmë këtë. Diskutimet do të bëhen në kohën e duhur,” tha Ruçi.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Marrëveshja PD-PS ka dhënë efektet pozitive për interesin publik që tani

Nga Ervis Iljazaj Marrëveshja politike midis Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike për...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *