Vazhdon rebusi veror i Kosovës

Debati i hapur gjatë javëve të fundit për një shkëmbim të territoreve mes Kosovës e Serbisë ka marrë një përgjigje të drejtpërdrejtë edhe nga kancelarja gjermane. Angela Merkel duket se nuk është në një mendje me drejtuesit politikë të rajonit. Ajo është shprehur qartë se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, pasi sipas saj nga kjo varet e ardhmja europiane e të gjithë rajonit. E ndërkohë që Thaçi këmbëngul në propozimin e tij, kreu i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e quan atë një ide që më shumë se në paqe të çon drejt luftës.

Merkel: Këtë nuk mund ta bëjmë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të hënën se nuk mund të ketë ndryshime kufijsh në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Bosnjës, Denis Zvizdiç, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në rajon. Zonja Merkel tha se me Zvizdiç kanë rënë dakord për disa çështje. “Ne u pajtuam mbi tri çështje, të cilat janë mbi të gjitha të tjerat: çështja e parë është integriteti territorial i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një gjë e shenjtë dhe këtë duhet ta përsërisim gjithherë, sepse ka gjithmonë përpjekje për të diskutuar mbi kufijtë. Këtë ne nuk mund ta bëjmë. Nga kjo varet edhe ardhmëria europiane e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Dhe Bosnjë e Hercegovina aspirojnë statusin e vendit kandidat për anëtarësim”, tha kancelarja Merkel.

Thaçi konfirmon idenë e tij

Edhe pasi Kancelarja Merkel doli kundër zërave për ndryshim të kufijve, me anë të një postimi në “Facebook” Presidenti i Kosovës Thaçi falënderon liderët dhe qytetarët e Luginës së Preshevës për përkrahjen e tyre rreth idesë për bashkimin me Kosovën. “Edhe njëherë i falënderoj liderët dhe qytetarët e Luginës së Preshevës që po përkrahin arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta për bashkimin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo e drejtë duhet të na bashkojë pa dallime partiake, ideologjike dhe bindjesh tjera, qoftë nga pozita institucionale, e shoqërisë civile apo e opozitës”, ka shkruar Thaçi.

Albin Kurti: Bisedimet për territore janë më afër luftës se sa paqes

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i tha Zërit të Amerikës se synimet për korrigjim kufijsh apo shkëmbim territoresh, janë të gabuara dhe mund të kenë pasoja të dëmshme. Ai tha se debatet e fundit më shumë lidhen me tendencën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të jetë sa më larg Gjykatës së Posaçme. “Synimet për korrigjim territoresh ose shkëmbim territorial janë synime të gabuara, që do të kenë pasoja të dëmshme. Për bindjen time, ajo çfarë po ndodh më shumë ka të bëjë me tendencën e tij që të jetë sa më larg Gjykatës së Posaçme që e ka imponuar vetë se sa që Kosova të jetë më afër shtetndërtimit apo integrimeve europiane”, tha kreu i VV. Kurti, partia e të cilit angazhohet për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, thotë se është kundër idesë që për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë, të falet veriu i Kosovës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Ideologjia” shkatërruese e dashurisë romantike

Nga Fitim Zekthi* Dashuria është parë shpesh si një fuqi e pashmangshme,...
Read More