Vazhdon seria e shkarkimeve: Prokurorja e parë që nuk kalon vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra prokuroren e Apelit në Shkodër, Besa Nikëhasani.

Besa Nikëhasani ishte prokurorja e parë që u thirr në seancë dëgjimore nga Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit

Deri tani Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kaluar në sitë tre gjyqtarë dhe një prokuror, ndërkohë që në pritje janë afro 800 gjyqtarë dhe prokurorë në të gjithë vendin.

Po ashtu janë larguar nga sistemi 16 gjyqtarë e prokurorë.

Me detyrë prokurore në Prokurorinë e Apelit Shkodër, ku një periudhe ka qenë edhe drejtuese si dhe një nga kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Nikëhasani seancën e shkuar u paraqit pa praninë e një avokati.

Edhe për këtë prokurore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ishte mjaftuar vetëm me kontrollin e pasurisë, pa u thelluar në dy komponentët e tjerë të kontrollit profesional apo integritetit.

Relatorja e çështjes, Genta Bungo, tha se nga verifikimet e bëra nga Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Verifikimit të Pasurive (ILDKPI), kishte konstatuar se prokurorja nuk kishte probleme me deklarimin e pasurisë, por kishte qenë një hetim i thelluar i KPK-së që kishte arritur në përfundimin se prokurorja e Shkodrës nuk justifikonte burimin e ligjshëm të dy apartamenteve në Tiranë dhe një në Lezhë, dy garazheve në Tiranë dhe një automjeti luksoz.

Vetë prokurorja tha se pretendimet e Komisionit nuk qëndrojne, pasi ajo nuk ka fshehur asnjë pasuri, ndërsa pasaktësitë në disa deklarime janë bërë për shkak të disa lapsuseve në vite.

Prokurorja u shpreh se dy garazhet i ka deklaruar në 2009, ndërsa shtoi se për makinën ka marrë borxh.

Ajo u shpreh se e bleu fuoristradën, pasi e vjetra iu përplas dy herë, ndërsa shtoi në 2003 i kishin vendosur tritol në makinë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Një grup prej 5 asteroidësh do t’i afrohen sot shumë pranë Tokës

Një grup prej 5 asteroidësh pritet të “rrëqethin” Tokën gjatë kësaj të...
Read More