Veliaj del në tur për të mbrojtur qeverinë: Opozita po bën tradhti kombëtare

Kombinati ishte ndalesa e radhës e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në vijim të turit të dëgjesave publike që në njësitë administrative të kryeqytetit. I shoqëruar nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dhe kryetarja e Partisë Socialiste për Tiranën, Blerina Gjylameti, Veliaj prezantoi disa nga ndërhyrjet që janë parashikuar për Kombinatin, në rrugë, në çerdhe dhe shkolla.

“Më vjen mirë që disa gjëra i kemi prekur që në fillim, si rregullimi i çerdheve dhe kopshteve. Kemi ndërtuar shkollën e re “Betim Muço” dhe kemi në plan të ndërtojmë edhe një tjetër te zona e Astirit. Gjithashtu, ju falenderoj për mirëkuptimin sepse po punojmë te blloku i “Misto Mames”, e po ashtu edhe zona te “Musine Kokalari” po bëjmë bllokun tjetër, të cilat do t’i përfundojmë brenda verës”, deklaroi kryetari Veliaj.

Ai u ndal edhe te çështja e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, të cilat do e afrojnë vendin tonë më pranë familjes europiane. Veliaj kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve për arritjen e këtij qëllimi madhor dhe theksoi se “t’i thuash popullit që unë nuk e dua Evropën meqë qeveris Edi Rama dhe Partia Socialiste, është tradhti kombëtare”.

“Ata janë duke bërë një tradhti kombëtare, duke sharë vendin kudo jashtë. Ju e dini fare mirë se ka forca ekstremiste edhe në Hollandë, në Francë, kurse Anglinë sapo e nxorrën nga Bashkimi Evropian. Shumë prej këtyre deputetëve të huaj, kërkojnë një sebep, t’u vijë një shqiptar i opozitës e t’u japë një arsye që ata të votojnë kundra nesh. Kjo është tradhti kombëtare”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku shprehu bindjen se drejtimin evropian dhe shpejtësinë që duan shqiptarët, e ofron vetëm Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë.

“Një gjë nuk ka dyshim: Vetëm Partia Socialiste e çon Shqipërinë në Evropë. Nuk ka diskutim për këtë. A mundet që të ecim më shpejt? Patjetër, mund të kalojmë nga marshi i katërt në të pestin. A ka mundësi t’i bëjmë gjërat me më shumë cilësi? Patjetër, prandaj jemi këtu sot, të marrim vërejtje konkrete. Drejtimin evropian dhe shpejtësinë që duan shqiptarët, cilësinë e qeverisjes, e ofron vetëm Edi Rama dhe Partia Socialiste”, nënvizoi Veliaj.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Dy milionë besimtarë myslimanë në Mekë

Plot 2 milionë pelegrinë kanë mbërritur në qytetin e shenjtë të Mekës për...
Read More