Veliaj dhe dekoratat globale

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit 

Një shkrim i autores Laura Laker botuar këto ditë në gazetën britanike ‘The Guardian’, tërhoqi vëmendjen time. Ajo që më provokoi habinë nuk ishte përfshirja e një qyteti si Tirana në një shkrim të prestigjozes britanike që po mbush dy shekuj jetë. Ishte fakti se, në pjesët ku flitej për qytetet e Rotterdamit, Vancouverit, Lexingtonit dhe Bogotas autorja transmetonte fjalët e saj, ndërsa në pjesën për Tiranën i referohej apo mbështetej në citime të kryebashkiakut! Sipas interpretimit tim modest, për këtë çudi, autorja merrte përgjegjësi mbi vërtetësinë e informacionit për katër qytetet e tjera, ndërsa për Tiranën këtë barrë ja ngarkonte z. Veliaj. Sidoqoftë, ky shkrim i sotëm nuk është i interesuar për marrdhënien e besimit midis autores, gazetës dhe lexuesve britanike, por për vlerën e punëve të administatës Veliaj. Dhe, si një shembull simbolik shkrimi në ‘The Guardian’, koiçidon në kohën e duhur për të prezantuar grupin e tretë të tyre.

Punët e ‘njeriut që punon’ të tipi të tretë përfshijnë projekte të tilla si: bërjen me pagesë të qeseve plastike për blerje apo parkimit publik; pyllin orbital; shkolla me ushqim; autobusët me bateri, e të tjera si këto, dhe synojnë ‘dekoratat globale’. Ato kanë pak lidhje me gjendjen e Tiranës dhe nevojat prioritare të saj, por synojnë të tërheqin vemëndjen e shtypit perëndimor mbi ‘mrekullinë e transformimit të Tiranës’. Ky fenomen origjinalizon prej keqkuptimit më bazik që kemi toleruar, sipas të cilit Tirana ka të njëjtat probleme me qytet perëndimore dhe në procesin e “modernizimit” të mëtejshëm duhet të ndërmarri projekte zbukuruese! Në kohën kur Tirana nuk është akoma qytet, ne lejojmë që administrata të financojë projekte të ngjashme me ato të qyteteve perëndimore! Mbi këtë keqkuptim, të ndërtuar në vite nga diskursi demagogjik i elitës teknike e politike, z. Veliaj po i mundëson vetes pjeswmarrje në gara globale me temë qytetin.

Vetëm si garues në të tilla evente z. Veliaj mund të shfaqet nëpër gazeta e revista ndërkombëtare, që më pas këto bëma ti përdori për të “argumentuar” se jo vetëm njerëzit e thjeshtë që shastisen nga daljet e tij të përditshme nëpër TV, por edhe të jashtmit mrekullohen nga Tirana urbane nën drejtimin Veliaj. Mirëpo në të tilla gara, ku konkurohet me projekte rivitalizuese e përmirësuese të aspekteve ekzistuese të qytetit (të konsoliduar tashmë) për ta ngritur mirëjetesën urbane në një nivel më të lartë, askush nuk mund të garojë me projektet reale që i duhen Tiranës. Sepse Tirana ka nevojë për ndërhyrje rregulluese të nivelit të mbijetesës, që ta tranzitojnë atë nga një grumbull godinash ku flihet në një qytet ku jetohet. Të tilla synime bazike, qytetet perëndimore ose nuk i kanë ndeshur kurrë për shkak të mënyrës së tyre të zhvillimit, ose i kanë ekuilibruar dekada më parë kur ju janë shfaqur, ose janë duke i trajtuar si element të ribërjes së vazhdueshme të qytetit.

Prandaj ata investohen në realitetet e tyre, sikurse do ishte mirë që edhe ne të ndjekim nevojat dhe mungesat tona. Ëndrat janë të bukura, por jo ato që të nxjerrin lakuriq në diell. Prandaj, përpara se të bëjmë pyllin orbital, duhet të zhvillojmë rrjetin e terreneve të gjelbëruara të zonës së banimit, nga lulishtet e bllokut të banimit te parqet e qytetit. Përpara se të bëjmë shkolla me ushqim, duhet të ndërtojmë institucionet arsimore e kulturore që mungojnë, në përputhje me hireakinë e njësive urbane. Përpara autobusëve me bateri, na duhen autobusë që qytetarët kanë mundësi ti përballojnë, dhe nuk shtypen si sardele. Përpara se të bëjmë bulevarde me korsi për bicikleta, duhet të bëjmë blloqe që lejojnë lëvizjen e sigurt të këmbësoreve e biçiklistëve. Përpara se të ndërtojmë hiper-këmbësoren Skënderbej, duhet të bëjmë sheshe në çdo bllok banimi, ndërsa me paratë e shpërdoruara për të, të ndërtojmë Stadium dhe Teatër Kombëtar pa kulla mbi krye.

Vetëm nëse sot ndërmarrim nga këto projekte, dhe të ngjashme me to, por në harmoni dhe në zbatim të prioriteteve të përcaktuara nga seti i planeve urbane, Tirana ka shanse që pas disa dekadash të ketë problemet që përballojnë sot qytetet perëndimore. Kjo është rruga! Fatkeqësisht e vetmja rrugë racionale për ta kthyer këtë kithtësirë asfalti, betoni, metali, plastike, xhami, në një qytet ku jetohet me dinjitet. Mirëpo, kryebashkiaku jonë duket se nuk e ka qëllim Tiranën urbane! Për të, ajo është thjesht një mjet drejt postit të kryetarit të partisë dhe kryeministrit të vendit. Këto janë qëllimet e tij private, që i synon nga karrigja kryebashkiake dhe i financon me paratë publike. Prandaj ‘Tirana e tij’ është një histori Hirusheje që botohet në gazetat dhe revistat perëndimore. Në të njëjtën kohë, i njëjti qytet, ‘Tirana e publikut’, trashëgon nga e kaluara dhe tranziton nëpër të sotmen drejt të ardhmes, problemet dhe disbalancat e një qyteti të sëmurë!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Jazz & Wine: Eda Zari, në një port për muzikën dhe dashninë

Nga data 7-8 korrik mbahet në Porto Palermo edicioni i dytë i...
Read More