Veliaj dhe servituti ndaj oligarkisë

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit

Lavdisë mediatike, kombëtare e ndërkombëtare, të kryebashkiakut Veliaj duket sikur iu morën këmbët kur opinionistë të ndryshëm i kujtuan, këtij, shkeljen e premtimit për moratorium ndërtimor në Tiranë. Disafishimi i lejeve të dhëna për pallate e kulla në kundërshtim me këtë premtim nuk u përtypën lehtë nga qytetarët e kryeqytetit, pavarësisht se ç’qëndrim mbajti secili për këtë tematikë urbane. Tashmë opinioni i përgjithshëm publik, është gjerësisht i unifikuar në tezën se Shqipëria drejtohet nga një grusht i vogël njerëzish dhe se qeverisja lokale e Tiranës nuk bën përjashtim nga ky realitet. Personalisht ndaj mendimin se vendi, për së pari Kryeqyteti, drejtohet nga një grusht oligarkësh, të cilët nuk janë as vetëm sipërmarrës të pasur dhe as vetëm politikanë të lartë. Prandaj, sot Shqipëria ka biznesmenë që ushtrojnë pushtet real qeverisës pa u votuar nga askush, dhe politikanë që pasurohen pa qenë asnjëherë aktorë në tregjet ekonomike.

Ky është konteksti, ku administratat vendore apo kombëtare vigjilojnë të kënaqin interesat specialë të këtij grushti të vogël njerëzish, dhe ky është kuptimi im në shërbim të këtij shkrimi mbi punët publike të Tiranës, për konceptin ‘oligarki’. Ndërsa, koncepti tjetër që do ta bënte të plotë kornizën formuese të shkrimit është termi ‘servitut’. Ai rrjedh nga shqyerja e togfjalëshit ‘servitut publik’ që emërton një instrument të menaxhimit urban dhe që përkufizohet si një barrë që i vendoset një apo më shumë pronave private në dobi të interesit publik, përgjatë proceseve të zbatimit të planeve urbane të qytetit. I përdorur me përgjegjshmëri të lartë publike, ky instrument i kontrollit të zhvillimit urban mund të ndihmojë shumë administratën vendore në përmirësimin e situatës urbane, por në realitetin e kryeqytetit të drejtuar nga kryebashkiaku Veliaj ‘servituti publik’ degjeneron në ‘servitut ndaj oligarkisë’. Dhe kjo është çështja për të cilën po flasim sot.

Sot po flasim për, sesi një strukturë e korruptuar (e kalbur apo e ndërtuar keq) e ushtrimit të pushtetit qeverisës mund të devijojë një instrument menaxhimi publik, nga në shërbim të së mirës publike, në shërbim të interesave të oligarkisë. Kuptimi praktik i këtij deformimi janë punët publike të tipit të katërt të administratës së sotme të Tiranës, të cilat vlejnë pak, asfare apo dëmtojnë dimensionin urban të qytetit, ndërkohë që kënaqin nevojat dhe interesat speciale të një grushti të vogël njerëzish të privilegjuar. Ky grup investimesh publike, që e kemi emërtuar ‘servituti ndaj oligarkisë’, përfshin: zhvillimin e ‘Bulevardit të Ri’ dhe parkimin nëntokësor në fillim të tij; zhvillimin e ‘Këmbësores Skënderbej’ dhe parkimin nëntokësor poshtë tij; shkatërrimin e ‘Luna Parkut 7 Xhuxhat’ dhe kthimin e saj në një hapësirë të hapur; dhe të tjera projekte si këto, që megjithëse janë financime të parave publike nuk shkojnë në dobi të publikes.

Sepse qytetarëve të Tiranës nuk i duhet një tejshtrirje e re urbane si ajo e ‘Bulevardit të Ri’, por investime për ribërjen e blloqeve ekzistuese të banimit. Mirëpo, ndryshe nga qytetarët e Tiranës, oligarkët e Tiranës kanë nevojë për shtrirjen e re të ‘Bulevardit të Ri’ sepse e kanë më të vështirë dhe iu kushton më shtrenjtë të bëjnë marrëveshje për të ndërtuar pallate, me trashëgimtarët e shumtë të trojeve në shtrirjen ekzistuese të Tiranës së vjetër. Kështu që bëjnë marrëveshje me oligarkët e politikës për troje në pronësi publike apo pronësi private nën presionin e politikës që ‘mund t’i kthejë në lulishte’. Qytetarëve të Tiranës nuk i duhet, gjithashtu as një këmbësore si ajo e ‘Sheshit Skënderbej’ apo një hapësirë e gjelbëruar në vend të ‘7 Xhuxhave’, aq sa i duhen sheshe dhe hapësira të hapura në çdo bllok ekzistues banimi apo aq sa i duhen kënde lojërash për fëmijë, hapësira rekreative, të gjelbra e sportive për çdo grupmoshë në çdo bllok ekzistues banimi.

Mirëpo, ndryshe nga qytetarët e Tiranës, oligarkët e Tiranës kanë nevojë për ‘Këmbësoren e gjelbëruar Skënderbej’ dhe ‘Sheshin e gjelbëruar 7 Xhuxhat’ sepse kullat që po ndërtojnë përreth tyre, mund të realizojnë fitime më të mëdha në shitje apo në përdorim nëse fqinjësojnë me hapësira të hapura, të gjelbra dhe këmbësore. Përdoruesit e privilegjuar të këtyre kullave mund të ndihen të bezdisur nga ndotja vizive apo akustike e përdorimeve të tjera urbane të qytetarëve të zakonshëm, si lëvizja motorike apo aktivitetet e fëmijëve. Ndryshe nga qytetarët e Tiranës, oligarkët e Tiranës kanë nevojë edhe për parkime të mëdha në shërbim të përdoruesve të nesërm të kullave që po ndërtojnë. Sepse këto parkime nëntokësore, jo vetëm i bëjnë kullat e tyre më lehtësisht të aksesueshme dhe më atraktive në tregun imobiliar, por edhe sepse financohen me paratë e qytetarëve që përditë e më shumë po humbin qytetin nga punët e ‘njeriut që punon’.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi Read More