Veliaj falenderon këshilltarët, Kryemadhi e sulmon ashpër

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj falënderoi sot 32 këshilltarët të cilët miratuan dje Buxhetin për vitin 2018.

Gjatë mbledhjes së zhvilluar me 24 administratorët dhe drejtuesit e institucioneve të varësisë për aksionin e nesërm të pastrimit në të gjithë Tiranën, tha se shumica e qytetarëve dhe e anëtarëve të këshillit Bashkiak konfirmuan që nuk duan bllokimin, por që punët të ecin përpara.

“Me buxhetin që kaluam dje, dhe dua të falenderoj të 32 këshilltarët. Unë isha këtu, ishin 32.

Mediat ishin këtu ishin 32. Sekretariati ishte këtu, ishin 32. Firmat u hodhën, ishin 32. Kështu që për ata që nuk ishin këtu dhe që në imagjinatën e tyre do të donin që të mos kishte shumicë për progresin e tyre qytetit.

Më vjen shumë keq që ju zhgënjyen, por mesa duket jo vetëm shumica dërrmuese e qytetit dhe shumica dërrmuese e këshillit do që gjërat të shkojnë para.

Blloko këndin e lojërave pa sukses, blloku sheshin Skënderbej pa sukses. Blloko pazarin e ri pa sukses. Blloku pastrimin e qytetit pa sukses. Njerëzit nuk dua më bllokim.

Janë lodhur dhe janë disa herë më të lodhur nga politika. Kështu që dua të falënderoj të 32 këshilltarët për një votim ekzemplar, dhe një mazhorancë absolute që ne kemi në bashki”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se nëse të tjerët duan që të sfidojnë Bashkinë e Tiranës, të marrin pjesë në aksionin e pastrimin të Tiranës si dhe në mbjelljen e pemëve, duke kontribuar për kryeqytetin dhe jo duke u bërë bllokues.

“Ju them atyre të merren me një punë tjetër. Këtë bashki nuk e bllokojnë dot më dhe punën e këtij qyteti nuk e bllokojnë dot më.

Një nga gjërat që i sfidoj është që nëse i duan qytetin, të vijnë njerëzit për pastrim. As s’do të ishte  bukur që të kishim nesër edhe dy partitë e opozitës për pastrim, të merrnin edhe ata qeset të jepnin edhe ata një model.

Por të bllokosh që unë të punoj dhe që ne të punojmë, kjo nuk është sfidë, është budallallëk dhe është një gjë që ka dalë nga moda. Sfida ime për ata është nëse mund të mbjellin ata më shumë , nëse pastrojnë plehra më shumë se ne. nëse ata mund të sjellin ide shumë më të mira se tonat”, deklaroi Veliaj.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi dje me 32 vota buxhetin e vitit 2018. Ndonëse vetë socialistët në këshill kanë vetëm 25 vota, ata arritën që të sigurojnë 32 vota, 1 më shumë sesa është numri minimal që bën të mundur votimin në këshill.

Dhe përveç 3 këshilltarëve të Partisë për Drejtësi, Integrim, forcë kjo me të cilën socialistët janë në aleancë në nivel vendor, shpëtimtarë të kryebashkiakut Veliaj janë bërë sërish 4 këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët jo vetëm që kanë marrë pjesë në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak, por edhe kanë votuar pro buxhetit.

Në fakt 3 prej këshilltarëve të LSI-së, kanë votuar edhe më parë vendimet e Këshillit Bashkiak ndryshe nga grupi i tyre i këshilltarëve, ndërsa dje  atyre iu është bashkuar edhe një këshilltare e re.

Pas Naim Halilit, Agim Krajës dhe Genta Mezinit, Bora Panajoti është këshilltarja e radhës e LSI, e cila ka vendosur të mbështesë projektet e Bashkisë së Tiranës, duke lënë përkatësinë partiake.

Ndërkohë në emisionin ‘360 gradë’, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi sulmoi Erion Veliajn, duke hedhur akuza ndaj tij.

“Jo këshilltarët, por edhe godinën e LSI-së ta blejë, atë liçencën e taksive elektrike që ia ka dhënë Endri Fugës dhe vëllait të Edi Ramës, që do nxjerrë në rrugë taksixhinjtë në Tiranë që ushqejnë fëmijët e tyre, nuk do ta shpëtojë.

As lejet e ndërtimit dhe as paratë e drogës që futen në ndërtim, as koncesionet dhe ato PPP-të e famshmeve për të ndërtuar shkollat e Tiranës, nuk kanë për ta shpëtuar lali Erin. As lali Erin, as Edi Ramën dhe asnjeri. Këtë e them qartë.

Megjithatë, kemi kohë. Nuk është problemi ynë i madh lali Eri se bleu një këshilltare që është në paradhomën e Aldrin Dalipit (kryetar i këshillit bashkiak), kjo vjen edhe si rezultat i listave të këshilltareve që janë bërë në zgjedhjet lokale, prandaj edhe lidershipi i LSI-së i asaj kohe ka përgjegjësi shumë të madhe”, tha Kryemadhi.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ben Affleck dëshiron për t’u rikthyer me Jennifer Garner, por …

  Dhe pse është në një marrëdhënie me Lindsay Shookus, Ben Affleck...
Read More