Veliaj: Jo diferenca në investime mes qendrës dhe periferisë

veliajKreu i bashkisë inspektoi punimet për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare në fshatin Mihajas, Berzhitë 

Viti i ri shkollor që nis në Shtator do t’i gjejë fëmijët e fshatit Mihajas në Berzhitë me një shkollë të re. Bashkia e Tiranës po përfundon punimet e shkollës së re 9-vjeçare të fshatit, e cila do t’i shërbejë një komuniteti që jeton në një nga zonat më periferike të Tiranës, edhe si një qendër shëndetësore.

Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi sot punimet dhe theksoi se ky është një tjetër investim që tregon se për Bashkinë e Tiranës nuk ka diferenca në investime, pavarësisht nëse bëhet fjalë për qendrën e Tiranës apo zonat më periferike të saj, siç është fshati Mihajas. 

“Këtu jemi në pikën më periferike të Tiranës ku ndahemi me Elbasanin, ama parimi është ky: nëse e ke emrin në Tiranë, duhet të trajtohesh njësoj si gjithë të tjerët dhe nuk duhet të ketë më distancë midis atyre që jetojnë në qendër apo në Unazë dhe atyre që janë në Krrabë, Bërzhitë, Zall-Herr, Zall-Dajt apo Zall Bastar. Kështu, jemi munduar si një familje nikoqire që t’i shpërndajmë investimet”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se ky është një tjetër premtim i mbajtur, ndërsa bëri të ditur se ambientet e shkollës së re janë më të mëdha sesa janë aktualisht nevojat që ka zona, ndaj ato do t’i shërbejnë banorëve edhe si një qendër shëndetësore.

“Jam këtu për të mbajtur fjalën dhe për të thënë se pavarësisht vështirësive financiare në Bashki, kur jep fjalën duhet ta mbash. Shkolla është pak më e madhe se sa nevojat dhe brenda saj kemi vendosur edhe qendrën shëndetësore. Pas orëve të mësimit, ajo mund të përdoret edhe për aktivitete të tjera të komunitetit”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se pavarësisht se bëhet fjalë për një shkollë në një zonë në periferi të Tiranës, për ndërtimin e saj janë respektuar standardet që garantojnë një ambient modern dhe të sigurt.

“Kemi punuar me të njëjtën cilësi si në shumë shkolla të Tiranës”, shtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës. Veliaj u shpreh se përveç shkollës, Bashkia e Tiranës do të vijojë edhe me rrugën, ndërsa theksoi nevojën për të ndërmarë disa nisma që do ta lidhnin më shumë këtë zonë me tregun e Tiranës, çka do të stimulonte prodhimin bujqësor, por edhe do të sillte një rritje të ekonomisë lokale.

“Mendoj se e kemi nisur mbarë me shkollën, për të vijuar më pas me rrugën dhe nëse çdo vit bëjmë nga një punë, i kemi parë edhe dukun këtij bashkimi të madh me Tiranën. Këtu njerëzit janë jashtëzakonisht punëtorë, shoh që çdo pëllëmbë toke është punuar. Atëherë, duhet të kemi një bashkëpunim më të mirë për tregun, si e aksesojmë tregun, t’i lidhim njerëzit me restorante në Tiranë që duan produkte bio”, tha Veliaj.

Duke vlerësuar investimin e Bashkisë së Tiranës për këtë zonë të thellë, deputeti i PS, Xhemal Qefalia u shpreh se projekte të tilla janë mundësuar falë reformës administrativo-territoriale dhe besimit që qytetarët i dhanë kryetarit Veliaj për të udhëhequr punët publike të kryeqytetit.

“Në sajë të reformës administrative, u bë e mundur që këta banorë të ndihen të barabartë si qytetarë të Tiranës. I propozova kryetarit që vërtet kjo është një shkollë ndoshta e madhe për numrin e vogël të banorëve, por kjo shumë mirë mund të shërbejë si një qendër komunitare, ku të rinjtë mund të vijnë të argëtohen pasdite, por mund të shërbejë edhe si qendër shëndetësore”, tha Qefalia.

 

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rusi/ Adoleshenti hedh veten në erë pranë zyrave të FSB-së

    Një shpërthim i regjistruar në një ndërtesë të Shërbimit Informativ...
Read More