Vendimi i BE dhe detyrat e shqiptarëve

Nga Eugjen Merlika

Sesioni i fundit i kryetarëve të Shteteve e Qeverive të BE, iu kushtua krejtësisht çështjes së emigrantëve, problemi i të cilëve doli më i vështiri sot në tryezat e Evropës. Mbas një maratone prej më shumë se 12 orësh, mendjet e trallisura nga pagjumësia të pjesëmarrësve, miratuan një rezolutë që nuk zgjidhi asnjë nga problemet për të cilët ishin mbledhur. Secili prej tyre u mundua të tërhiqte jorganin mbi vete e përfundimi qe një fitore për të gjithë, që panë të shkruar të zezë mbi të bardhë, secili mendimin e tij, por një humbje për Evropën, që bëri një hap të madh mbrapa, duke mos qenë në gjendje të harmonizonte kërkesat që vinin nga anë të ndryshme e që ishin të kundërta me njëra tjetrën.

N’atë tubim ishte planifikuar dhe diskutimi i kërkesave shqiptare e maqedonase për të filluar bisedimet për pranimin në BE. Kjo çështje, që u prit me shumë besim nga qeveritë ballkanase, në atmosferën e ndezur, të mbarsur me ndryshime të theksuara idesh e programesh, nga organizatorët u vendos të shqyrtohej një ditë më parë, në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Bashkimit. Me gjithë vendimin e komisionit dhe përpjekjet e komisarëve të tij për të oksigjenuar opinionet publike dhe klasat politike të Ballkanit perëndimor, duke propaganduar prej kohësh 29 qershorin si datën kur Evropa do të hapte dyert për Shqipërinë dhe Maqedoninë, Këshilli i ministrave të Jashtëm rrëzoi kërkesën, jo haptas, siç kishte bërë për rreth njëzet vite të shkuara, por me një mënyrë të maskuar, duke caktuar si datë atë të një viti më vonë, pra të qershorit 2019.

Do t’i kishim besuar sinqeritetit t’atij vendimi, sikur të mos kishte në majin 2019 zgjedhje të reja për Parlamentin evropian. Ato zgjedhje, me gjasë, ka mundësi që të përmbysin baraspeshat politike të Bashkimit e të venë në diskutim gjithë punën dhjetëravjeçare që është kryer deri tani në dobi të proceseve të integrimit e të zgjerimit të Bashkësisë. Është një hamendje, aspak për t’u përjashtuar, që forcat politike “sovraniste”, të cilat aktualisht qeverisin në pjesën më të madhe të Evropës Lindore, në Austri, Itali, të përkrahura hapur apo fshehur nga SHBA dhe Rusia, të forcohen aq shumë në nivel evropian, sa të vënë në diskutim në një optikë, sa të re aq edhe të vjetër, gjithë politikën e deritashme të Bashkimit, përfshirë këtu edhe zgjerimin e tij në juglindjen e kontinentit.

Nëse Bashkimi i tanishëm nuk është në gjendje të gjejë gjuhën e përbashkët për tri apo katër anije me mërgimtarë nga Vendet me probleme të njohura për të gjithë, si pasojë e një mendësie që gjen gjithnjë e më shumë ithtarë, sipas së cilës mërgimtarët sjellin pasiguri, varfëri, vënë në rrezik “sovranitetin”, kulturën kombëtare etj., si do të gjykojnë mbas një viti drejtuesit e forcave populiste, që mund të kenë një fuqi zgjedhore të mjaftueshme për t’i vënë vulën çdo vendimi të Bashkësisë?

Përgjigjja që mori Shqipëria, për mendimin tim modest, nuk është aspak inkurajuese, pavarësisht fjalëve të bukura që mund të vazhdojnë të thonë autoritetet e Komisionit për mediat apo politikanët tanë. Këta të fundit, nëpërmjet gojëve të kryeministrit apo ministrit të Jashtëm, e kanë gjetur përgjigjen nga Evropa “shumë të mirë”, edhe se nuk mungojnë të shprehin idenë se “duhet një punë shumë e madhe nga ana e jonë”. Deri para 29 qershorit ata kishin një besim të tepruar në faktin se vendimi do t’ishte pozitiv, mbasi “i kishin bërë të gjitha detyrat e shtëpisë” e se tani Bashkimi e kishte për detyrë të hapte dritën jeshile. Duke anashkaluar problemet që Opozita e PD kishte kohë që i kishte vënë mbi tryezë, qeveritarët ndoshta fjetën mbi dafina, aq sa ndonjëherë nuk munguan “të frikësojnë” Brukselin se mund të ketë në horizont të tjera alternativa për Ballkanin dhe shqiptarët, paçka se ato ishin kthime prapa në kohë tepër të hidhura për Shqipërinë. Sigurisht, qeveritarët e Evropës që i njohin mirë problemet tona prej më shumë se një shekulli e gjysmë, kanë vënë buzën në gaz me ironi, mbas ndonjë daljeje “të fortë” të kryeministrit tonë, por nuk reshtin së vëni kushte, të cilët ne nuk i plotësojmë, madje edhe nuk i pranojmë në vetëdijen dhe qëndrimin tonë.

Ndër ata kushte, që përsëriten prej shumë vitesh, bëhet fjalë për “…. forcimin e procesit të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe në nivel të lartë…”.

            Nuk ka asgjë të re, janë po ato kërkesa e padi që i dëgjojmë në çdo fushatë zgjedhore në gojën e opozitave që synojnë të marrin pushtetin. Me marrjen e tij, të gjitha paditë shkrihen si kripa n’ujë dhe administrata e re paraqitet si model virtuozizmi dhe aftësie sendërtuese, madje dhe atëherë kur paditë marrin përmasa të përbindshme si ato që i janë bërë ministrave të Brendshëm të dy qeverive të fundit. Ka më shumë se një të katërt shekulli që flitet për luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Përfundimet e kësaj “lufte”, me përjashtime shumë të rralla janë pothuajse zero. Shkohet përpara gjithnjë me padi të ndërsjella të një ngjyre politike kundrejt tjetrës, por dukuritë jo vetëm nuk pakësohen por njohin rritje, duke kllaposur shtresa të gjëra të shoqërisë.

Vitet e fundit, si pasojë e një strategjie të vënë në zbatim me porosi të “dhomave të sustave” të pushtetit, apo të paaftësisë së plotë për të kontrolluar kursin e ngjarjeve, Shqipërinë e ka mbuluar droga. E zgjedhur kjo si mënyra më e mirë për të siguruar fitime shumë të mëdha, duke shkërbyer modele të njohura të botës bashkëkohore, gjeti një zhvillim shumë të fuqishëm, i pamundur të arrihet nëse nuk ka bashkëpunim institucional. Por deri tani nuk ka asnjë proces gjyqësor që të vërtetojë dhe të nxjerrë në pah përgjegjësitë e mundshme të “peshqve të mëdhenj”. Madje edhe Drejtësia e “reformuar” në figurat e zonjave të Prokurorisë së Përgjithshme, deri tani, mbas disa muajsh pune të heshtur, nuk ka dhënë asnjë shenjë ndryshimi.

Ka një gjykatëse në Bukuresht, një gjykatëse kundër korrupsionit që, në pesë vjet, ka hetuar 1200 funksionarë publikë dhe ka arrestuar më shumë se njëmijë. Kjo gjë përbën tashmë një problem politik në njërin nga vendet më të korruptuar të Evropës..”,  shkruante pak ditë më parë e përditshmja më e madhe italiane “Corriere della Sera”. E solla këtë fragment për të bërë një krahasim mes asaj që bën Drejtësia në një tjetër Vend të korruptuar si Rumania, për të kuptuar se sa larg jemi ne nga synimi i të luftuarit të korrupsionit. “Ndërmjet arrestimesh e hetimesh kanë rënë në hall 14 ministra, 39 zëvendësministra, 14 senatorë, një eurodeputet.” Jo më kot titulli i shkrimit ishte “Gjykatësja rumune kundër korrupsionit që bën të dridhen pallatet e pushtetit”.

Ne sot krenohemi me vettingun, madje jemi shumë “ballëlartë” se kemi kaluar në sitë disa gjyqtarë që janë tunduar për të marrë ryshfet, për t’u pasuruar më shumë se sa u lejonte fitimi i ligjshëm, duke tjetërsuar vendimet gjyqësore në dëm të dikujt a të një pale njerëzish. Shumë mirë. Por ritmet e procesit janë tepër të ngadalshme, edhe duke mbajtur parasysh vështirësitë e praktikës. Uroj që përfundimi i atij procesi të jetë krijimi i një organizmi të Drejtësisë së pavarur, të aftë që të hetojë shpërdorimet shumë më të mëdha të politikës apo biznesit. Me këtë nuk kërkohet n’asnjë mënyrë Shteti policor, në të cilin Drejtësia të jetë një mashë e pushtetit politik, por Shteti i së Drejtës, në të cilin qytetari të jetë i garantuar në të drejtat e liritë e tij themelore, në të cilin mirëqenia e secilit të jetë fryt i aftësive dhe punës së ndershme dhe jo i paligjshmërisë së mbrojtur nga ligji. Atëherë mund të themi se kemi plotësuar një pjesë të detyrave tona, jo kundrejt Evropës dhe institucioneve të saj, por kundrejt vetes sonë e qenies si një popull i një Shteti demokratik.

Pjesa tjetër është e lidhur me politikat ekonomike që, në 27 vjet, nuk kanë përmirësuar në masën e duhur nivelin e përgjithshëm të jetesës së popullsisë. Në këtë drejtim, në vend të një politike që do të duhej të kishte vlerësuar mundësitë potenciale të Vendit, kryesisht në nëntokë, energjetikë, bujqësi e blegtori, nëpërmjet koncesioneve të dobishme e të ndershme, është parapëlqyer rritja e taksave tej masës së përballueshme nga mundësitë reale të popullsisë. Taksat mbi rrugët, kur karburanti, në tregtimin e tij, sjell një fitim prej 110 lekësh për çdo litër, është krejtësisht e paligjëruar, madje mund të quhet një grabitje e hapur. Vlen të vihet në dukje në këtë rast se popuj me një nivel jetese shumë herë më të lartë se i yni, për rrugë në standardet më të larta të mundshme, nuk paguajnë asnjë taksë. Të tillë janë shtete si Gjermania, Holanda, Belgjika dhe Spanja. Austria parashikon një abonim vjetor prej 87.30 euro, Zvicra prej 35.60 euro, kurse tarifat më të larta i ka Italia, të cilat megjithatë nuk arrijnë vlerën e tarifës së Rrugës së Kombit.

Këshilli vëren se dialogu i qëndrueshëm dhe konstruktiv midis Qeverisë dhe Opozitës, mbi reformat e lidhura me BE, mbetet thelbësor për të avancuar në agjendën e reformës, në dobi të qytetarëve dhe për të afruar Vendin më pranë BE-së”. Përfundon dokumenti i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian. Siç shihet detyrat janë edhe tepër të dukshme e të vështira, mbasi në të vërtetë dialogu i uruar është ai që zhvillohet mes shurdhësh. Kundërvënia e jashtme pozitë–opozitë, që nuk mban parasysh as më të paktën kërkesë të kodit etik të politikës, që e ka kthyer atë në një harbutëri ordinere të neveritshme, mbetet një tjetër pengesë për të shkuar përpara.

Diskutohet me muaj për një ministër të Brendshëm, mobilizohen dhjetar-mijëra vetë për të dalë në sheshe e për të kërkuar dorëheqjen e tij dhe ministri qëndron ende në zyrën e tij. Edhe sikur të jetë krejtësisht i pastër e i ndërgjegjshëm, madje dhe shumë i aftë në punën e tij, episodi i vëllait, të dënuar për trafik e shpërndarje droge në formë të prerë e të mbajtur nën sqetull në Shqipëri për të mos e kryer atë dënim, është në vetvete motiv i mjaftueshëm për të mos qëndruar në sferat e larta të politikës. Politika, për të mos qenë e praktikuar n’ata nivele, nuk ka nevojë për vendime gjyqësore, mjaftojnë edhe nenet e kodit moral për të qenë vendimtarë. Mos të harrojmë se ka patur ministra të Evropës që kanë dhënë dorëheqjen sepse dikush ka zbuluar mbas shumë vitesh se në tezën e diplomës kishte diçka të kopjuar, apo se ka mbajtur në të zezë për pak kohë shërbëtoren e të tjera raste të këtyre llojeve. Ky duhet të jetë morali i politikanit që duhet të japë shembull, sigurisht jo si ai i z. Xhafa me vëllanë e tij.

Ishin këto disa nga përsiatjet e kaluara në mëndje kur mora lajmin e shtyrjes për një vit të fillimit të bisedimeve me BE. Sigurisht nuk është një tragjedi kombëtare, nëse mbas një viti nuk do të ketë më zvarritje të tjera. Është një pjesë tjetër e së përpjetës së rrugës sonë drejt Evropës. Si e tillë kërkon mund e punë, por mbi të gjitha një proces të thellë vetëdijesimi për atë që jemi e për botën që na rrethon e synimet tona në lidhje me të. Duke mos humbur besimin tek Evropa dhe projekti i saj i pakthyeshëm, duke e quajtur atë si të vetmen mundësi të Shqipërisë për të shkuar përpara në rrugën e saj historike në botën e sotme. Sirenat e kundërta me këtë bindje, lavdi Zotit, deri tani nuk kanë jehonë te ne.

Edhe BE si bashkësi njerëzore, nuk është e imunizuar nga mangësitë e të metat, por nuk duhet të harrojmë se ajo i siguroi kontinentit për afër tre të katërta të shekullit, paqe, liri, mirëqenie, kufij të hapur, qiej të hapur…. Prandaj e ardhmja jonë është e lidhur me të, prandaj ne nuk duhet të lodhemi kurrë së punuari për ta sendërtuar atë synim, cilat do qofshin pengesat nga vetë ne e nga të tjerët.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Java e provës për mazhorancën: Do ta pengojë apo do ta mbështesë Reformën në Drejtësi?

Nga Ervis Iljazaj Çështja e ish-ministrit Tahiri ka tronditur mazhorancën politike në...
Read More