Vendimi për bojkot, debat i ashpër brenda PD-së

lulzim-bashaJozefina Topalli, Majlinda Bregu dhe Eduard Selami, kritikë ndaj vendimit të Bashës për të bojkotuar kuvendin e mandej zgjedhjet. Reagon Ristani, Salianji, Pollo dhe Hajdarmataj  

Nga Nevila Perndoj

TIRANË Ata nuk janë deputetë rastësorë e as rishtarë në PD.  Jozefina Topalli, një figurë emblemë, Majlinda Bregu me kontribut për më shumë se një dekadë e së fundmi, Eduard Selami, ish-kryetar i partisë. Të tre ata në forma të ndryshme dje, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj vendimit të Lulzim Bashës për të bojkotuar Kuvendin e mandej zgjedhjet. Reagimi i tyre mori kundërshti nga sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji dhe deputetët Genc Pollo e Mimoza Hajdarmataj.

Zërat kundër

Ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli është shprehur se ka kërkuar mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së për të diskutuar pjesëmarrjen në zgjedhje dhe kostot e bojkotit. “Kam kërkuar prej disa javësh mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së për të diskutuar se çfarë do të bëhet me pjesëmarrjen në zgjedhje, si dhe për t’u njohur me kostot e bojkotit që lidershipi i PD-së ka vendosur në raport me zgjedhjet”, -tha Topalli për Balkanweb. Prej kohësh, Topalli nuk merr pjesë as në mbledhjet formale të grupit parlamentar demokrat që mbahet çdo të enjte Live nga çadra e ngritur para kryeministrisë.

Reagimi i Topallit erdhi pas qëndrimit publik të deputetes demokrate, Majlinda Bregu. “U bë qëkur s’mbahet mend që grupi parlamentar i PD-së nuk mblidhet për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar nga kryetari i partisë. Zgjedhja për të bojkotuar parlamentin u bë pa i lënë kohë një debati real…”, – shkruan Bregu, e cila sqaron ndër radhë se ajo e ka përkrahur “çadrën dhe protestën civile të qytetarëve si formën më demokratike për të kthyer vëmendjen te çështja e zgjedhjeve të lira e të ndershme”.

Por deputetja demokrate evidenton se vendimi për të mos u futur në zgjedhje u mor pa lejuar asnjë debat real. Dhe jo vetëm. “Edhe vendimi për ta refuzuar paketën e kompromisit që propozuan miqtë tanë të Partive Popullore Evropiane, u mor pa u konsultuar me askënd…”, – shkruan ajo.

Bregu lë të kuptojë ndër radhë se në PD ka pasur disa të “fajshëm” që kanë shpresuar në një divorc mes Ramës dhe Metës.

“…Shpresa e madhe e disa të fajshmëve se martesa e interesit të Edi Ramës me Ilir Metën do përfundonte me divorc dhe nga divorci do rrëzohej qeveria, u tret si flluskë sapuni…”, – shkruan ajo. Bregu kujton se PD-ja ka lindur si parti me vokacion perëndimor dhe se ajo nuk iu largua zgjedhjeve as në 1997. “Kam heshtur këto kohë publikisht dhe jam përpjekur me mish e me shpirt ta ndihmoj PD-në dhe Lulzim Bashën duke u përpjekur t’i bind miqtë tanë të PPE të na vijnë sërish në ndihmë. Por sot nuk mund të hesht më sepse edhe vetë ata që kurrë s’na kanë lënë vetëm më parë, që nga Presidenti Daul e deri tek i fundit në PPE, më përsërisin prej disa ditësh: ‘Na vjen

keq po me sa duket nuk ju ndihmojmë dot më, sepse ju nuk doni të ndihmoni veten!’.

Ata duan që PD të hyjë në zgjedhje! Ata duan që ne të jemi në parlament! Ata duan që të kthehemi menjëherë në Kuvend dhe të votojmë të gjitha ato që duhen për zgjedhjet e për Reformën në Drejtësi! Dhe unë jam e bindur që Shqipëria bëhet më europiane me zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo me rrëmujë të cilën s’na e ka borxh asnjë qytetar i këtij vendi…”, – shkruan Bregu.

Më i ashpër ishte deputeti tjetër Eduard Selami. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Selami tha se Partia Demokratike është në krizën më të thellë në pothuajse 30 vjet të ekzistencës së saj. Duke vënë në dukje mosmbledhjen e strukturave, kryesisht Këshillit Kombëtar, Selami theksoi ndër të tjera se mospjesëmarrja e PD-së në zgjedhje do të ishte një gabim i rëndë. Ai evidentoi në intervistën e tij se Basha përdori “një retorikë të paprecedent për të bllokuar dhe mos marrë pjesë në zgjedhje, e cila është mjaft e dëmshme për Shqipërinë, për Partinë Demokratike dhe për çështjen shqiptare”.

“…I bëj thirrje zotit Basha që të tërhiqet nga ky vendim jashtëzakonisht i dëmshëm, për PD, për Shqipërinë, për çështjen kombëtare dhe për paqen e stabilitetin rajonal. Demokratët duhet të përfaqësohen. Demokratët e vërtetë mezi presin që të rrëzojnë këtë keqqeverisje masive në këtë katërvjeçar…”, -tha ai.

Ndaj Selamit nuk vonuan reagimet. Deputeti Genc Pollo ironizoi indirekt në Facebook.

“Po ky gjallë qenka? Kisha kohë të gjatë pa parë e dëgjuar! Apo mos më gënjejnë shqisat? Dhe është vetëm një zombie digjital?…”, – shkruan ai.

Një reagim ka patur edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani. “Këto janë kërcitjet e fundit. Me sa duket shtrëngata po mbaron dhe kohë e bukur do agojë…”, – shkruan ai në Facebook

Deputetja Mimoza Hajdarmataj që nuk i ka munguar asnjë ditë çadrës shkruan në faqen e saj në Facebook se “çadra është vendi i rezistencës dhe i qëndrestarëve të vërtetë”. “Rrofshin demokratët në shpirt e në vlera, me apo pa kartë anëtarësie, që e duan këtë vend dhe nuk kanë vetëm interesa e ambicie për pushtet. Republika e Re iu përket atyre dhe bëhet vetëm me ta…”, – shkruan ajo.

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Posti që të “djeg”: 23 ministra të brendshëm në 25 vjet

Shkarkimi i Saimir Tahirit, që njihet si ministri i rendit më jetëgjatë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.