Vendimi politik, dhe aspak teknik i Bashkimit Europian për negociatat

Nga Ervis Iljazaj

Vendimi i Bashkimit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë, siç pritej, ka hapur debate të mëdha në politikën shqiptare. Mazhoranca e quan sukses këtë vendim, duke e konsideruar dritën jeshile për vitin e ardhshëm një lajm të mirë dhe një siguri për hapjen e negociatave. Ndërsa opozita e konsideron një dështim këtë shtyrje për hapjen e negociatave.

Në fakt, vendimi i BE-së për Shqipërinë ka hapur kaq shumë diskutime, për faktin se ishte një vendim politik dhe jo teknik. Nuk kishte qartësi, me një po apo jo të qartë. Nuk ishte një vendim i prerë ku të thuhej se Shqipëria ka plotësuar kushtet e duhura apo jo. Por, si gjithmonë në mënyrë diplomatike, BE ka ndërmarrë një vendim të ndërmjetëm. Kështu që, negociatat me Shqipërinë as janë hapur plotësisht dhe as janë mbyllur plotësisht.

Dhe kjo është më se e qartë. Negociatat nuk janë hapur, sepse nëse Shqipëria sot që po flasim, do të kishte zbatuar Reformën në Drejtësi, do të kishte korrur sukses në luftën kundër korrupsionit, apo do të kishte plotësuar të gjitha standardet e duhura, nuk do të ishte nevoja për një periudhë parapërgatitore njëvjeçare. Prandaj, gjatë gjithë këtij viti Shqipëria është në një provë për të realizuar më tej kushtet që janë vendosur. Dhe, kush thotë që nuk ka kushte, gënjen haptazi për arsye politike. Kushte ka, dhe çfarë kushtesh!

Deri vitin tjetër, Shqipëria ka për detyrë, nëse kërkon që të hyjë në fuqi hapja e negociatave, të vazhdojë të zbatojë Reformën në Drejtësi, të bëjë reformën zgjedhore dhe të luftojë krimin e organizuar.

Nga ana tjetër, vendimi nuk është plotësisht negativ për Shqipërinë. Pra, si të thuash nuk është një ngelje në klasë. Sepse nëse do të ishte kështu, atëherë, Bashkimi Europian nuk do të vendoste një datë për hapjen e negociatave. Në këtë kuptim, vendimi për Shqipërinë, mund të ishte edhe më keq. Qeveria shqiptare, me këtë vendim shpëtoi fytyrën e saj në një farë kuptimi. Ëndrra europiane vazhdon, nuk na i ndërprenë, por që duhet të presim edhe një vit. E në fakt, nuk është hera e parë që presim.

Për këtë arsye, vendimi i Bashkimit Europian, për Shqipërinë dhe Maqedoninë, duket si një gjetje politike për të shpëtuar vetë Bashkimin Europian dhe zgjerimin e mëtejshëm të tij, por edhe vendet kandidate.

Në këtë mënyrë, vendet e BE-së, kanë qetësuar gjakrat e vendeve dhe shoqërive euroskeptike të Europës, duke bërë një politikë të kujdesshme kundrejt zgjerimit. Sepse, nuk duhet të harrojmë kontekstin europian të momentit kur është marrë ky vendim. Kriza e emigracionit dhe fryma euroskeptike, po vë në diskutim shumë nga qeveritë e Bashkimit Europian, duke filluar nga ajo e Gjermanisë e para. Kështu që, një po e qartë në këtë moment për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të ishte me kosto elektorale.

Por, nga ana tjetër, nuk ka bllokuar plotësisht këtë proces, duke i dhënë një mundësi tjetër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për vitin tjetër.

Kështu që, ky vendim, sado i diskutueshëm të jetë për politikën shqiptare, është ndoshta vendimi më i mirë që mund të merrte BE. Prandaj, debatet që kanë filluar këtu te ne, janë thjesht debate që duan të shohin vendimin bardhezi. Një këndvështrim absurd, pasi vendimi i BE nuk ishte aspak i tillë, por ishte një vendim me ngjyra. Sepse, vendimet diplomatike janë gjithmonë të tilla.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Bujar Nishani në UET: Shpeshherë e keqkuptojmë demokracinë

Në kuadrin e javës së hapur në Universitetin Europian të Tiranës, një...
Read More