Vendimi politikisht korrekt i Shqipërisë për statusin e Jeruzalemit

Nga Ervis Iljazaj

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka votuar pro një rezolutë, duke i bërë thirrje SHBA-ve të tërheqin njohjen e Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit. Rezoluta jodetyruese u miratua nga 128 shtete, me 35 abstenime dhe 9 të tjerë që votuan kundër. Shqipëria ishte një nga vendet që votoi pro kësaj rezolute, pra kundër vendimit të Presidentit të SHBA, Donald Trump.

Sigurisht që vota e Shqipërisë nuk ishte një votë e lehtë për t’u menaxhuar, pasi vendi ynë ndodhej në mes të dy aleatëve të saj, Bashkimit Europian dhe SHBA. E megjithatë vota pro e Shqipërisë përkrah pothuajse të gjithave vendeve Europiane, dhe vendimit zyrtar të BE, që është tashmë i qartë, kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet, është një vendim politikisht korrekt.

Vota e Shqipërisë kundër SHBA është një votë e cila është e njëjta me pjesën dërrmuese të bashkësisë ndërkombëtare, sepse shpallja e Jeruzalemit kryeqytet i Izraelit, është një vendim që nuk është ndërmarrë as nga shumë paraardhës të Donald Trump.

Presidenti amerikan mori një vendim i nxitur nga presioni popullor i brendshëm, duke qenë se ky vendim ka qenë një nga premtimet që ai ka bërë gjatë fushatës elektorale, dhe populizmi i Trump, tashmë është i njohur nga të gjithë. Mirëpo, në të njëjtën kohë ky vendim ishte më shumë se sa i nxituar për kontekstin ndërkombëtar, dhe efektet e para i dha që në ditët ë para të deklaratës së Donald Trump. Efekte të cilat kanë sjellë protesta dhe kanë acaruar marrëdhëniet në atë rajon, që ka dekada që është një minë me sahat.

Pa hyrë në detaje të këtij vendimi amerikan, ajo që duhet të na interesojë në të gjithë këtë histori, është fakti se një votë e tillë e Shqipërisë ndikon në marrëdhëniet me Amerikën ose jo.

Menjëherë sapo doli qëndrimi i Shqipërisë, nuk u ngurua të hidheshin teza që ky është një gabim fatal, i cili do të ketë kosto për ne. Madje, ka nga ata që mendojnë që Edi Rama zgjodhi Erdoganin në vend të Trumpit.

Pa dyshim, që këtë pozicion të sikletshëm, do të ishte mirë ta kishim shmangur. Mirëpo vendimet politike, sidomos në arenën ndërkombëtare, duhen marrë me llogaritë kosto-përfitim. Në këtë kuptim, Shqipëria kurrsesi nuk mund të dilte kundër BE.

Prandaj, të gjitha shqetësimet për prishjen e marrëdhënieve me Amerikën, janë shqetësime pa bazë. Kam përshtypjen se dhe vetë SHBA, e mirëkupton qëndrimin e Shqipërisë.

Shtete e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë aleatët e Shqipërisë, dhe kjo marrëdhënie nuk ndikohet aspak nga një votë e tillë, pasi marrëdhëniet diplomatike nuk ndërtohen me një vendim, sado i rëndësishëm të jetë ai. Nëse do të funksiononte kështu, atëherë SHBA do të rishikonte marrëdhëniet diplomatike me të gjitha shtetet e Europës pothuajse, gjë e cila është e pamundur të ndodhë.

Kështu që, të gjitha debatet e hapura në Shqipëri për këtë votë, sidomos nga politika, bëhen jo të bazuara në logjikën e ftohtë, por për të fituar politikisht, duke u munduar të krijojnë armiq imagjinarë apo diversione me qëndrimet kundër Amerikës.

E vënë në këto kushte, Shqipëria votën e saj e ka patur të përcaktuar, dhe askush nuk duhet të mendojë se kishte opsion të ndryshëm. Do të ishte interesante të shihje se cila nga palët politike shqiptare do të votonte kundër qëndrimit zyrtar të BE?!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Të ardhurat për frymë, Shqipëria 4 vjet në vendnumëro

Shqipëria jo vetëm është larg, por ka performuar më keq se vendet...
Read More