Vera Bekteshi: 10 librat që zgjedh nga letërsia shqipe

Mjedisi plot ankth familjar e shoqëror që rrethon jetën e shkrimtarit (Ismail Kadare) e të familjes së tij vjen si një tablo e paharrueshme në librin me kujtime “Kohë e pamjaftueshme” e Helena Kadaresë. Puna si e një shkencëtari që ajo paraqet duke laboratorin e ngjizjes së kryeveprave të letërsisë shqipe, është padyshim një nga librat që nuk duhen humbur pa lexuar në historinë tonë letrare. Një rrëfim i hapur i një gruaje që ka një raport të saj me shkrimin, rrëfimi i Helena Kadaresë merr një tjetër përmasë historike teksa e lexon. Vera Bekteshi shkrimtare vjen më poshtë me listën e 10 librave që ajo u sugjeron lexuesve të MapoLetrare, si librat që s’duhen humbur pa lexuar nga letërsia shqipe.

1-Ismail Kadare “Breznitë e Hankonatëve”

Kur shumë vite më vonë fillova të lexoj “100 vjet vetmi” të Gabriel Garsia Markez, mu duk se e njihja këtë lloj letërsie, prej leximit të Hankonatëve. Kur u botua për herë të parë “Breznitë e Hankonatëve” në vitin 1977, bënte pjesë në një përmbledhje me tregime e novela nën titullin e përbashkët “Emblema e dikurshme”, që numëronte shtatëmbëdhjetë shkrime. Njëri prej tyre, në trajtë reportazhi, që synonte të jepte “historinë a kronikën e një uzine”, e quante këtë një punë tepër të vështirë, po të krahasohej me kronikën e një lufte. Nëntitulli i parë i reportazhit ishte “Bërthamë për një libër”. Madje, duke e shtrirë më tej, përfundonte te mendimi se: “Çdo shkrim duhet konsideruar si bërthama e një libri të ardhshëm, dhe çdo libër si bërthama e librave të tjerë”. Për t’iu përmbajtur këtij detyrimi, që për shkrimtarin do të thoshte premtim për krijimtarinë e tij, kur u botua për së dyti përmbledhja “Emblema e dikurshme” në vitin 1981 kishte gjashtë shkrime më pak. Prej tyre tashmë kishte dalë një libër i ardhshëm, “Ura me tri harqe”, dhe ishte shtuar një novelë e re, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Titulli i kësaj novele, që më pas gjithashtu do të bëhej roman, kishte dalë që te “Breznitë e Hankonatëve” edhe turqisht si Tabir Saraj, edhe shqip si “Pallati i Ëndrrave”. Tani, pas pothuaj një çerekshekulli nga radha e parë, “Breznitë e Hankonatëve” po botohet edhe një herë tjetër, si libër më vete.

2-Aurel Plasari “Skënderbeu”

Libri më i mirë studimor i shkruar për Skënderbeun. Skënderbeu ishte jo vetëm një nga ushtarakët më të shquar të shek. XV. Ai ishte gjithashtu një realist politik. Historiani që studion burimet dokumentare lidhur me karrierën e tij gjen dëshmi të pareshtura të qartësisë së vizionit të Skënderbeut.

3-Helena Kadare “Kohë e pamjaftueshme”

Mjedisi plot ankth familjar e shoqëror që rrethon jetën e shkrimtarit e të familjes së tij vjen si një tablo e paharrueshme në këtë libër. Puna si e një shkencëtari që ajo paraqet duke laboratorin e ngjizjes së veprave të tij, të mrekullueshme e bën këtë libër të lexohet plot ëndje. Në këtë rrëfim të mbushur plot ngjarje që dalin dhe e kapërcejnë të zakonshmen e një jete të përbashkët, shpaloset aktualiteti i një gjysmë shekulli që ka parë apogjeun, dhe më pas, agoninë dhe fundin e regjimeve komuniste në Evropën Lindore.

Në rrethin e miqësive, takimeve, të fshehtave të përbashkëta, ky çift gjen energji dhe kurajë që të mposhtë ankthin që diktatura ushtroi mbi banorët e vendit më të mbyllur dhe më misterioz në Europë. Përtej episodeve shumë të pasura dhe të një humori, që jep përvojën e tragjedisë, këto kujtime dëshmojnë drejtpërsëdrejt mbi kompleksin e “punës së laboratorit”, në të cilën është përpunuar vepra e Ismail Kadaresë, si dhe mbi strategjitë e përdorura për të bërë që të dështojë censura, ose për të çuar e strehuar në Francë tekstet më të rrezikshme.

4-Fatos Kongoli “Jetë qeni”

Kongoli ta fut në gjak zymtësinë e diktaturës, duke përccuar helmin e saj tek lexuesi. Një libër i jashtëzakonshëm, ku autori arrin nivelin më të lartë të prozës së tij.

Një histori dashurie e rishfaqur në tri breza, një takim plot pikëpyetje e të panjohura me mijëvjeçarin e ri, një përpjekje për t’u çliruar nga dhembjet e së kaluarës. Po a është e mundur të shpëtojmë nga ankthi i hijeve tona? Në këtë libër haluçinant, ku fytyra e shëmtuar e botës vetëm rrallë lejon të shihet ana tjetër e medaljes me fytyrën e bukur të saj, Kongoli futet në skutat më të fshehta të qenies. Dhe e vetmja shpresë shpëtimi për individin mbetet dashuria njerëzore. “

5-Bashkim Shehu “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve

Për mënyrën e vështirë por moderne të të shkruarit. Për kontributin e dhënë për njohjen e ligësisë së diktaturës e qëndresën ndaj saj. Në këtë libër, të shkruar në formë fjalori, lexuesit i paraqitet një galeri personazhesh e situatash: një ish-punonjës i çmendur i Arkivit sekret, një gazetar investigativ, një sozi i Enver Hoxhës dhe Pasardhësi i Enver Hoxhës, një projekti për ndërtimin e Bllokut të nëndheshëm, një biznesmen i çuditshëm nga Moska që vjen në Shqipëri për të kërkuar një baba të panjohur.

6-Rudolf Marku ”Tre divorcet e zotit V”

Dilemat ekzistenciale që shoqërojnë jetën e një intelektuali. Për mënyrën moderne të të shkruarit. Me një narracion linear dhe shpesh me një thjeshtësi penetruese, autori Rudolf Marku ndjek e analizon fatin e intelektualit shqiptar Viktor, në imigracion, por ky intelektual mund të ishte fare mirë, çek, rumun, gjermano-lindor. Tre divorcet e Zotit Viktor N janë në fakt më shumë se tre, por autori përzgjedh të nënvizojë tre prej tyre të cilat hyjnë në kategorinë e ndarjeve të mëdha: ai me martesën, më shumë se me gruan, i dyti me atdheun dhe i treti me dashurinë. Këta dy të fundit janë njëkohësisht që të dy edhe ndarje me të shkuarën. Kështu romani Tre divorcet e Zotit Viktor N., mund të ishte fare mirë edhe Divorcet e Zotit Viktor Trajtimi i divorcit të mirëfilltë me gruan, është zhvilluar më shumë në një divorc me martesën si institucion në përgjithësi. Prishja e martesës është trajtuar me një qasje shumë moderne dhe e tejkalon ndarjen me një grua, (gruan e tij) por është një mënyrë për tu distancuar nga martesa jo vetëm me këtë grua, por me çdo grua. Kjo është një teme e trajtuar pak apo sipërfaqshëm në letrat shqipe. Autori, e çfetishizon këtë institucion fuqiplotë mes shqiptarëve ku ende edhe sot në një mase të konsiderueshme divorci konsiderohet tabu. 

7-Diana Çuli, “Hoteli i drunjtë”

Si një nga trillet e rralla në Shqipëri. Për lëvrimin për një zhanër të parrahur në historinë e letërsisë shqiptare e për vendosjen e historisë në Luginën e Valbonës si një gjetje krejt e veçantë.

Një njeri i famshëm humbet punën, nuk gjen dot gruan dhe rrezikon burgun në të njëjtën kohë. Një dedektive e re do të vihet në gjurmë të së zhdukurës dhe do të zbulojë plot të fshehta rrënqethëse e të habitshme, nëpër rrugët e Shqipërisë. Ky është një subjekt tepër novator për letërsinë shqipe.

8-Ben Blushi “Otello, Arapi i Vlorës”

Një roman që spikati në letërsinë e kohëve të fundit. Stili rrëfimtar, tashmë i njohur i autorit, gjuha e pasur dhe erudicioni i thellë, pa dyshim, e vendosin romanin “Otello, Arapi i Vlorës” në radhën e veprave më të bukura dhe më të arrira të letërsisë shqipe. Ngjarjet shtrihen në vitet 1300-1400 dhe zhvillohen në dy qendra urbane të njohura të kohës së Mesjetës, në Venedik dhe në Vlorë, marrëdhëniet politike e tregtare midis të cilave ishin mjaft intensive për kohën. Sfondi historik është real.

Por, gjetja më origjinale dhe intriga më e pabesueshme e autorit janë personazhet që gjallojnë në libër, të cilat ai i ka marrë nga Shekspiri, nga tragjedia e njohur “Otello, Arapi i Venedikut”, në të njëjtët role, por të vendosur në kohë gati 100 vjet më parë se tragjediani i njohur të kishte lindur. Otello, Desdemona, Emilia, Jago, Kasi etj., janë figura të njohura të letërsisë botërore, por që në këtë roman veprojnë jo vetëm në Venedik, por më shumë në Vlorë, në bashkëveprim me shumë figura interesante vlonjate të krijuara nga autori, si mjeku i famshëm Stefan Gjika, trimi lab Andrea, turku pushtues Hamiti etj. Jo vetëm roman historik.

9-Saimir Muzhaka “Qyteti plak”

Për vërtetësinë e përshkrimit të jetës në provincë ku nuk ndodh ndonjë gjë e madhe, si dhe për vështirësitë e të rinjve në provincë. Një roman që na e risjell qytetin e Beratit ndryshe, të pakohë, duke shfaqur anën tjetër njerëzore përtej imazhit të një qyteti të zhytur në histori. Muzhaka duket një emër premtues në letërsinë shqipe.

10-Kim Mehmeti “Pusi”

Një roman me një ndjeshmëri të lartë njerëzore, dhe një kontekst të thellë historik. I përshkruar nga rrëfime të rralla spikat një personazh i fortë femëror si nëna. Është interesante mënyra sesi ky shkrimtar na sjell një tablo tjetër që shumë pak e njohim të qëndresës historike të shqiptarëve të Maqedonisë, përmes figurës së gruas që ravijëzohet aq bukur në letërsinë e shkruar nga Mehmeti.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gjermania, Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria si “përrallë pranvere”

Nga Ndriçim Kulla Hajnrih Hajne ka shkruar shumë kohë më parë poemën...
Read More