Vera Bekteshi: Kompromise në jetë edhe bëhen, por dija të jep fuqi

Ka një mosdije të jashtëzakonshme lidhur me represionin komunist që është bërë në Shqipëri dhe brezi i ri nuk e di. Me këto fjalë, shkrimtarja Vera Bekteshi iu është drejtuar në një bashkëbisedim maturantëve që ishin pjesëmarrës në Shkollën Dimërore, UET 2017.

Ka një mosdije të jashtëzakonshme lidhur me represionin komunist që është bërë në Shqipëri dhe brezi i ri nuk e di. Me këto fjalë, shkrimtarja Vera Bekteshi iu është drejtuar në një bashkëbisedim maturantëve që ishin pjesëmarrës në Shkollën Dimërore, UET 2017.

Bekteshi ka njohur përndjekjen, duke iu referuar letërsisë së saj, vepra që dëshmojnë këtë situatë qoftë psikologjike por dhe njohjes së historisë.

Përballë maturantëve, Bekteshi ishte e interesuar që ky brez më i ri të marrë dijeni nga kjo histori, me dëshmi të drejtpërdrejta ashtu si edhe ka sjellë një rast.

“Filmi “Parulla” ka 7-8 vjet që është dhënë dhe më bënin shumë përshtypje reagimet që shikoja nga mosha juaj. Absolutisht ka një mosdije totale dhe m’u bë qejfi që këtu kishte nga ata njerëz që e dinin çfarë është internimi, që është një fenomen i vendeve të lindjes sepse internim në anglisht dhe në gjuhët e tjera evropiane do të thotë të të largojnë nga vendi yt, nga atdheu. Po të na e kishin bërë duke na çuar në Itali apo Greqi do të na kishin bërë një nder të madh. Por në Shqipëri të çonin në kooperativat më të varfra me rrugë të gjata për në qendrat kryesore dhe ekstremisht të varfra”.

Shkrimtarja iu ka treguar të rinjve se si i ka tejkaluar vitet e saj më të vështira në diktatura.

“Vinte babai i fëmijës tënd dhe të padiste në gjyq sepse ti je vajza e armikut të popullit. Po çfarë faji kisha unë. Unë e kalova me sportivitet këtë gjë por pati njerëz që nuk e përballuan dot dhe nga kjo kaluan në internim, po unë thashë s’kam humbur gjë. Fati ishte që u bashkova me familjen, me vëllain, motrën dhe mamanë, babai shkoi në burg”.

Me logjikën e një jetese të vështirë, në këto kushte, maturantët kanë kërkuar nga Bekteshi nëse ka bërë kompromise gjatë jetës së saj, shqetësim që shkrimtarja iu përgjigj:

“Unë nuk para bëj kompromise por jam njeri që shkoj me njerëzit dhe ajo që dua t’ju them është se nuk ka fuqi më të madhe se sa dija. Të gjithë duam të kemi një lloj potenciali apo fuqie, por fuqinë që ta jep dituria nuk ta jep asgjë. Kompromise për jetën edhe mund të bëhen”.

Prezenca e një jete letrare nga Bekteshi duke ardhur në letërsi si zë i mëvetësishëm, ndërkohë që vjen nga një shkollim shkencor, i ka shtyrë maturantët të lidhin këtë jetë me arsyet e kalimit nga fizika te letërsia.

Për këtë shkrimtarja është përgjigjur: “Fizikën e doja dhe kisha prirje për shkencat ekzakte, mirëpo shkruaja dhe mirë hartimet. Por me letërsinë kam qenë shpirtërisht e lidhur. Mua Tolstoi më ka formuar si njeri përmes librave të tij se sidomos letërsinë klasike ruse, angleze, ne e kemi njohur shumë mirë. Për fat të keq ju nuk e njihni por janë libra formues. Ne kemi formim të mirë sepse kemi lexuar shumë dhe nuk mjafton interneti. Edhe unë e përdor për ndonjë gjë të shpejtë por pa librin nuk mund të fle. Meqë unë e desha shumë letërsinë, kalova aty dhe po i dedikohem gjithmonë e më shumë”.

Dhe është e natyrshme, që duke vijuar jetën e Bekteshit, maturantët të kenë menduar për ëndrrat e ndërprera nga regjimi, ose së paku nëse ka mundur të shpëtojë nga realizimi i tyre.

Pyetjes se cila ka qenë ëndrra e shkrimtares, dhe në ka mundur ta realizojë në atë kohë, Bekteshi i është përgjigjur: “Është shumë i çuditshëm misteri i krijimit të botës edhe të gjitha misteret që përmban natyra. Më mirë nga të gjitha mund t’i shpjegonte fizika që quhet dhe filozofia e natyrës. Prandaj zgjodha fizikën, prandaj hyra në konkurs. Por internimi mua m’i fshiu ëndrrat sepse unë kisha filluar doktoratën për trupin e ngurtë dhe më kujtohej që shkonim në minierën e Tiranës. Në kohën që fillova të jepja provimet, babai im u dënua dhe më hoqën nga universiteti, më dhanë një kazmë dhe më thanë këtu do të vdesësh. Ne nuk vdiqëm sepse ndodhën ndryshimet e mëdha. Unë jam një nga ata njerëzit që kam fat në fatkeqësi. Kjo do të thotë se u internova por erdhi dita që u lirova, ose më zë një sëmundje por pranë shtëpisë kam një mjek të mirë. E kam këtë fat në këtë fatkeqësi. Ne ishim 4 familje intelektuale nëse mund t’i quaj dhe ata kishin shumë libra. Unë kam lexuar 16 vite sa për 100 dhe kjo u bë baza për gjithçka. Ngaqë nuk u bëra dot fizikane e shkëlqyer siç kisha nisur jetën, thashë do bëj një gjë të mirë dhe u ktheva te letërsia”.

Një nga çështjet më interesante për maturantët është se sa ka ndikuar internimi në jetën e saj, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthortë, për t’jua shfaqur sot këtë si një pengesë e madhe, dhe kufizim ëndrrash. Ja si u përgjigj shkrimtarja: “Padyshim që internimi ka ndikuar në jetën time. Mua nga ana profesionale më dëmtoi shumë. Kur jam kthyer në institutin hidrometeorologjik dhe kisha 16 vjet pa punuar në fizikë kisha një vuajtje shumë të madhe. A mund t’i përthithja unë ato 16 vite të humbura? Në atë kohë njerëzit dilnin në demonstrata sepse u përmbys regjimi, po ashtu dhe unë sepse isha e lumtur që u përmbys. Por njerëzit nuk punonin më ndërkohë që unë punoja. E fitova atë kohën e humbur dhe anglishten e humbur sepse ishte shumë e rëndësishme. Nga ana profesionale padyshim që më dëmtoi mirëpo më pasuroi si njeri dhe forcë. Sepse është ajo shprehja e famshme një gjë që s’të vret të forcon. Mirëpo shumë njerëz i ka shkatërruar. Fatmirësisht familja jonë e përballoi shumë mirë sepse ishim dhe shumë solidarë me njëri-tjetrin. Më kujtohet që fundi i çdo letre të babait nga burgu ishin disa vargje “Në kohë të vështira vjen me u tregu lum kush asht burr dhe nuk dinë me u dorëzu”. Na e shkruante këtë gjithmonë për të na mbajtur gjallë. Që të na thoshte se “do t’ju ngacmojnë për t’ju bërë spiunë, por ju nuk do të dorëzoheni kurrë”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

MAPO, si ka qenë, si është, si do të jetë? Thjesht LIBERALE

Nga Henri Çili* Në vitin 2006, një revistë e re tërhoqi vëmendjen...
Read More