Vetingu: 6 gjyqtarët e përzgjedhur për verifikim


Gjashtë gjyqtarë të Gjykatës së Tiranës do të kalojnë në proces vetingu.

Vendimi është marrë  gjatë ditës së sotme dhe mësohet se përzgjedhja është bërë nëpërmjet një shorti.

Shorti i hedhur përcaktoi se gjyqtarët Brunilda Kadi, Brunilda Kasmi, Artan Lazaj, Astrit Faqolli, Alma Brati dhe Bledar Abdullai do të kalojnë për verifikim.

Janë përzgjedhur gjithashtu 25 dosje që kanë gjykuar këta gjyqtarë dhe më pas do të kalojnë në filtrin e anëtarëve të komisionit të vetingut.

Në ditët e kaluara shorti për procesin e vetingut është hedhur edhe në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe Gjykatën Kushtetuese.

Përveç vetingut që do të kryhet për pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, një tjetër kriter për të kaluar është edhe pjesa profesionale.

Ndërkohë vetë organet e vetingut kanë vështirësi të mëdha në funksionimin e tyre pasi janë akoma pa buxhet dhe pa ambiente për të punuar.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Organet e vetingut janë ende pa buxhet përsa i përket zërit të investimeve, për shkak se nuk janë rakorduar me ministrinë e Financave për paratë që ju duhen.

Kjo kërkesë buxhetore është bërë nga Kolegji i Apelimit për shpenzime personeli, operative dhe investime.

Gjatë diskutimeve u vendos që Kolegji i Apelimit do të rikthehet pasi të rakordojë investimet me ministrinë e Financave dhe të Drejtësisë.

Edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, përmes kryetares Genta Bungo tha se nuk i kanë të qartë shpërblimet për vështirësi për këshilltarët, ndërsa u shpreh se në buxhet zëri i investimeve është zero, ndërkohë që iu duhen pajisje.

Deputeti socialist Bashkim Fino tha se këto janë institucione të reja, dhe buxheti është llogaritur në bazë të strukturës.

“Problemi është i njëjtë, nuk jeni rakorduar dhe me ministrinë e Financave”, është shprehur Fino.

Ndërsa opozita është shprehur skeptike për numrin e pakët të këshilltarëve ligjore dhe ekonomikë në Kolegjin e Apelimit, si dhe stafin e vogël në numër në institucionet e vetingut.

“Vetingun s’e bëjnë muret, por njerëzit. A ju mjaftojnë juve 10 persona këshilltarë ligjorë dhe ekonomikë për të bërë vetingun? Për sa keni nevojë? Bëjeni kërkesën tuaj”, tha Bylykbashi.

“Buxheti është bërë me këtë strukturë. Jemi pa ambiente, është faza e parë e rekrutimit të këshilltarëve. Kanë kandiduar 330 vetë për 10 vende pune. Do vij prapë të kërkoj shtesë në strukturë”, është përgjigjur Natasha Mulaj, kryetare e Kolegjit të Apelimit.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ilir Meta zyrtarisht sot President

Ilir Meta do të marrë sot, zyrtarisht, detyrën e Presidentit të Republikës...
Read More