Vetingu: Arta Marku shmang përballjen me KPK

Kryeprokurorja Arta Marku do të duhej të paraqitej sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për t’u përballur me procesin e Vetingut, po duket se ajo ka vendosur që ta shmangë këtë përballje.

Në vendin e saj, mbrojtjen për kryeprokuroren do ta bëjë avokatja e saj, Lirime Cukaj. Nuk ka deri më tani një arsye nga ana e Markut që ka refuzuar të jetë e pranishme në seancë.

PASURIA E MARKUT: 

Arta Marku u zgjodh prokurore e Përgjithshme e Përkohshme në një seancë të tensionuar parlamentare në dhjetor 2017, kur deputetët e opozitës hodhën tymuese në shenjë proteste ndaj mënyrës së zgjedhjes së saj. 42-vjeçarja që punonte deri në atë kohë si zv.drejtuese e Prokurorisë së Shkodrës u ngjit në postin më të lartë të akuzës vetëm me votat e mazhorancës, pas 17 vitesh karrierë në sistemin e drejtësisë.

Marku do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohet në këtë proces nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu. Ajo është pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të pozicionit të saj në krye të Prokurorisë, por edhe se më parë kishte kandiduar për një post në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Arta Marku e ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002, kohë kur ka punuar për 1 vit si prokurore në Prokurorinë e Fierit. Më pas ajo është transferuar në Shkodër, ku ka ushtruar detyrat si prokurore, drejtuese e Task-Forcës për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit si dhe zv. Drejtuese e Prokurorisë.

Në vitet 2010-2012 ajo ka qenë gjithashtu lektore pranë universitetit “Gjon Buzuku” në Shkodër për lëndët “Historia e Institucioneve”, “Penale e Përgjithshme” dhe Procedurën Penale.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Arta Marku nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003-viti i parë i deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë. Ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare e Znj. Marku kap vlerën e 5.4 milionë lekëve.

Pjesa kryesore në ndryshimin e pasurisë përbëhet nga një apartament me sipërfaqe 103 metër katrorë në qytetin e Shkodrës, i blerë së bashku me bashkëshortin për 5 milionë lekë në vitin 2006. Burimi i kësaj pasurie, sipas deklarimeve është një kredi bankare me vlerë 6.7 milionë lekëve.

Përveç kredisë për shtëpinë, Marku ka marrë edhe kredi konsumatore përgjatë viteve dhe një pjesë e kursimeve familjare kanë shkuar për shlyerjen e tyre. Në fund të vitit 2017, ajo zotëronte gjithashtu 450 mijë lekë kursime në cash.

Të ardhurat e familjes Marku përbëhen kryesisht nga të ardhurat e saj dhe të bashkëshortit, të cilat kapin në total vlerën e 25.6 milionë lekëve për vitet 2003-2017. Ajo ka deklaruar gjithashtu të ardhura nga mësimdhënia në masën 1.3 për qind si dhe nga dietat rreth 1.5 për qind.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 14 deklarata pasurie të prokurores Arta Marku dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme apo me diferenca të pajustifikuara.

Ndërkohë, BIRN ka identifikuar si “flamur të kuq” në këtë analizë deklarimin e pronësisë së ¼ të një apartamenti nga bashkëshorti i saj në vitin 2015, pasuri kjo që nuk ishte deklaruar në vitet e mëparshme.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mbi 650 bursa në UET për vitin akademik 2018-2019

Një sistem të gjerë të shumëllojshëm të bursave, për të integruar në...
Read More