Vetingu nis të flasë: Vetëdeklarime të denja për “Librin Gines”, ja detajet

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shqyrtoi dje çështjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, ku argumentoi se Lulo nuk justifikon pasuri të patundshme dhe llogari bankare me vlerë totale 580 mijë dollarë. Avokati: Paratë ia dhuroi motra. Çfarë pritet të ndodhë në ditët në vijim dhe shfaqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve me pasuri marramendëse.

Gjithçka ishte e mirëmenduar si shfaqje “serioze”, kur vendimi i parë i Komisionit të Vetingut për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, u mbajt në një sallë të “Pallatit të Kongreseve”. Vetë i dyshuari për fshehjen e të ardhurave dhe mosjustifikimin e pasurisë Fatos Lulo, nuk ishte i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokati i tij mbrojtës Ardian Visha. Deklaratat e para njohëse ishin me praninë e medias, ndërsa më pas i gjithë procesi ishte me dyer të mbyllura, ky si rregull i shkruar për “ruajtjen e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Për rastin Lulo, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), nuk kishte gjetur asnjë mangësi në integritetin profesional dhe atë moral, por dyshimi është pikërisht në pasurinë e tij. Bëhet fjalë për rreth 580 mijë dollarë pasuri të deklaruar nga gjyqtari Lulo pranë ILDKPI-së, por nga verifikimi i kryer nga anëtarët e komisionit të vettingut nuk i justifikon këto të ardhura. “Zoti Lulo nuk justifikon pronësinë e apartamentit në rrugën e Durrësit, të cilën e ka depozituar me kontratë dhurimi, zyrën në rrugën Ismail Qemali, 100 mijë dollarë të cilat i ka deklaruar si të dhuruara, si dhe 480 mijë dollarë blerje apartamenti dhe nisje biznesi në Kanada”, -tha relatorja e çështjes. Ndërsa për avokatin Visha, nuk bëhet fjalë për fshehje të pasurisë apo deklarim të rremë, por vetëm për pamundësi marrje të dhënash nga Drejtoria e Tatimeve, pasi sipas tij kjo drejtori nuk i disponon. Avokati ka ngritur pretendimin se edhe 100 mijë dollarët gjyqtarit ia ka dhuruar e motra e tij, ndërsa apartamentin dhe biznesin në Kanada me shumën prej 480 mijë dollarë, gjyqtari e kishte në plan, por nuk e realizoi. “Nga puna si avokat dëshmohet se Fatos Lulo ka mjaftueshëm të dhëna për të justifikuar apartamentin ku jeton. Nga biznesi që disponon e motra, Drita Lulo, vetëm taksat e paguara në shtet janë më shumë se dhurimi që i ka bërë vëllait të saj Fatos Lulo. Gjyqtari ka prenotuar shtëpinë dhe biznesin në Kanada, dhe këto para ia mori të motrës, por nuk e realizoi këtë plan dhe paratë i ktheu mbrapsht. Të vetmet pasuri të shtuara të Fatos Lulos në këtë periudhë janë zyra dhe 100 mijë dollarë që ia ka dhuruar e motra”, deklaroi Visha. Vendimi përfundimtar për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese pritet që të merret këtë të premte nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Nëse ky institucion kryesor i vettingut vendos të përjashtojë nga radhët e gjyqësorit Lulon, atëherë ai do ketë vetëm një shans kundërshtimi, që do të jetë ankimimi pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Viktima të vetes…

Burime pranë Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit bëjnë të ditur se një numër i konsideruar gjyqtarësh dhe prokurorësh janë marrë në analizë, ku baza kryesore e verifikimeve ka qenë pikërisht deklaratat zyrtare të pasurisë së tyre, të cilët e kanë vetëdeklaruar ndër vite. Një pjesë e mirë, kryesisht gjyqtarë të Kushtetues, Gjykatës së Lartë dhe të Apelit, nuk e justifikojnë pasurinë e vendosur që kanë deklaruar. Që nga periudha e emërimeve të tyre në sistemin e drejtësisë dhe në vijim, për aq kohë sa ushtrojnë detyrën, pasuritë e tyre kanë njohur vetëm rritje. Disa pretendojnë se këtë pasuri e kanë vendosur edhe me ndihmën e bashkëshortëve, ose bashkëshorteve, apo edhe fëmijëve, të cilët punojnë si avokatë apo noterë. Megjithatë, kur vjen çështja për ta justifikuar me burimin e të ardhurave, shumë prej tyre stepen, duke pretenduar se faji është i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që nuk i ka verifikuar të ardhurat nga profesioni që kryejnë familjarët. Çuditë nuk kanë fund, pasi në vetëdeklarime ka edhe kapërcime të denja për “Librin Gines”. Mes tyre janë gjyqtarë që deklarojnë se shuma të mëdha me mbi 200 mijë euro i kanë dhuratë nga vëllai emigrant në Greqi apo vjehrri pensionist. Të gjitha të dhënat e grumbulluara zyrtarisht nga ILDKPI dhe dokumente shtesë që vijnë si përgjigje nga Hipotekat, mbi pronat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kanë kaluar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK). Gjithashtu pranë zyrave të tyre janë edhe ankesat e qytetarëve të cilët pretendojnë se gjyqtarë apo prokurorë të ndryshëm kanë ndikuar që çështjet e tyre, kryesisht ato të pronësisë, të tjetërsohen. Gjithsesi burime pranë KPK-së shprehen se pavarësisht numrit të lartë të denoncimeve, shumë qytetarë kërkojnë që të rishikohen vendimet gjyqësore, çka ligji nuk e parashikon për t’u trajtuar. Ndërsa është i pakët numri i personave të cilët denoncojnë pasuri të patundshme të fshehura të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Të ikurit e vetingut

Tashmë institucionet e vetingut kanë nisur të flasin. Dy ditë më parë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kallëzoi penalisht në Prokurorinë e Përgjithshme ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj. Ai dha dorëheqjen dhe menjëherë procesi i vetingut për të pushoi, por kjo nuk e pengoi KPK-në që në bazë të dokumentacioneve që kishte për Imerajn, çështjen t’ia kalonte institucionit qendror të akuzës. Dyshohet se edhe Imeraj ka problem në lidhje me justifikimin e pasurisë dhe fshehjen e të ardhurave dhe për ketë arsye, për një hetim më të thelluar dosja ka kaluar në prokurori. I denoncuari Imeraj reagoi menjëherë duke pretenduar se akuza ndaj tij ishte sulm politik i iniciuar nga kryeministri Edi Rama. Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është i vetmi që dha dorëheqjen sapo nisi vettingu, pasi në të njëjtën linjë me Imerajn ishte edhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Nëpërmjet një letre drejtuar KPK-së dha dorëheqjen nga posti i premtuar për gjyqtar në Gjykatën e Apelit. Pak ditë më pas edhe për Llallën u pushua vetingu, ndërsa ka zëra që qarkullojnë se me çështjen e ish-kryeprokurorit do të merret Prokuroria e Përgjithshme, kjo nisur edhe nga të dhëna që vijnë nga SHBA. Ish-kryeprokurori Llalla u shpall person “non grata” në Amerikë, me vendim të ish-sekretarit Amerikan të Shtetit Rex Tillerson, si i dyshuar mbi të dhëna domethënëse për veprimtari korruptive.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

E drejta natyrore dhe shteti i së drejtës

Mbi të drejtën natyrore dhe shtetin e së drejtës, fragment nga libri,...
Read More