Vettingu: Lost in translation

translationKreu i PD tha dje se varianti anglisht i ligjit të vettingut dhe ndryshimeve kushtetuese që është dërguar në Venecia kanë gabime përkthimi në të paktën 16 nene. Nga ana tjetër socialistët presin qëndrimin që do duhet të mbajë Gjykata Kushtetuese ndaj opinionit të “Venecias”, i cili javën e ardhshme do të jetë publik

Nga Nevila Perndoj

A është përkthyer saktë në anglisht për ekspertët e Venecias ligji për vettingun e vetë Kushtetuta dhe nëse jo, sa e ka cenuar thelbin e kërkesës të Gjykatës Kushtetuese?

Deri 28 orë më parë në debatin politik të ditës kjo pyetje mund të dukej qesharake.

Por për ekspertët e Partisë Demokratike përkthimi është kthyer në një shqetësim serioz, pasi prej të premtes ata kanë evidentuar (përmes një letre dërguar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese) gabime përkthimi në të paktën 16 nene të ligjit për vettingun dhe një pjese të vetë Kushtetutës dërguar në versionin anglisht.

Burime nga PD konfirmuan për “Mapo” se Gjykata Kushtetuese pasi pa verifikimet e kryera nga ekspertët e saj, ka pranuar problemet dhe i ka siguruar ata se do të dërgojë një përkthim të dytë zyrtar në Komisionin e Venecias, një fakt ky i pranuar edhe nga vetë kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

“…Ato pasaktësi që janë bërë janë korrigjuar dhe tani ajo i ka shkuar komisionit të Venecias dhe ata do t’i kenë të dyja përpara…”, -tha Dedja për MAPO.

Në anën tjetër, kreu i PD, Basha informoi deputetët se Gjykata Kushtetuese do ta përsëriste kërkesën ndaj komisionit të Venecias.

“I kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese të ripërsërisë kërkesën ndaj Venecias. Do informojmë zyrtarisht Venecian për këtë problem”, -është shprehur ai.

Ekspertë të PD-së sqarojnë më tej se ligji për vettingun është dërguar nga Kushtetuesja në versionin e përkthyer nga EURALIUS për efekt kohe, ndërsa për përmbajtjen e Kushtetutës për të cilën PD-ja ka gjithashtu objeksionet e saj, përkthimi mbetet jetim.

“Gjykata Kushtetuese thotë jo, nga Kuvendi thonë jo dhe po ashtu edhe nga Ministria e Drejtësisë. Nuk e dimë se kush e ka dërguar”, -thanë burime nga PD.

Përpos teknikaliteteve dhe burokracive që do të çojë shqyrtimi i një përkthimi të ri nga ana e Venecias, pyetja që shtrohet është nëse versioni i parë i dërguar në anglisht e cenon thelbin e kërkesës së Kushtetueses; pra nëse ligji për vettingun është ose jo në përputhje me konventën e të Drejtave të Njeriut.

PD-ja e sheh “ngatërresën” si një lëvizje e qëllimshme për të ngatërruar Venecian.

Ndërsa kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja sqaron se përpos gabimeve të evidentuara në përkthim, thelbi nuk cenohet.

Edhe PS pret një përgjigje, duke mos u përfshirë në debatin e fundit që ka marrë trajtimi i ligjit për vettingun.

Në një prononcim për mediat, kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, duke iu përgjigjur kërkesës së Lulzim Bashës për një marrëveshje të re lidhur me vettingun, tha se ky ligj nuk ndryshon.

“Ne po presim me qetësi atë që është konsideruar çelësi i zgjidhjes ose i qëndrimit që do duhet të mbajë Gjykata Kushtetuese ndaj opinionit të ‘Venecias’, i cili javën e ardhshme do të jetë publik …”, -tha ai.

Ndërkohë, afatet mes vendimit për ligjin e vettingut dhe miratimit nga Brukseli për hapjen ose jo të negociatave mbeten kokëfortë.

Dërgimi i një përkthimi të ri nga ana e Kushtetueses vë në dyshim mundësitë që Komisioni i Venecias ta miratojë opinionin e vet gjatë sesionit të 9 dhe 10 Dhjetorit.

Nëse e marrim të mirëqenë se vendimi merret në këtë kohë, Gjykatës Kushtetuese i mbeten vetëm 5 ditë kohë për ta shqyrtuar para se Këshilli Europian të hapë ose jo dritën jeshile për Shqipërinë. Vetë kreu i gjykatës Kushtetuese nuk jep një përgjigje konkrete nëse Kushtetuesja do të jetë e aftë që ta marrë vendimin brenda kësaj kohe.

Ajo që dihet deri më tash është se PD ka nxjerrë një kërkesë të re, ndërkohë që në tavolinën e Bashkim Dedjes ka mbërritur edhe një kërkesë e dytë nga ana e gjyqtarëve për të ankimuar ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që më herët është dërguar nga PD-ja.

Kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha tha dje se në hartimin e draftit nuk janë marrë në konsideratë sugjerimet e bëra nga radhët e gjyqtarëve.

Sipas tij, ligji cenon në thelb pavarësinë e gjyqësorit dhe bie ndesh me ndryshimet kushtetuese të miratuara në 22 korrik. Thuajse të njëjtat argumente kishte përcjellë pak kohë më parë edhe PD-ja.

Vettingu dhe 15 dhjetori i negociatave

“Vettingu” pas kërkesës së Partisë Demokratike dhe shoqatës së gjyqtarëve gjendet në një proces kontrolli kushtetues nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e cila nga ana e vet, për të mos mbajtur direkt barrën e vendimit shumë sensitiv për politikën, gjyqtarët dhe prokurorët, ka kërkuar një opinion të specializuar (amicus curiae) nga Komisioni i Venecias.

Shmangia që Kushtetuesja i bëri përgjegjësisë për të dhënë vetë një vendim për vettingun, duke ia përcjellë “Venecias” ka krijuar një situatë pa rrugëdalje për afatet e ligjit të famshëm dhe vendimit për negociatat, kur dihet se në 15 dhjetor do duhet të mblidhet Këshilli Europian.

Me shumë mundësi Komisioni i Venecias do të miratojë opinionin e vet mbi këtë “Amicus Curiae” gjatë sesionit të 9 dhe 10 Dhjetorit, ndërkohë që për të marrë dhe shpallur një vendim të sajin lidhur me Vettingun, Gjykatës Kushtetuese i mbeten vetëm 5 ditë kohë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Zgjedhjet në SHBA: Zgjedhje në shtëpinë tonë

Ç’do bëhet me integrimin në BE, interesat amerikane në Shqipëri dhe rritja...
Read More