Vettingu në politikë: Venecia pranon lidhjen e politikës me krimin

Komisioni i Venecias del me raport të detajuar në lidhje me “vettingun në politikë” të propozuar nga opozita. Ekspertët ndërkombëtarë të çështjeve ligjore e shohin me shqetësim dhe pranojnë fenomenin e lidhjes së politikës me krimin, por janë skeptikë për propozimin e opozitës. Sugjerimi që çështja të zgjidhet politikisht në Parlament. Opozita braktis bojkotin dhe rikthehet në Parlament për draftin. Raporti që do lexohet si “fitore” nga të dyja palët…

Pritja e gjatë e pati një fund në lidhje me vettingun në politikë, Komisioni i Venecias dha verdiktin në draftin paraprak që do të paraqitet zyrtarisht më 14 dhe 15 dhjetor, çka mund të sjellë edhe një pështjellim tjetër të përplasjeve pozitë-opozitë. Anëtarët e Komisionit të Venecias pranojnë problemin e madh të lidhjes së politikës me krimin, por e konsiderojnë të paplotë draftin e Partisë Demokratike për sa i përket bazës ligjore, por edhe çështjeve të tjera teknike që lidhen kryesisht me institucionet që duhet të bëjnë vettingun në politikë. Drafti që u bë publik dje iu dërgua partive politike në Shqipëri, mazhorancë e opozitë dhe vë theksin se projekt-propozimi kushtetues i opozitës nuk arrin të japë udhëzimet e përshtatshme. Në lexim të parë mund të shihet si rrëzim i propozimit të PD-së, por e komentuar në imtësi Komisioni i Venecias e konsideron të drejtë shqetësimin opozitar për lidhjet e politikës me krimin. Sikurse është bërë zakon nga politika jonë, raporti lexohet nga personazhet si “fitore” apo “humbje” e njërës palë, ndaj edhe diskutimet pritet të ndizen më shumë. Ekspertët e Komisionit të Venecias, theksojnë se: “Nga takimet (shkëmbimet e mendimeve) e ndryshme që patën Raportuesit gjatë vizitës në Shqipëri, duket qartë se ekziston vërtet një problem i kontakteve të papërshtatshme midis politikanëve dhe elemente kriminale”. Njëkohësisht me këtë frazë të rëndë, parashtrojnë edhe mendimin se: “i takon Parlamentit shqiptar të vendosë mbi hapat e ardhshëm në lidhje me amendamentet kushtetuese përmes dialogut konstruktiv midis të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare”, thuhet në rekomandimin e Komisionit të Venecias. Në lidhje me detajet ligjore dhe teknike raporti konstaton paqartësi nga drafti i opozitës për bazën ligjore, por edhe formën e aplikimit të “vettingut në politikë”. Si një zgjidhje të mundshme edhe këtë herë Komisioni i Venecias u drejtohet institucioneve dhe dialogut, duke i dhënë rëndësi veçanërisht Parlamentit. “Është në tagrin e Parlamentit shqiptar të vendosë mbi hapat e ardhshëm në lidhje me propozimet për ndryshimet kushtetuese, përmes dialogut konstruktiv mes të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare”, konstatojnë ekspertët ligjorë të Komisionit të Venecias. Në këtë mënyrë i është lënë hapësirë e nevojshme që drafti i paraqitur nga opozita të diskutohet mes palëve dhe në fund të arrihet në një konkluzion. Partia Demokratike ka njoftuar pjesëmarrjen në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, që do të shqyrtojë për herë të fundit përpara raportit të Komisionit të Venecias, nismën e PD-së për vettingun në politikë. Edhe këtu palët pritet të ndahen, ku opozita do i qëndrojë pikëpamjes se vettingu në politikë nuk “dublon” sistemin e drejtësisë, ndërsa mazhoranca do i përmbahet vendosmërisë se ky draft është antikushtetues dhe bëhet me qëllim për të sfumuar organet e reja të drejtësisë. E lënë në mënyrë disi “evazive” zgjidhjen përfundimtare, ekspertët e Venecias pranojnë shqetësimin opozitar, por konstatojnë disa mangësi, një pjesë e së cilave thelbësore për sa i përket bazës ligjore, por edhe institucioneve kompetente të vettingut në politikë.

Politika dhe krimi, “dyshe” e pandashme

Ekspertët e Komisionit të Venecias në tërësi të konkluzioneve konstaton lidhjet e politikës me krimin, jo si raste të veçuara, por si fenomen që shtrihet në nivele të ndryshme . “Çështja e kontakteve të ngushta të anëtarëve të parlamentit, këshillit bashkiak ose zyrtarët qeveritare, me krimin e organizuar, janë një problem në Shqipëri. Siç tregojnë edhe rezultatet e para të procedurës së vettingut të gjyqësorit, ndërlidhja e institucioneve shtetërore dhe krimi i organizuar duket të jetë shumë i lartë”, konstatohet në raport. Për ekspertët e Komisionit të Venecias kjo situatë pengon besimin në institucionet e shtetit dhe delegjitimon funksionimin e tyre. “Nëse krimi i organizuar është duke qeverisur institucionet shtetërore ose të paktën ka një ndikim në punën e tyre, parimet e shtetit ligjor nuk mund të zbatohen në praktikë. Në një shtet të qeverisur ose të ndikuar nga krimi i organizuar, parimet e dinjitetit, barazisë apo ligjshmërisë, janë lënë mënjanë”, thuhet më tej. Komisioni i Venecias, ka risjellë në vëmendje konkluzionin e arritur në një çështje të ngjashme më parë sipas të cilit: “skualifikimi që anulon një mandat zgjedhor nuk duhet të konsiderohet si kufizim i demokracisë, por si një mjet për ta ruajtur atë”.

Mangësitë e propozimit

E ndarë në dy pjesë, raporti e konsideron të drejtë e më se legjitim kërkesën e opozitës për kontrollin dhe ndëshkimin e politikanëve të lidhur me krimin, por ngrenë shqetësimin se drafti i opozitës është i paqartë për mënyrën si do të shkohet drejt vettingut. “Me gjithë qëllimin legjitim të propozimin, marrë në konsideratë situatën aktuale në Shqipëri, atë të heqjes së shkelësve të ligjit dhe ndikimit të tyre nga postet e larta qeverisëse dhe jeta politike, drafti kushtetues i propozuar për kontrollin e integritetit të politikanëve dështon të japë udhëzimet e përshtatshme dhe masat mbrojtëse të nevojshme, qoftë edhe në nivel kushtetues, për një proces të kësaj shkalle të gjerë, kaq kompleks dhe të ndjeshëm, i cili do të ketë shumë implikime të rënda për të drejtat e atyre që do të bëhen subjekt i tij”, konstatohet në raport. Venecia thekson se është e paqartë se si do të kryhet procesi i vettingut në politikë, cili do të jetë organi që do të vlerësojë pastërtinë e politikanëve. “Është e paqartë se kush do të ndërmarrë vettingun e zyrtarëve publikë dhe kandidatëve për t’u zgjedhur dhe nëse do të kryhet nga një trupë gjyqësore apo një organ tjetër. Gjithashtu, nuk është e qartë nëse përjashtimet do të jenë të përhershme apo të kufizuara në kohë. Në këtë aspekt ka paqartësi ligjore. Për të shtuar se, nuk janë propozuar masa mbrojtëse për të mënjanuar rrezikun që do të përdoren për qëllime politike apo arbitrare”, vënë theksin ekspertët. Gjithashtu, për ta në draftin e opozitës duhet të përcaktohej saktë domethënia e “kontakteve të papërshtatshme”, pasi ndryshe duke u lënë pa specifikim mund të shkojë deri në abuzim. “Këto paqartësi, gjithashtu, e bëjnë të pamundur që Komisioni i Venecias të gjykojë nëse propozimi mund të konsiderohet një përgjigje proporcionale ndaj asaj që padyshim është vërtet problem në Shqipëri”. Me konkluzione të tilla një nga rrugët e vënies në jetë të “vettingut në politikë” duhet të ishte fryma e bashkëpunimit dhe për detajet teknike ekspertët tanë ligjorë, përfshi edhe ata partiakë, mund të bënin ndërhyrjet e duhura. Gjithsesi bashkëpunimi në situatën aktuale të konfliktualitetit politik ngjan i pamundur, ndaj çdo diskutim pritet të futet në hullinë e vjetër të konsumit të çështjes vetëm për qëllime propagandistike apo populiste. Pas publikimit të draftit thelbësor të Komisionit të Venecias reagoi edhe nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili. “Komisioni i Venecias konfirmon Vetingun e politikaneve dhe krimin qe ka pushtuar shtetin”. Ky është reagimi i kreut të grupit parlamentar të LSI-së, pas publikimit të draftit paraprak të Komisionit të Venecias. “Komisioni i Venecias konfirmon qarte e zeza mbi te bardhe qe krimi ka pushtuar shtetin dhe ka bere qe qytetaret te humbasin besimin te institucionet dhe nevoja per veting te politikes eshte plotesisht legjitime”, shkruan Petrit Vasili në Facebook.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kryeministri antikonformist, që kërkon të edukojë shqiptarët

Nga Ervis Iljazaj Edhe pse pozicioni i Kryeministrit e ka formalizuar disi,...
Read More