Vettingu, proces historik për drejtësinë shqiptare

Nga Ervis Iljazaj

Sigurisht, debatet për suksesin ose jo të Reformës në Drejtësi mund të jenë të drejta, pasi skepticizmi në këto raste është i madh dhe i pashmangshëm. E megjithatë, Reforma në Drejtësi ka shënuar që tani një sukses të padiskutueshëm. Suksesin e procesit të vettingut që është duke u zhvilluar për trupën gjyqësore shqiptare.

Vettingu, është një proces, ku shpeshherë është anatemuar, ndonjëherë janë bërë edhe batuta me këtë proces të drejtësisë, duke u përpjekur që ta përqeshin apo ta konsiderojnë një absurditet, i cili nuk do të jepte asnjë nga rezultatet e dëshiruara. Ditët e fundit hedhin poshtë të gjitha këto akuza apo ironi që janë bërë mbi këtë proces.

Asnjëherë më parë, nuk e kishim menduar që e gjithë trupa gjyqësore shqiptare do të futej në një kontroll të tillë të pastërtisë të figurës së tyre, dhe kjo ndodhi falë Reformës në Drejtësi dhe procesit të vettingut që ajo parashikon. Në këtë kuptim, vettingu përbën padyshim një proces historik, dhe një precedent që po themelon nga e para të gjithë sistemin e drejtësisë shqiptare.

Efektet e tij janë të prekshme që në këto momente. Duke qenë se një nga problematikat më të mëdha të drejtësisë shqiptare ka qenë korrupsioni galopant në këtë pushtet, Reforma në Drejtësi ka arritur të bëjë pastërtinë e figurës së gjyqtarëve apo prokurorëve. Procesi i vettingut sapo ka filluar, shumë nga magjistratët shqiptarë kanë dhënë dorëheqjen dhe procesi duket në rrugë të mbarë.

Rasti i largimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe nisja e ndjekjes penale kundër tij për shkak se nuk arriti dot të justifikonte pasurinë, e dëshmon më së miri këtë gjë.

Në këtë aspekt, ajo që mund të thuhet është fakti se hetimi pasuror i gjyqtarëve është marrë seriozisht. Jo vetëm kaq por, ka raste ku procesi nuk mjaftohet vetëm me vettingun, por edhe me hetimet penale që hapen kundër gjyqtarëve apo ish-gjyqtarëve të caktuar.

Rasti i hetimit të Adriatik Llallës është simboli i këtij procesi. Gjyqtarët shqiptar nuk mund të justifikojnë më pasurinë e tyre siç kanë bërë deri më tani, me kontrata shitblerjesh të pronave të paluajtshme apo dhurimeve të ndryshe. Tashmë, hetohen edhe dyshimet për pasuri të pajustifikuar, gjë e cila nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.

Në këtë drejtim, nuk mund të mohohet, kundrejt çfarëdo skepticizmi, që vettingu është një sukses i kësaj Reforme.

Ndoshta, suksesi i Reformës në Drejtësi matet shpesh në opinionin publik nga arrestimet e pritshme për politikanë apo pushtetarë të rëndësishëm, por kjo është faza e fundit e kësaj reforme. Më së pari, duhen ndërtuar organet që parashikohen në drejtësinë ere, dhe të pastrohet pushteti gjyqësor nga figurat e korruptuara, duke ndërtuar kështu një drejtësi të pavarur, të ndershme dhe të guximshme, që do të jetë në gjendje të kryejë hetime edhe ndaj pushtetarëve të rëndësishëm.

Nëse suksesi i Reformës matet me arrestimet e bujshme, jemi në rrugën e gabuar. Sepse nga uria e popullit shqiptar për drejtësinë e munguar në këto 27 vite, këtë gjë mund ta përdorë politika dhe hetimet të jenë tërësisht politike apo të ndikuara prej saj. Prandaj, faza e parë e Reformës në Drejtësi, nuk janë arrestimet e politikanëve, por ndërtimi i organeve të drejtësisë së re dhe kontrollin e pastërtisë së figurave të pushtetit gjyqësor, më pas, vetëm një drejtësi e tillë ka kurajën të zhvillojë hetime të paanshme edhe për politikën. Çdo thirrje tjetër për drejtësi popullore, është vetëm në disavantazh të Reformës në Drejtësi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Danish Jukniu dhe grija që përballoi blunë

Aventura koloristike e Danish Jukniut te vepra “Barinjtë në bjeshkë”, 1978, realizuar...
Read More