Viktor Gjika: Kineasti që dëshmoi totalitarizmin

Kineasti Viktor Gjika do të kujtohet këtë javë në mjediset e Ministrisë së Kulturës, në godinën e ish-Kinostudios “Shqipëria e re”, ku u prodhua gjithë trashëgimia filmike, që i shërbeu dhe dëshmoi regjimin diktatorial. Gjika kujtohet në një moment kur zhurma mbi  kinemanë e krijuar në diktaturë pothuaj është zbehur pa nxjerrë gjë në dritë se si duhet vështruar kjo pasuri sot

Kineasti Viktor Gjika do të kujtohet këtë javë në mjediset e Ministrisë së Kulturës, në godinën e ish-Kinostudios “Shqipëria e re”, ku u prodhua gjithë trashëgimia filmike, që i shërbeu dhe dëshmoi regjimin diktatorial. Gjika kujtohet në një moment kur zhurma mbi  kinemanë e krijuar në diktaturë pothuaj është zbehur pa nxjerrë gjë në dritë se si duhet vështruar kjo pasuri sot. Megjithatë, edhe pse sporadike profilet krijuese si të Viktor Gjikës nuk është se kanë krijuar kakofoni mendimesh. Ky kineast është “ruajtur”, as nuk është hedhur poshtë, si krijues, individ por as nuk është zbuluar ende çfarë ai ka qenë i detyruar të manipulonte mbi talentin e tij, sidomos kur nisi intensivisht krijimtarinë pas kthimit të studentit të Moskës në Shqipëri për t’iu nënshtruar makinerisë ideologjike.

Nuk ka asnjë dyshim që edhe në këtë përkujtimore për kineastin nuk do të “zbardhet” ndonjë e vërtetë e deformuar, përpos faktit, si gjithmonë do sillet një rast tjetër me argumente të renditjes se kujt i përket: realizmit apo proletariatit?! I lindur më 23 qershor 1937 në Korçë dhe vdiq më 3 mars 2009, Gjika kreu studimet e larta në Institutin Kinematografik “VGIK” në Moskë, për operator filmi. Peshën e regjisurës së Gjikës e mbajnë këta filma: “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Yjet e netëve të gjata”, “Rrugë të bardha”, “Rezistencë”, “Gjeneral gramafoni”, “Nëntori i dytë”, “Njeriu me top”, “Komisari i dritës”, “Përballimi”, “Në çdo stinë”, “Vjeshtë e nxehtë e ‘41-it”, “Njerëz në rrymë”, dokumentarët “Unë jam Ismail Qemali”, “Kur ikin korbat (Kosovë)”, “Gjuhë që nuk vdes”, “Arti shqiptar në shekuj”, “Enver Hoxha tungjatjeta”, “Rron o rron nuk vdes Fan Noli” etj. Gjatë gjithë karrierës realizoi rreth 15 filma artistikë dhe 25 dokumentarë. Në vitin 1977 i jepet titulli “Artist i Merituar” dhe në 1985 “Artist i Popullit”. Mendimet që ndahen për kineastin së shumti janë nostalgjike, dhe vlerësuese për individualitetin e tij krijues, dhe intuita për të zbuluar. Në këto kontekste, një prej tyre shkrimtari Teodor Laço ka shkruar: “Ndodh nganjëherë, që kush të zgjedh emrin në lindje, parandien edhe të ardhmen. E pagëzuan Viktor, që do të thotë Fitimtar. E njoh prej afro 60 vitesh, prandaj kam arsye ta pohoj këtë. Në gjimnaz ishte gjithmonë i pari. Në çdo lëndë. Por jo si murg librash. Këndonte si solist, luante në pjesët teatrale. I kudogjendur. Kanakar i vajzave. Me diplomë të artë në shkollën e lartë të kinematografisë. Në historinë e filmit artistik e dokumentar shqiptar shkroi një kapitull që nuk do të harrohet. Sepse e gdhendi mbi gur, me daltë skulptori. Nëse do të kërkonim një tipar dallues të të gjithë filmave të tij, për mua ky do të ish realizmi…”. “Sa herë që emri i mjeshtrit Viktor Gjika shfaqet në film në cilësinë e regjisorit, spektatori duhet të jetë gati për të kundruar një poezi ngjyrash, tingujsh e imazhesh të cilat e veçojnë plotësisht punën e tij nga regjisorë të tjerë. Ngrohtësia e Korçës nën dëborë gjatë “Përballimi” (1976), mandolinat, borgjezinë e dikurshme, rrugicat, kafenetë, pazarin edhe pse realiteti rural e cenon disi panoramën e përgjithshme qytetare apo tingujt e klarinetës magjepsëse të Bujar Lakos të cilat ndalojnë të qarat e fëmijës në dhimbjen e humbjes së gjyshit në protestë kundër monarkisë së  “Gjeneral Gramafonit” (1978). Mundësinë e një dashurie thelbësisht shqiptare mes Bardhylit dhe Zanës si edhe peizazhi i jetës studentore te “Në çdo stinë” (1980) apo ndjenjat patriotike që marrin hov sa herë që shohim figurat e Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Luigj Gurakuqit te “Nëntori i dytë” (1982), janë disa prej veprave të tij që kanë lënë shenjë të thellë në kujtesën tonë kolektive. E pikërisht, elementi emocional është ai që më tepër se çdo gjë tjetër përbën emëruesin e përbashkët të këtyre filmave. Në një farë mënyre mund të themi se arti i Gjikës zotëron veçanërisht pushtetin e ndjenjave mbi spektatorin, të dashurisë apo të revoltës, të manipulimit emotiv si mjet i ideologjisë totalitare. Por ky manipulim – i kudo dhe i kurdondodhur në kinema si një fabrikë e magjisë – në një pjesë të konsiderueshme të tij zhvishet nga kuptimi krejt instrumental i manipulimit vulgar politik, nga ai që quhet politizim i artit”, ka shkruar Julian Bejko (në librin “Shoqëria e Kinemasë”, I, Regjimi i vjetër dhe lufta e popullit, Edlora, Tiranë, 2012, f.106). Ndërsa ka edhe një dëshmi personale të regjisorit në një intervistë në një rast të një përzgjedhje të filmave të Gjikës nga CCTV, televizion kinez, kineasti shqiptar ka folur mbi fillimet si regjisor i pavarur, ai tha: “Filmi i parë që kam bërë si regjisor i pavarur ishte “Horizonte të hapura”, që mbështetej në një ngjarje reale, në një personazh që dha jetën gjatë një stuhie për të mbrojtur bigën, që është një vinç ngarkim-shkarkimi në port detar. Me kërkesën time Dritëro Agolli shkroi skenarin. Unë në atë film isha edhe regjisor, edhe operator?”. Horizonte të hapura bazohet në një histori reale, në një hero të ditës. Në qoftë se filmi “Horizonte të hapura” shihet edhe sot, atje është e qartë se fajtori për vdekjen e heroit është burokrati që nuk erdhi në kohën e duhur dhe nuk i dha ndihmë të duhur. Filmi ka skena interesante e u prit mirë”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Mjekja, ndërprerje të shtatzënisë në muajin e 5-të, për 300 mijë lekë

Një klinikë private në Shkodër kryen aborte edhe për shtatzëni në muajin...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.