Vila-mania shqiptare: Pse po ndërtohen kaq shumë dhe a ka ndonjë rrezik?

Në periferinë e kryeqytetit dhe në bregdet ka nisur mania e ndërtimit të vilave. Ekspertët e pasurive të paluajtshme, por edhe të turizmit, flasin për mbiofertë të tyre në bregdet dhe të papërshtatshme për llojin e turistit që synojmë, që nuk i sjellin vlerë të shtuar ekonomisë. Si po ndryshon tregu i vilave, çfarë kërkohet dhe kush po blen? Pse po ndërtohet kaq shumë kur çmimin e tyre mund ta përballojnë vetëm 5% e shqiptarëve? Paralajmërimi i ekspertëve: Në bregdet, oferta po e tejkalon ndjeshëm kërkesën…

Nga Ledina Loga, Monitor

Për një kohë të gjatë, vilat kanë qenë një produkt pa shumë interes për shqiptarët, kryesisht të ndërtuara në zonat rurale të vendit. Mirëpo vitet e fundit, vilat po parapëlqehen, kryesisht nga individët me të ardhura mbi mesatare. Në periferi të Tiranës dhe në fshatrat përreth, kompanitë e ndërtimit kanë ardhur me projekte ambicioze, vila pompoze, me sipërfaqe të mëdha, si të brendshme dhe të jashtme, kryesisht të ndërtuara në komplekse rezidenciale dhe në zona me infrastrukturë të ngritur.

Aktorët kryesorë të tregut, përfaqësues të kompanive, por edhe agjencitë kryesore të pasurive të paluajtshme në vend pohojnë trendin në rritje për vilat. Disa prej tyre thonë se pikërisht kërkesa ka kanalizuar ndërtimin në këtë segment të pasurive të paluajtshme. Ata e cilësojnë tregun dinamik dhe në rritje të vazhdueshme dhe thonë se individët kërkojnë komoditet dhe hapësirë, por edhe cilësi në ndërtim.
Ndër zonat kryesore ku po ndërtohet me ritëm të shpejtë është zona e Farkës dhe e Lundrës. Blerja e një vile në Tiranë shpesh e tejkalon shumën prej 1 milion euro.

Por nuk po mungojnë as projektet në bregdet. Nga ato më të thjeshtat ku ndërthuren apartamentet, me duplekset dhe vilat, ku rrallëherë janë të shoqëruara me plan për ngritjen e një resorti, nuk mungojnë as projektet vetëm me vila luksi.
Çmimet e vilave variojnë nga 1000-1600 euro/m² (çmim shitje) dhe nga 2,000-6,000 euro/muaj për qira në varësi të madhësisë dhe kompleksit në të cilën ndodhet edhe prona.

Për vilat brenda Tiranës, burime nga agjencitë e pasurive të paluajtshme thonë se çmimet e vilave brenda Tiranës diktohen nga disa faktorë. Ato variojnë nga 700 euro për metër katror në zona disi më larg qendrës, deri në 3200 euro për metër katror për vilat në Rrugën e Kavajës pranë Bllokut të Ambasadave. Brenda Tiranës, zona ku mund të ketë blloqe vilash janë: në ish-Klubin Dinamo; blloku i vilave në Selitë; Rruga e Elbasanit; pranë Ambasadës Amerikane; vilat gjermane, në Rrugën e Kavajës, rrugën “Ali Demi”.

Në periferi, zonat më të zhvilluara janë TEG, Farka, Lundra, fshatrat pranë Dajtit si Linza apo Surreli, fshatrat si Mulleti, Bërzhita etj.
Çmimet në këto zona variojnë nga 600 euro për metër katror në Mullet, deri në 1800 euro për metër në katror në zonën e Farkës.
Në bregdet, çmime më të ulëta për vilat janë në zonën e Golemit, ku mesatarja, bazuar në të dhënat e agjencive të pasurive të paluajtshme është 700 euro, në Gjirin e Lalëizit çmimet variojnë nga 1500-2000 euro, ndërsa në projektet e Rivierës, çmimet janë edhe më të larta.

Të gjithë duan të shesin vilat në Golem për të ikur te Gjiri i Lalëzit

Arben Dervishi, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve, thotë se aktualisht, zonat ku infrastruktura është e mirë dhe e zhvilluar sipas planit urbanistik, pra nëse janë zona për vila, nuk e kanë humbur destinacionin e tyre, kanë kërkesë në rritje dhe tregu i pasurive të paluajtshme është në lëvizje.

Në zonat e tjera, ku ka ndryshuar destinacioni nga masterplani, pra krahas vilave janë ndërtuar edhe pallate dhe nuk janë respektuar keoficientët e shfrytëzimit, individët që kanë blerë në ato zona po kërkojnë t’i shesin. Duke qenë se objektet janë të ndërtuar shumë pranë njëri-tjetrit, humbet privatësia dhe qëllimi i ndërtimit dhe blerjes së një vile. Dervishi shpjegon se kjo është një mangësi e planit rregullues.
Një prej tyre është dhe Zona e Liqenit të Thatë dhe Kodra e Diellit e cila nisi me vila dhe përfundoi me pallate. Në atë zonë “të gjithë” po kërkojnë që të shesin.

Agjencitë e pasurive të paluajtshme pohojnë për “Monitor” se oferta për shitje ka qenë e lartë kohët e fundit në ato zona. Madje edhe për sa i përket tregut të qirave për vilat dhe për duplekset, ata thonë se çmimet kanë rënë. Një nga transaksionet e fundit të një agjencie të pasurive të paluajtshme në Tiranë, për një dupleks në Kodrën e Diellit ishte finalizuar me çmimin prej 700 euro në muaj, ku sipas agjentes ishte një çmim i ulët për llojin e pronës që u ndërmjetësua.
Në bregdet, Golemi mban vendin e parë për sa u përket ofertave. Të gjithë duan të shesin vilat atje. Arben Dervishi thotë për “Monitor” se tendenca është që të shiten vilat e blera në Golem, të cilat janë të ndërtuar më herët në kohë dhe të amortizuara, për të blerë vila në Gjirin e Lalëzit apo në Jug.

LEXO EDHE: http://www.monitor.al/vilat-ne-bregdet-ne-kundershtim-strategjine-e-turizmit-2/

 

Tregu i qirave për vilat ushqehet ende prej të huajve

Tregu i qiradhënies, sipas Stela Dhamit, menaxhere e Colliers International Albania, vazhdon të ushqehet nga të huajt, të cilët punojnë për institucione të ndryshme ndërkombëtare në Shqipëri, ose i quajtur ndryshe tregu i punonjësve të huaj (expat).

Edhe inxhiniere Xheni Jahja, nga Tirana Real Estate, tregon se pjesa e të punësuarve në ambasada është në kërkim të vilave. Familjet e huaja lidhin kryesisht kontrata me afat trevjeçar. Në përzgjedhjet e vilave jashtë Tiranës, sipas Xheni Jahja, janë individët që kërkojnë qetësi dhe që të largohen nga zhurma e qendrës së kryeqytetit. Një faktor tjetër që ndikon në përzgjedhjen e vilave nga të huajt është edhe afërsia me shkollat ndërkombëtare në vend, duke qenë se janë kryesisht familje që në përbërjen e tyre kanë fëmijë.

Sipas saj, vilat jashtë Tiranës kanë kërkesë më të lartë, duke qenë se janë më të reja, gjenden në komplekse të mira rezidenciale, si dhe kanë një menaxhim të mirë. Xheni Jahja shton se vilat e periferisë, duke qenë se janë relativisht të reja (ndërtime të viteve të fundit) janë më pak të amortizuara. Megjithatë, sipas një raporti të përvitshëm të Eurostat, i cili përgatitet për të informuar europianët që lëvizin për punë mbi të rejat e tregut të pasurive të paluajtshme, çmimi i qirave për vilat në Tiranë është në rënie, ndërsa ai i apartamenteve në rritje.

Brenda Tiranës parapëlqehen për biznes

Vilat në periferi të Tiranës, por edhe ato në bregdet, kërkohen për t’u blerë nga individë me të ardhura mbi mesataren, që kanë një familje të madhe dhe kanë nevojë për komoditetin dhe hapësirën që të jep vila. Ndërsa brenda në qytet, kërkohen kryesisht për biznes.
Stela Dhami, menaxhere e Colliers International, pohon se vilat në periferi kërkohen kryesisht për banim, ndërsa vilat në zonat urbane shikohen edhe si mundësi e mirë për ambiente zyrash me çmime më tërheqëse se ato në qendrat e biznesit, shton Dhami për “Monitor”.

Xheni Jahja, nga Tirana Real Estate, argumenton se vilat brenda Tiranës janë më të amortizuara dhe, pasi pronarët kanë marrë kthimin nga investimi prej tyre dhe nuk duan që t’i restaurojnë apo rikonstruktojnë, vendosin që t’i japin për zhvillim biznesi. Duke qenë se bizneset kryesisht kërkojnë mjedise bosh dhe duan një mobilim më të thjeshtë, ato përshtaten mjaft mirë. Jahja shton se, së fundmi, ka pasur kërkesa nga të huajt për të zhvilluar hoteleri, për të bërë hostel apo dhënien e dhomave me qira. Ata kërkojnë vila brenda Tiranës, për t’i shndërruar në hotel, duke qenë se vilat jashtë qendrës nuk janë të përshtatshme për turistin, i cili kërkon që destinacionet kryesore t’i arrijë pa përdorur transport publik.

Vilat, si mundësi investimi. Nga qiradhënia te rishitja

Kthimi i investimit nga vilat, sipas Dritan Cakës, nga agjencia DevInf, është më i shpejtë se në çdo lloj pasurie të paluajtshme tjetër, madje edhe se dyqanet. Sipas Cakës, yield-i i investimit në vila llogaritet 6-8%. Një vilë e blerë për 500-600 mijë euro, jepet me një çmim mesatar qiraje 4000-4500 euro në muaj, shton Caka.

Edhe Stela Dhami argumenton se investimi në vila, nisur dhe prej faktit se normat e interesit në banka janë shumë të ulëta, ka interes të lartë.
“Duke vënë re normat shumë të ulëta të interesit të depozitave bankare në bankat e nivelit të dytë, sigurisht që investimi në vila shikohet si një investim me interes të lartë. Kthimi i investimit, kryesisht bëhet nëpërmjet kontratave të qiradhënies afatgjatë me qiramarrës të huaj. Megjithatë, vitet e fundit, është vënë re edhe një fenomen interesant, ai i lëshimit të pronës me qira të disa prej blerësve-banuesve të parë, si pasojë e kostove të larta të administrimit e mirëmbajtjes së këtyre pronave. Pronarët vendosin të zhvendosen në prona më të vogla në qytet dhe vilat t’i hedhin ne tregun e qiradhënies përsëri”, – shpjegon Stela Dhami, nga Colliers International.

Nëse ke para mjaftueshëm për të blerë një vilë në projektin Green Coast në Palasë mund të bëhesh pjesë e programit të qiradhënies, me qëllim kthimin më të shpejtë nga investimi fillestar. Përveçse për banim, vilat në bregdet dhe jo vetëm po shikohen si një mundësi e mirë investimi.
Edhe përfaqësues të Edil-Al, që po ndërtojnë kompleksin “San Pietro Resort” në Gjirin e Lalëzit, tregojnë se, shpeshherë, kur kanë kërkesa për vila, vënë re se, përveçse kanë raste që blerja realizohet për përdorim nga klienti, kanë edhe nga ato raste që blerja bëhet vetëm për arsye investimi. Janë klientë kryesisht të cilët vijnë nga vende të ndryshme të Europës dhe që e shohin Shqipërinë si një terren të frytshëm për të bërë këtë lloj investimi.

Sipas saj, është i qartë hendeku i çmimeve në krahasim me rajonin dhe për këtë arsye, ndodh që investimet të realizohen shumë më thjeshtë dhe me një vlerë më të ulët se te fqinjët. “Synimi është kryesisht te dhënia me qira e ambientit, por nuk janë të pakta edhe rastet kur mendohet për një rishitje në një moment të dytë”.

 

INTERVISTA 1

Flet Jonian Antoni, administrator i Century 21

10% e tregut e orientuar drejt vilave. 5% e popullsisë mund t’i përballojë

Dikur, vilat ishin të orientuara vetëm në zonat rurale të vendit. Por, së fundi është zgjuar interesi i shqiptarëve për të jetuar në vila, të cilat, sipas Jonian Antonit, administrator i Century 21 mund të përballohen nga vetëm 5% e popullsisë. Një vilë rezidenciale në Tiranë kushton nga 250 mijë deri në 2 milionë euro.

Si ka qenë kërkesa dhe oferta në tregun e vilave?

Vilat kanë qenë për një kohë të gjatë në Shqipëri një produkt pa shumë interes, i konsideruar vetëm nga super të pasurit, për vila të mëdha, ose nga shqiptarët që banojnë në zonat rurale, për vila modeste dhe pa investime.
Në vitet e fundit, për shkak të rritjes së nivelit të të ardhurave, por sidomos për fillimin e konceptimit të një vile në komplekse të urbanizuara, vila ka filluar të bëhet një produkt interesant.
Në vetvete, vila është shumë më e madhe se një apartament dhe si rrjedhojë, edhe kushton më shtrenjtë, por ka kosto mirëmbajtje shumë më të lartë. Për shkak të kësaj, tregu i pasurive të paluajtshme parqet një kërkesë 90% në favor të apartamenteve dhe vetëm 10% në favor të vilave.

Cilat kërkohen më shumë, vilat brenda zonave urbane apo rurale? Cili është qëllimi kryesor i përdorimit të tyre?

Vilat në përgjithësi përdoren për banim. Kërkesa e tyre varion sipas tipologjisë së vilave. Vilat rezidenciale parapëlqehen afër zonave urbane, me një distancë 15-20 minuta nga qendra ose zonat e zyrave.
Vilat turistike (e plazhit) preferohen sa më afër me detin dhe sa më afër më kryeqytetin. Për këto arsye, plazhet e Durrësit, Gjirit të Lalëzit janë lokacioni ideal për blerësin vendas që kërkon një vilë për sezonin veror.
Turistët nuk e kanë problem lokacionin, përderisa i ofron plazh të mirë, infrastrukturë të aksesueshme, të sigurt si kompleks sidomos në dimër dhe afërsi me aeroportet.

Si është oferta nga aktorët e tregut për këtë produkt të tregut të pasurive të paluajtshme?

Është ende e vakët, shumë pak komplekse rezidenciale ofrojnë vila dhe për këtë arsye, edhe çmimet e vilave janë ende të larta në raport me apartamentet.

Cilat janë zonat kryesore ku po zhvillohet ndërtimi i vilave?

Ka disa, kryesisht rreth Tiranës. Bëhet fjalë për vila luksoze dhe të përballueshme vetëm nga 5-7% e popullsisë.
Ndërkohë që edhe komplekset turistike janë duke u zhvilluar dhe shumë prej tyre janë moderne dhe me infrastrukturë të lakmuar. Një nga aspektet pozitive të Shqipërisë është se shumë është ndërtuar pas viteve 2000, duke i bërë më koherente dhe të pëlqyeshme nga të huajt për shkak të infrastrukturave dhe teknologjive moderne që aplikohen në vila.

Si variojnë çmimet e vilave në Tiranë dhe në bregdet (sipas zonave, këtë mund ta trajtojmë më vete)?

Ka diversitet shumë të madh. Vilat rezidenciale në Tiranë variojnë nga 250,000 euro deri në 2,000,000 euro. Sa më e madhe të jetë vila dhe trualli, aq më i shtrenjtë çmimi.
Vilat në resorte turistike fillojnë nga 130,000 euro dhe zakonisht përfundojnë në 700,000 euro. Është shumë e vështirë për një blerës qoftë shqiptar, qoftë edhe i huaj, të konceptojë një shtëpi të dytë në një vend si Shqipëria në vlerat 700,000 euro. Prandaj ne si agjenci u këshillojmë ndërtuesve të fokusohen te produkti i vilave nga 130,000 deri në 300,000 për vilat në zonat turistike.

Në tregun e pasurive të paluajtshme a shikohen vilat si një produkt me qëllim investimi (për t’u hedhur në tregun e qirasë apo për rishitje)?

Edhe ky është një trend që has vështirësi për t’u parashikuar dhe varet nga blerësi. Blerësit e huaj e shikojnë si një miks për përdorim vetjak në disa vite dhe për ta rishitur pas 5-10 vitesh kundrejt një fitimi të arsyeshëm.
Blerësit shqiptarë e shikojnë vilën si një ambient banimi qoftë për vilat rezidenciale ashtu edhe për vilat në zona turistike. Vetëm 1/10 e pronarëve të vilave i japin me qira vilat e tyre sidomos në zona turistike.

Në zonën e bregdetit të Jugut, oferta është shtuar për sa u përket vilave, duke qenë se disa kompani po zhvillojnë projekte më vila. A ka rrezik që kjo të krijojë mbiofertë në tregun e vilave në Shqipëri? Si mund të ndikojë në nivelin e çmimeve?

Fatkeqësisht ka shumë pak kompani që po investojnë në bregdetin e Jugut me projekte të sakta në vila, ne i përgëzojmë ato pak kompani dhe mundohemi t’i ndihmojmë sa më shumë. Vilat në Jug janë një produkt interesant nëse zgjidhen çështjet infrastrukturore që i mungojnë Jugut, përkatësisht; një aeroport, bypass i Fierit, bypass i Vlorës, dhe rruga e Llogorasë.
Nëse këta faktorë zgjidhen, vilat në Jug bëhen një nga produktet më interesante në Ballkan.

Cilët kategori blerësish kanë interes në blerjen e vilave (këtu mund të bëjmë një profil blerësi, si p.sh. madhësia e familjes, të huaj apo shqiptarë, niveli i të ardhurave)?

Ashtu si në gjithë botën e zhvilluar, vilat ndahen në dy profile blerësish:

Blerësit vendas: Kryesisht blerësit e moshës 35 deri në 55 vjeç, të cilët duke qenë se po krijojnë familje, kanë nevojë për më shumë hapësira, për hapësira të gjelbra dhe ambiente për fëmijët. Kur fëmijët kalojnë moshën 20 vjeç bëhen të pavarur dhe dalin më vete, (kryesisht shkojnë drejt qytetit), si pasojë edhe prindërit e tyre drejtohen drejt qytetit pas moshës 55 vjeç për arsyet e mëposhtme;

Më afër fëmijëve, qendrave spitalore, më pranë me familjarët e tjerë, heqja dorë nga përdorimi i makinave. Ky i fundit, një faktor shumë i rëndësishëm, sepse pas moshës 55 vjeç edhe bie ndjeshëm aftësia për të drejtuar mjetet dhe dëshira për të përdorur makinën, ndërkohë që nëse banon në një vilë, duhet patjetër të kesh një ose më shumë makina në dispozicion të familjes.

Pra është e rëndësishme të kuptohet që në tendenca mbarëbotërore vila përdoret kryesisht në moshën 35 deri 55 vjeç, në momentet kur një familje po zhvillohet dhe derisa fëmijët arrijnë moshën e pjekurisë dhe pavarësisë, më pas tendenca është rikthimi në qendra të urbanizuara.
Blerësit e huaj: të cilët në Shqipëri janë ende të pakët por rriten çdo vit. Kategoria më e madhe e këtyre blerësve janë mbi 40 vjeç, me familje të mëdha dhe kryesisht shqipfolës nga vendet fqinje si Maqedonia dhe Kosova. Zgjedhin Shqipërinë, sepse këtu një vilë kushton të paktën 50% më lirë se në vende të tjera dhe ka akses me makinë disa orë nga banesa e tyre. Ndërkohë blerësit që blejnë nga vende më të largëta janë ose emigrantë të lidhur me Shqipërinë, ose investitorë që futen në projekte për t’i dhënë vilat me qira disa vite dhe të përfitojnë nga rritja e çmimit për një rishitje kundrejt fitimit pas 5-10 vitesh.

 

INTERVISTA 2

Flasin Juliana Nela, Broker RE/MAX Koncept dhe BesardRusi, Broker i RE/MAX Infinity

Kërkesa është për vila të vogla dhe të mesme, çmimet në rritje

Në periferi të kryeqytetit kërkesa më e lartë është për vila të mesme dhe të vogla, pohon Juliana Nela, Broker e agjencisë së pasurive të paluajtshme, RE/MAX Koncept. Ajo shton se çmimi i vilave është rritur ndjeshëm, duke arritur në 1600 euro/m2.

Besard Rusi, Broker i RE/MAX Infinity, pohon se në bregdet, çmimet e vilave që luhaten nga 1500-2000 euro/m2 konsiderohen të shtrenjta dhe konkurrohemi nga Mali i Zi, Kroacia, Greqia, që ofrojnë çmime të ngjashme dhe kanë një infrastrukturë shumë më të mirë sesa tonën si dhe nje prezantim më të hershëm e të konsoliduar në tregun ndërkombëtar.

Si ka qenë kërkesa dhe oferta në tregun e vilave?

Juliana Nela: Kërkesa aktuale i referohet kryesisht komplekseve rezidenciale, në të cilat janë trajtuar me kujdes ambientet e përbashkëta dhe infrastruktura. Kjo mundëson daljen nga qyteti, pluhuri dhe zhurma, duke patur akses shumë të mirë e shpejtësi për të shkuar në qendër të qytetit me pak ose aspak trafik.
Preferohen kryesisht vilat e vogla ose të mesme, me oborr të madh. Privatësia dhe qetësia janë ndër arsyet kryesore për rritjen e kërkeses. Gjithashtu, krahasuar me avantazhet dhe çmimin e apartamenteve në qendër të Tiranës, janë zgjedhje e mençur.

Cilat kërkohen më shumë, vilat brenda zonave urbane apo rurale? Cili është qëllimi kryesor i përdorimit të tyre?

Juliana Nela: Preferohen kryesisht vilat në zona periferike të Tiranës, me akses të shpejtë dhe pranë Qendrave Komerciale.
Përdoren kryesisht si banesë e parë/kryesore. Rritja e kërkesës i referohet kryesisht këtij profili. Por, nuk mungojnë edhe kërkesat për vilë plazhi.

Si është oferta nga aktorët e tregut për këtë produkt të tregut të pasurive të paluajtshme?

Juliana Nela: Vitet e fundit është vënë re një rritje e ofertës në përgjigje të shtimit të kërkesës. Kërkesat specifike, që blerësit potencialë kanë, nuk janë plotësuar në çdo rast duke sjellë në disa komplekse edhe rritje të stokut në pritje të blerësve.
Çmimi për metër katror është rritur konsiderueshëm, duke arritur deri në 1.600 Euro/m2 ndërtim.

Cilat janë zonat kryesore ku po zhvillohet ndërtimi i vilave?

Juliana Nela: Zonat kryesore janë Sauk, Mjull-Bathore, Liqeni i Thatë, Farka. Në zonën bregdetare, zhvillim më të madh nëkomplekse rezidenciale ka patur Gjiri i Lalzit dhe së fundmi në Dhërmi.

Si variojnë çmimet e vilave në Tiranë dhe në bregdet?

Besard Rusi:Çmimet e vilave në Tirane variojnë nga 800 – 1.600 Euro/m2 ndërtim në varësi të kompleksit, vendndodhjes, reputacionit, cilesisë së ndërtimit, lehtësive që ofrojnë dhe densitetit.
Çmimet e vilave në Gjirin e Lalëzit variojnë 800 – 1500 euro/m2.
Çmimi ndryshon sipas afërsisë të vilave me vijën e parë të bregdetit, cilësisë, densitetit dhe politikës së kompanisë ndërtuese për të aplikuar një çmim më të ulët apo më të lartë, referuar perceptimit të tyre për kompleksin.
Përveç çmimit të ndërtimit aplikohet edhe një pagesë shtesë për pjesën e truallit të vilës. Çmimet e truallit variojnë nga 60 deri 100 Euro/m2.

Në tregun e pasurive të paluajtshme a shikohen vilat si një produkt me qëllim investimi (për t’u hedhur në tregun e qirasë apo për rishitje)?

Juliana Nela: Kërkesa kryesore është për përdorim vetjak. Rastet që të merret një vilë për investim janë më të rralla. Megjithatë pritet të ndërtohet ky trend për shkak të çmimit shumë të lartë të qirasë në Bregdet. Çmimet së fundmi në komplekset prestigjioze janë nga 100 -150 Euro/natë.

Në zonën e bregdetit të Jugut, oferta është shtuar për sa u përket vilave, duke qenë se disa kompani po zhvillojnë projekte më vila. A ka rrezik që kjo të krijojë mbiofertë në tregun e vilave në Shqipëri? Si mund të ndikojë në nivelin e çmimeve?

Juliana Nela: Kërkesa për vila dhe për ndërtime cilësore në Jug është e lartë. Por cmimet më të cilat janë propozuar këto projekte janë shumë të larta nga 1’500 – 2000 Euro/m2. Kjo ka bërë që tregu të jetë në konkurrencë edhe me vende të rajonit si Greqia ose Kroacia, Mali i Zi që ofrojnë çmime të ngjashme por kanë edhe infrastrukturë më të mirë se ne dhe disa avantazhe të tjera, ndër të cilat prania e tyre në panaire e vëmendjen e tregut ndërkombëtar të turizmit si dhe një reputacion më i mirë. Kërkohet një promovim total i bregdetit Jonian në kanale ndërkombëtare marketimi si dhe një rritje e përgjithshme e imazhit të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar. Kjo do të lehtësonte shitjen e tyre.

Cilët kategori blerësish kanë interes në blerjen e vilave?

Besard Rusi: Blerësit kryesorë të vilave nëpër komplekset e mëdha që po ndërtohen si në jug si dhe tek Gjiri i Lalëzit janë Shqiptarë nga (Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria) që aktualisht jetojnë dhe punojnë nëpër vendet e Bashkimit Europian, si Gjermania, Belgjika, Danimarka, Austria ose nga Zvicra.

Janë familje me tre ose katër pjesëtarë dhe janë pjesë e shtresës të mesme në shtetet ku jetojnë. Edhe blerësit nga Shqipëria ose Kosova nuk mungojnë por tregu i Kosovës është i orientuar kryesisht drejt Apartamenteve. Blerësit nga Shqipëria i përkasin shtresës të lartë të shoqërisë dhe shpesh janë pronarë biznesesh të mëdha ose profesionistë të lirë si Avokatë, Noterë, Mjekë. Bleresit e huaj realë janë të pakët sepse këto rezidenca me vila janë akoma në fazat e ndërtimit dhe të huajt kanë kërkesë për Vila të përfunduara me Hipotekë dhe infrastrukturë të përfunduar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Baton Haxhiu: Historinë e Berishës po e vret Shkëlzeni dhe Armina

Gazetari dhe publicisti nga Kosova ishte i ftuar në Forumet UET nën...
Read More