Virgjil Muçi: Jemi çmësuar ta shohim realitetin, ndryshe nga drita e të huajve

Virgjil Muçit fituesi i çmimit Kadare 2018 i është dorëzuar dje trofeu me një shumë prej 10 mijë eurosh në një ceremoni të organizuar në Universitetin Europian të Tiranës ku merrnin pjesë personalitete të letrave shqipe, dhe në të njëjtën kohë është promovuar vepra e vlerësuar Piramida e shpirtrave, botuar nga Mapo Editions. Pse zgjodhi një personazh në distancë nga Shqipëria për të ndërtuar një roman?! Muçi përgjigjet: Kjo ishte mënyra më e mirë për të patur një optikë realiste, jo groteske, jo cinike mbi këtë vend”.

Nga Violeta Murati
Pse zgjodhi një personazh në distancë nga Shqipëria për të ndërtuar një roman, si Piramida e shpirtrave?! Fituesi i edicionit të katërt të çmimit Kadare, Virgjil Muçi, përgjigjet: Kjo ishte mënyra më e mirë për të patur një optikë realiste, jo groteskte, jo cinike mbi këtë vend”. Muçi u vlerësua nga juria me veprën në dorëshkrim “Piramida e shpirtrave” me motivacionin “Për mënyrën se si ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor. Një grotesk ndaj banalitetit, i cili kërkon të zbehë njerëzoren, të shenjtën, duke e zëvendësuar me përshtatjen e pafundme”. Romani “Piramida e shpirtrave” është një satirë e asaj që në mënyrë eufemistike si nga politika vendase ashtu edhe të huajt (këtu nuk mbeten pas as mediat) quhet periudhë tranzicioni në Shqipëri. Muçi shprehet se është përpjekur për të dhënë një tablo realiste të së përditshmes shqiptare, edhe pse është i vetëdijshëm se në këtë garë të pabarabartë shpesh realiteti ia kalon fantazisë më pjellore, duke e bërë shkrimtarin të ndihet i pafuqishëm.

Në receptimin e romanit të Muçit, një prej antarëve të jurisë, Agim Baçi tha: Ajo që më ka befasuar tek romani i Virgjil Muçit është fabula, ishte një gjetje. Përgjithësisht ne kemi një mendim për veten se i kemi gjetur të gjitha. Por a jemi gati ta shikojmë veten siç na shikojnë të tjerët? Mark Mara, personazhi i librit, vjen nga Amerika dhe na jep neve një këndvështrim të tjetërt të gjërave rreth e rrotull. Ai na i thotë të gjitha, ndërsa ne habitemi, si ka mundësi? Është një lloj zbulimi. Kjo fabul është e këndshme për t’i shkuar atyre gjërave që duam t’i njohim. Virgjili ka arritur ta ndërtojë këtë format shumë mirë, me kulturën e tij të të shkruarit. Mendoj se është një roman që do tërheqë, jo vetëm nga mënyra e të shkruarit, por se si na zbulon dikush tjetër, mbetet gjithmonë interesante për ne”.

Ndërsa shkrimtarja Diana Çuli u ndal në formatin gjuhësor të romanit të Virgjilit, duke u shprehur se:” E kam ndjekur krijimtarinë e Virgjilit që herët, qysh në fillimet e tij, pasi mendoj gjithmonë se qënia jonë si shkrimtar është të lexojmë njëri tjetrin dhe të dijmë se çfarë shkruhet. Duke referuar librave të Virgjilit, apo përrallat të shkruara prej tij janë një kontribut shumë i madh në letërsinë shqipe, por edhe me këto dy librat e fundit, vura re një sarkazmë, një ironi shumë origjinale dhe rrëfimi shkon në kufinjtë e sureales. Do të qëndroja më tepër tek teknika, gjuha, forma pasi mendoj se Vrigjil Muçi nga përpunuesit më të veçantë të gjuhës shqipe. Është i palodhur, fjala e tij tingëllon, merr ngjyrë”.

Mark Mara – një shqiptar, që nuk kishte shkelur ndonjëherë në Shqipëri dhe, pikërisht vjen si një bir plangprisësh për të zbuluar “dheun e të parëve” dhe befas shikon diçka që, nga iluzioni zbret në një realitet që dërrmon gjithçka. Ky është personazhi i “Piramida e shpirtrave”, që sheh në distancë, ftohtë, kaosin, njerëzit, shpirtrat e tyre në një nga periudhat më të brishta shqiptare, siç ishte koha e piramidave financiare. Shkruar nga Virgjil Muçi, të cilit dje në mjediset e Universitetit Evropian të Tiranës, iu akordua çmimi “Kadare 2018”, shpallur disa ditë më parë në Ditët e Letërsisë Shqipe, në Razëm, – ky autor kërkon diagnozën, zbulimin e vetvetes në një optikë reale. Frymëzuar nga Shpirtrat e vdekur, ku Gogoli është një idhull i Mark Marës, rrethuar me personazhë nga më atipikët, që drejtojnë e pyeten në këtë vend. Ngjarjet dhe karakteret e tyre të duken reale, gati të identifikueshëm me njerëz politikë, dhe në këtë ngasje kemi historitë e rralla, të zullusë shqiptare.

Z.Muçi, pse keni zgjedhur një personazh, në distancë nga Shqipëria, për të ndërtuar një roman?

Pyetje e bukur! Zgjodha këtë personazh për arsyen se ishte mënyra më e mirë për të patur një optikë realiste jo groteske, jo cinike mbi këtë vend. Dikur një miku im, John Hodgson, njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, përkthyes i Kadaresë, Lubonjës e të tjerëve, më thoshte: Ju nuk e kuptoni se si është Shqipëria në sytë e një të huaji. Dhe është e kuptueshme, ne jemi pjesë e këtij realiteti, dhe jemi çmësuar ta shohim. Ose më saktë e shohim në një dritë krejt të ndryshme nga të huajt. Për të nxjerrë në pah atë që unë jam përpjekur të përshkruaj në romanin tim, dhe ta theksoj, ishte e udhës që të kishim një figurë të veçantë siç ishte Mark Mara – një shqiptar, që nuk kishte shkelur ndonjëherë në Shqipëri dhe, pikërisht vjen si një bir plangprisësh për të zbuluar “dheun e të parëve” dhe befas shikon diçka që, nga iluzioni zbret në një realitet që dërrmon gjithçka.

Na ndërmendni të njëjtin realizëm që ka pasur edhe Konica…

Në promovim u përmend edhe Konica, dhe ishte një kompliment shumë i madh për mua të barabitem me Konicën qoftë edhe me një grimë të vogël të veprës së tij.

Ndërkohë e keni quajtur Piramida e shpirtrave që na kujton edhe Gogolin me Shpirtrat e vdekur…Sa ka ndikuar në këtë libër, pse?

Faleminderit për këtë qasje, dhe do t’jua shpjegoj shkurtimisht pse: Gogoli është frymëzuesi i madh në këtë libër me aventurat e Çiçikovit apo me Shpirtërat e vdekur. Dhe jo rastësisht personazhi i frymëzuar prej piramidave financiare që gëlojnë në vend atij i lind ideja – nga leximi krejt rastësisht i romanit të një shkrimtari rus, Gogolit, “Shpirtra të vdekur” – të krijojë një piramidë të vetën, një piramidë shpirtrash, e cila, tekefundit, rezulton të jetë një skemë mjaft e leverdisshme edhe nga ana financiare. Por gjithçka i shkërmoqet ndër duar e merr fund në çastin kur piramidat financiare shqiptare falimentojnë dhe vakuumi i krijuar prej tyre i lë vendin kaosit e katrahurës. A është ky fundi i Mark Marës dhe i ëndrrës së tij apo fillimi i diçkaje të paparashikuar?

Më sillni ndërmend një model libri, publicistik nga Mit’hat Frashëri në një përmbledhje me autorë të huaj që kanë udhëtuar këtu, dhe kanë hedhur përshtypjet e tyre se si e kanë parë Shqipërinë. Janë disa figura në këtë hartën tonë letrare që e sjellin këtë vështrim mbi shqiptarët, ku tani ju përfshijmë edhe juve. Aq e vështirë është të çmontohet së brendshmi kjo Shqipëria jonë, me këtë lloj intelektualizmi që e ka shoqëruar në këto tri dekada postkomuniste?

Nisur nga shembujt që përmendëm, kam përshtypjen se po, është shumë vështirë ndryshimi i shqiptarëve. Sepse duhet ndryshuar komplet optika, ajo që më thoshtë dikur John Hodgson, që e solla më lart. Kështu që mendoj se mënyra më e mirë për të parë Shqipërinë është distanca dhe nga jashtë për t’i parë gjërat. Ndoshta kjo lloj esëllsie, ky vështrim realist do të na bënte mirë, për të kuptuar si duhet defektet tona. Duke njohur defektet tona, duke i kuptuar sikurse na i sjellin të huajt, ne ndoshta do çlirohemi nga disa brenga dhe mëkate.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Hurma arabie me qumësht – Kura që bën mrekulli për shëndetin

Është një ndër kurat më të lashta popullore përdorur mijëra vite më...
Read More
CLOSE
CLOSE