Virgjil Muçi: Letërsia shqipe nuk ka seks

“Nëse një marsian do të lexonte letërsinë tuaj do të pyeste se si shumohen këta njerëz pasi në letërsinë tuaj nuk ka seks”. Virgjil Muçi, fituesi i çmimit Kadare 2018, huazon këtë shprehje nga përkthyesi i njohur i shqipes John Hodgson për të treguar fshehjen e erosit në letërsinë shqipe.

Në një vidio-promo mbi romanin “Piramidat e shpirtrave” me të cilin fitoi çmimin e madh, në bisedë me Alda Bardhylin, ata përpiqen të shpjegojnë pak karakterin e personazhit kryesor të këtij libri Mark Marës.

Nëse Mark Mara do të shkruante një letër dashurie, kujt do t’ia dërgonte?

Ndoshta mund t’ia drejtonte vetes, duke qenë se Mark Mara është një krijesë egocentrike, por mund t’ia dërgonte edhe një të dashure imagjinare, mund t’ia dërgonte gruas, me të cilën ai është divorcuar gjatë kohës që ishte në Amerikë për shkak të një procesi të gjatë hetimor dhe burgut që ka bërë atje, pra kjo është një pyetje që deri në fund dhe vetë autori nuk mund t’i përgjigjet dot saktë, do ngelet pa përgjigje.

Nëse përgjigjja do t’i vinte nga e dashura imagjinare, cilat do të ishin rreshtat e para që ajo do t’i shkruante në letër?

E dashura imagjinare është e zhgënjyer nga Mark Mara, ashtu siç edhe vetë Mark Mara është i zhgënjyer nga vetja dhe nga ky realitetet ku ata kanë jetuar. Në fund të fundit, ai vjen në Shqipëri për të gjetur një realitet të dytë dhe kthehet si biri plangprishës. Mark Mara beson dhe nuk beson te Zoti, është amerikan dhe nuk është në të njëjtën kohë, vjen në Shqipëri për t’u bërë shqiptar dhe nuk bëhet dot. Ky është Mark Mara, figurë shumë e çuditshme.

Të gjithë ata që lexojnë letërsinë tuaj përpiqen të gjejnë diçka nga Bukowski, të njëjtën gjë jam përpjekur të gjej edhe te Mark Mara teksa e lexoja. Kemi shumë personazhe në historinë e letërsisë shqipe ku burrat e fshehin erosin, të njëjtën gjë më duket sikur përpiqet të bëjë edhe Mark Mara…?

Kjo është pyetje shumë e bukur, kemi burra që përpiqen ose më saktë shkrimtarë që përpiqen ta fshehin erosin dhe më kujtohet një shprehje nga miku im John Hodgson, njohës shumë i mirë i shqipes dhe i letrave shqipe, ndër të tjera përkthyes i Kadaresë, Lubonjës etj, i cili dikur më thoshte, në qoftë se një marsian do përpiqej të njihte realitetin shqiptar duke lexuar letërsinë shqipe, ai nuk do kuptonte gjënë më thelbësore të qenies njerëzore, si shumohen këta njerëz pasi letërsia juaj nuk ka seks. Në fakt, Mark Mara përpiqet të bëjë seks po dhe këtu dështon si në Shqipëri ashtu dhe në seks.

A jeni ndarë ju me Mark Marën?

Për hir të së vërtetës, nuk jam divorcuar me Mark Marën, ashtu siç edhe ai nuk është divorcuar me Shqipërinë. Mendoj që mund të ketë dhe duhet të ketë një vazhdim të dytë. Mark Mara ka një dëshirë duke qenë se tani nuk vjen si biri plangprishës, tani ai dëshiron të kthehet në Shqipëri me ambicie, ego dhe me plane shumë më të mëdha.

Dhe cila mund të jetë ëndrra më e madhe në Shqipëri?

Të hysh në politikë. Të bësh një parti dhe të hysh në politikë dhe të arrish majën e pushtetit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Pse ndryshoi qëndrim Edi Rama dhe çfarë do ndodhë me Tahirin?

Të mërkurën e kësaj jave Edi Rama dha mesazhin se e kishte...
Read More