Virgjil Muçi: Në këtë moment do dëshiroja të isha zezak, e të dija shqip

A arrin shqipja të përmbushë çështjet e gjuhës “politikisht korrekte”?! Për ta hapur këtë diskutim ka mjaftuar ardhja në shqip e romanit distopik të Malorie Blackman, “E bardha dhe e zeza”, përkthyer nga Virgjil Muçi. Në mjediset e “Friend’s Book House”, përkthyes e shkrimtarë kanë ndalur në një rreth modest tavoline duke rimarrë çështje të përkthimit, nëse përdorimi në shqip a e ka bërë dallimin e disa termave që sot fjalori europian i ka unifikuar me terma të rinj.

A arrin shqipja të përmbushë çështjet e gjuhës “politikisht korrekte”?! Për ta hapur këtë diskutim ka mjaftuar ardhja në shqip e romanit distopik të Malorie Blackman, “E bardha dhe e zeza”, përkthyer nga Virgjil Muçi. Në mjediset e “Friend’s Book House”, përkthyes e shkrimtarë kanë ndalur në një rreth modest tavoline duke rimarrë çështje të përkthimit, nëse përdorimi në shqip e ka bërë dallimin e disa termave që sot fjalori europian i ka unifikuar me terma të rinj.

Duke sjellë përvojën personale nga përkthimi i veprës së Malorie, përkthyesi e kritiku Virgjil Muçi ka folur gjatë duke e konsideruar risi dhe një “zbulim” në çështjet e paragjykimeve racore në mendësinë tonë, shqiptare. Duke krijuar këto raporte perceptimi, Muçi tregoi se ishte skeptik kur nisi përkthimin “E bardha dhe e zeza”, që shumë shpejt e ktheu në ujërat e tij. Më shumë se sa përkthyes i librit, Muçi ka sjellë vështrimin e tij kritik si e ka parë këtë roman. “Janë dy çelësa në shikimin tim, në romanin e Malorie Blackman jo vetëm për këtë roman, por në të gjithë sagën e shkruar prej saj, me këtë personazh e tematikë, në gjithë opusin e veprës së saj”.

Çelësi i parë: Malorie Blackman i duket një pasuese e denjë e shkrimtarëve të mëdhenj të romanit distopik anglosakson, jo thjesht britanik, duke përfshirë këtu edhe autorët amerikanë, si Aldous Huxley me veprën “Brave new world” dhe George Orwell, me romanin “1984”. Në origjinal titulli i romanit është “Noughts and Crosses” dhe përkthyesi përmend se ishte një gjetje e botuesit përkthimi në shqip “E bardha dhe e zeza”, duke e konsideruar në vazhdën e romanit distopike. “Kemi të bëjmë me një shoqëri distopike, të kthyer përmbys, jo me një shoqëri utopike, por të kundërtën e saj. Një shoqëri ku të bardhët janë skllevër të njerëzve me ngjyrë, dhe raca superiore janë njerëzit me ngjyrë. Në këtë drejtim përpiqem të jem shumë i kujdesshëm në terma, siç është sot gjithë bota anglosaksone sot në termat që konsiderohen si përçmues e fyes. Kjo ishte një gjetje e mrekullueshme që e bën të veçantë veprën e Malorie Blackmanit”. Të gjithë njerëzit e famshëm që kanë bërë zbulime në shoqëri janë njerëz me ngjyrë.  Këtë ka mësuar Kaluni, personazhi kryesor, në shkollë nga mësuesit. “Deri në atë ditë nuk e kisha menduar se një pjesë e madhe e zbulimeve, si: shkencëtarë, shkrimtarë, filozofë etj., që ne i njihnim se ishin njerëz të bardhë, ishin njerëz me ngjyrë, flas për shoqërinë reale konkrete. Kjo të krijon një efekt dhe ti e kupton se sa larg shkon, kur mëson se zbulues ishin edhe njerëzit me ngjyrë. Kjo risi, kjo gjetje, të shtie në mendime se ti në thelb nuk ke paragjykime racore, por te ty kanë bërë vend këto lloj paragjykimesh, në një mënyrë apo një tjetër, pa e kuptuar as ti vetë”.

Çelësi i dytë: Malorie Blackman është vazhduese e denjë e traditës së përkryer anglosaksone, dhe asaj që zë fill me tragjizmin shekspirian- thotë përkthyesi Virgjil Muçi. Ku e sheh këtë tragjizëm? Muçi tregon se janë dy personazhet e romanit, Kaluni dhe Sefi, të cilët në thelb nuk janë gjë tjetër veçse një Romeo e një Zhuljetë në versionin modern. “Por një Romeo e Zhuljetë me ngjyrë, me problemet dhe jetët e tyre, që vijnë nga familje që për shkak të racës krijojnë kontraste të forta dhe, janë pjesë e një shoqërie që mohojnë njëra-tjetrën. Dhe në fund fare, janë dy të rinj që pavarësisht ngjyrës, lëkurës dashurojnë fort njëri-tjetrin dhe për këtë paguajnë çmim më të lartë. Kaluni e paguan me kokë, përfundon në litar, dhe Sefi mohohet nga familja dhe shoqëria e saj”.

Diskutimi që ngre përkthyesi është termi paragjykues që ende e ka të pazgjidhur shqipja.

E në këtë kontekst ndalet të thotë se Malorie na jep të kuptojmë se ngjyra e lëkurës nuk është gjë tjetër veçse një konvencion, që sot është, nesër ndryshon. Duke qenë vetë një njeri me ngjyrë, ajo këtë shqetësim ka shprehur.

“Leximi që jam përpjekur t’i bëj këtij libri, kthimi në shqipen e sotme ishte relativisht i vështirë, por gjithsesi ishte një përvojë e këndshme, që më pasuroi edhe mua me një spektër ndjesish që nuk i kisha njohur e përjetuar, në atë shkallë që Melorie Blackmani bën t’i përjetosh. Novacion ky roman për letrat shqipe, dhe për një autor si Blackman te ne”, ka thënë përkthyesi. Diskutimi mbi termat e racave, si zezak, çifutë, arixhinj, ciganë kanë përplasur përkthyesit e shkrimtarët e pranishëm ku ndër të tjera shkrimtarja Diana Çuli tha se “fjalori europian ka unifikuar terma të rinj për ngjyrimet e sjella nga gjuhët. Terminologjia europiane i ka nxjerrë nga përdorimi duke i unifikuar ato”. Ndërsa botuesi Petrit Ymeri jep mendimin se vetëm përdorimi do të bëjë dallimin e termave që mbajnë konotacione dhe ngjyrime gjuhësore. Për këtë çështje, lidhur edhe me përvojën e përkthimit të romanit të Blackman, Muçi u shpreh: Në këtë moment do dëshiroja të isha zezak, e të dija shqip. Çështja e racave sot është çështje kulturore, me termat e së cilës hasim të gjithë, përkthyes, shkrimtarë e gazetarë. Gjuhëtarët tanë, mendoj se pas kaq viteve nga rënia e komunizmit nuk mendoj se u janë përgjigjur evoluimit, e ndryshimit që pësoi shoqëria shqiptare pas hapjes. Për racat ka terma të rinj, që kanë hyrë dhe janë krejtësisht të diskutueshëm. Realisht nuk jam në gjendje të them se sa korrekt nga ana politike është termi zezak. Termi black people nuk është i pranueshëm sot në Amerikë, por përdoret termi njerëzit me ngjyrë.

Ky libër është në kolanën me 10 tituj, të projektit “Differents voice” të botimeve Dituria, si pjesë e programit të BE-së, Creative Europe. Botuesi Petrit Ymeri thotë se ky është një libër risi, jo vetëm si vepër letrare, por për kumtin që sjell, të rrahur shpesh në editorinë tonë, qoftë për vepra origjinale por edhe të përkthyera sa iu takon çështjeve të dallimeve e përplasjes së racave. Gjithashtu, Ymeri ka tërhequr vëmendjen te përkthyesit e mirë të shqipes, që deri dje pengesë ishin kufijtë, izolimi nga regjimi, ndërsa edhe sot kur dyert dhe dritaret janë të shqyera ndaj mundësisë së shqipes për të marrë nga kulturat e tjera, pozicioni i përkthyesit vazhdon të jetë po aq i rëndësishëm sa edhe më parë, për t’u hapur ndaj botës me autorë, tema, ide. V.M

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kompromisi i pamundur për Teatrin!

Nga Gentian Kaprata Sikurse pritej, antagonizmi për çështjen e godinës së Teatrit...
Read More