Vjeshta politike e Edi Ramës

Ky editorial u publikua nga revista Mapo, edicioni aktual gjendet tashmë në shitje në çdo pikë

Nga Luljeta Progni

Tonelata me kanabis u kultivuan në Shqipëri dhe u kapën nga policia italiane e ajo greke. Shifrat katastrofike të drogës, që u kultivua në Shqipëri dhe kaloi kufirin italian pa asnjë shqetësim nga policia shqiptare janë provë e padiskutueshme e përfshirjes së strukturave të shtetit në trafik droge.

Me dhjetëra raste të deputetëve socialistë e zyrtarëve të lartë të qeverisë Rama, u faktuan se vinin nga bota e krimit, u formuluan qindra akuza për afera korruptive të ministrave e zyrtarëve të tjerë të qeverisë Rama, por edhe kryebashkiakëve socialistë në katër vitet e kaluara. Për këtë bilanc padyshim që përgjegjësia bie mbi vetë kryeministrin, të paktën ajo morale. Vetë Rama, ndoshta kurrë nuk e kishte menduar se do të rezultonte një bilanc i tillë, e aq më pak të tjerët që e njihnin prej kohës kur ishte ende një idealist.

“Ajo çka unë i vlerësoj Edit, është sidomos idealizmi. Vetëm një miniaturë figurash si ai, kanë mundësinë e të qenit, ngaherë të pakomprometueshëm”, kështu e pati portretizuar Edi Ramën i ndjeri Arbën Xhaferri. Në ato fillime të Edi Ramës, shqiptari i mirë, Arbën, besonte verbërisht se Rama ishte i pakomprometueshëm. Por kohët kanë ndryshuar. Kanë kaluar 20 vjet dhe Arbën Xhaferri nuk jeton më, po ashtu as besimi se Edi Rama është i pakomprometueshëm.

Në ato fillime të tij, Edi Rama, kishte ndërtuar rreth vetes mure aq të forta sa Arbën Xhaferrit i dukej se kurrë nuk do të prisheshin e do të ktheheshin shpejt në një kështjellë prej rëre.

Ishte viti 1998 kur Edi Rama vendosi ta braktisë kullën e ngurtë që kishte ndërtuar rreth vetes, si një publicist i spikatur, njeriu idealist, pa kompromis me të keqen, pa kompromis me injorancën e pisllëkun e pushtetit. E la në mes të rrugës atë që kish ndërtuar e që ish dukur deri atëherë si një rrugë pa kthim, për të devijuar në një rruge të re, drejt politikës. Ai premtoi se edhe në këtë rrugë do të ishte i pakomprometueshëm. Megjithatë u deshën vetëm pak vite që të hynte në të njëjtat hulli ku kishin kaluar ata, për të cilët kishte shkruar plot neveri, për politikanët e korruptuar e pushtetarët autoritarë.

Në krye të bashkisë së Tiranës, Rama nisi të shijojë pushtetin dhe kjo shije që po e afronte drejt dyerve të politikës për të ndërruar një mandat me një tjetër më të pushtetshëm, po aq shpejt e largonte nga koha kur kishte premtuar se do të mbetej jashtë atij gardhi ku ishin futur politikanë e pushtetarë që ishin aty për të marrë e jo për të dhënë, “në atë parajsë qejfesh të shthurura”.

Muret që Edi Rama i vitit 1998, kishte ngritur rreth vetes, nisën të shkërmoqen në mandatin e dytë dhe të tretë si kryebashkiak. Dalëngadalë ai do të shfaqej pa mure e pa perde, i ekspozuar ndaj çdo lloj kompromisi me këdo e në çdo kohë vetëm për të marrë sa më tepër pushtet. Kjo grykësi e tij kulmoi me kohën e “aleancës së qelbësirave”, kur Edi Rama, kryetar i PS-së në opozitë për 4 vite, ftoi rreth tij çdokënd që ishte kundër Berishës e që mund të bëhej kundër Berishës. Kështu, pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, Rama u bë kryeministër.

Kanë kaluar rreth pesë vjet dhe sot Edi Rama është kryeministër i qeverisë më të akuzuar për korrupsion e trafik droge në të gjithë historinë e këtyre 27 viteve. Është qeveria ku janë konstatuar më shumë kriminelë se të gjitha qeveritë e mëparshme të marra së bashku dhe shumë prej tyre u faktuan si të tillë. Është qeveria që ka prodhuar më shumë skandale korrupsioni në gjithë historinë e tranzicionit shqiptar.

Sepse Edi Rama jo vetëm që nuk ishte dhe nuk është i pakomprometueshëm, por është kryeministri që qeverisi në një periudhë kohe ku mundën të trafikoheshin 900 tonë kanabis dhe për këto statistika nuk ka rëndësi nëse gjenden prova apo jo. Shifrat janë kokëforta.

Këto ditë vjeshte, Edi Rama është gjendur në një betejë të madhe me veten dhe qeverinë e tij përballë opinionit, që tashmë e di mirë se krimi dhe korrupsioni kanë penetruar deri në majat më të larta të qeverisë së tij.

Në kulmin e akuzave për ish-ministrin e tij të Brendshëm, Edi Rama detyrohet ta mbrojë duke ia ruajtur gati me dhunë imunitetin për ta shpëtuar nga burgu. Nuk e dimë nëse po sakrifikon kaq shumë për Tahirin sepse është i bindur për pastërtinë dhe aftësinë e tij në detyrën që kishte edhe pse përballë ka shifrat e tonelatave me kanabis, apo diçka tjetër e detyron ta bëjë këtë.

Ish-ministri i tij, Saimir Tahiri, akuzohet për bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sipas Ramës këto janë sulme politike të prokurorisë së “kapur nga opozita”, por pritet që këtë vjeshtë do të vazhdojnë të tjera telashe të kësaj natyre për Edi Ramën, sepse media premton për “prova e fakte” që tregojnë për implikime edhe të kryeministrit në afera të ngjashme.

Ndoshta ka për ta qeverisur këtë vend këtë vjeshtë e stinë të tjera pas saj, por është e sigurt se Edi Rama e ka humbur përgjithmonë atë çfarë patën besuar miqtë e tij të kohëve të hershme, të qenit i pakomprometueshëm. Madje mund ta ketë humbur prej kohësh, por kjo vjeshtë ia ka shpëlarë të gjithë propagandën “ne po bëjmë shtet” sepse të gjitha statistikat vërtetojnë të kundërtën. Në këtë numër reviste do të gjeni një artikull të plotë për dosjen “Tahiri”, ku përmblidhen shumë detaje në katër vite akuza ndaj ish-ministrit të Brendshëm shoqëruar me shifrat e trafikut të drogës.

Cover i këtij numri është “akti i themelimit”, historia 15-vjeçare e Universiteteve private në Shqipëri, si dhe të tjera materiale interesante.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

SHBA-Kore e Veriut, vringëllimi i rrezikshëm i shpatave

Nga Miodrag Soric, Deutsche Welle Donald Trump kërcënon Korenë e Veriut me “zjarr,...
Read More