Vlorë: PD, LSI e PDIU në garë për t’i marrë mandatin Ramës

PS ka të sigurta 6 mandate në këtë qark, ndërkohë që mandati i 7-të që i përket Ramës është i diskutueshëm. PD ka të sigurta vetëm 4 mandate dhe LSI 1. Në rast se ato do duan të marrin një mandat tjetër duhet të synojnë mandatin e Ramës. PS neutralizon ndikimin e Koço Kokëdhimës me afrimin e Arben Malajt 

Nga Fejzi Braushi

Kryeministri Edi Rama ka vendosur një bast të vështirë për vete kur ka kërkuar që të jetë i shtati në listën shumemërore të kandidatëve në Qarkun e Vlorës.

Kjo pasi duke iu referuar rezultateve të 2013 dhe faktit që PS del pa aleatët ndërsa opozita konkurron në siglën e PD-së, socialistët e vënë në diskutim mandatin e shtatë në këtë zonë zgjedhore.

Në rast se ata do kenë një rënie me afro 5 mijë vota në këtë qark, do ta humbisnin mandatin e shtatë në këtë qark. Natyrisht që situata do të komplikohej edhe më shumë në rast se demokratët do të kenë një rritje të vogël.

Në këtë rast mandati Ramës do të ishte edhe më shumë i rrezikuar.

Ndërkohë që në rast se rezultati votave nuk do të ndryshojë në raport me 2013, atëherë PS do të marrë 7 mandate, PD 4 dhe LSI.

Në garë në këtë qark është edhe PDIU, e cila me afro 2500 vota të tjera do të ketë mundësi të marrë mandate.

Ndërkohë që LSI e ka të sigurt mandatin e saj dhe do t’i duheshin edhe afro 6 mijë vota të tjera të merrte mandatin e dytë.

Pra, është interesant fakti se të gjitha rastet, pra edhe nëse PD do të marrë mandatin e pestë, edhe nëse LSI do të marrë mandatin e tyre dhe nëse PDIU do të marrë 1 mandat, ajo që e humbet është PS, pra mandati i Ramës.

Sa iu përket kandidatëve edhe në këtë qark kemi një përfaqësim të kombinuar mes politikanëve të karrierës dhe biznesmenëve.

Vlen të theksohet se PD kryeson listën me një biznesmen, PS ka të dytin në listë një biznesmen dhe PDIU ka dy kandidatët e parë biznesmenë.

Ballafaqimi në vota

Bazuar në votat e zgjedhjeve të vitit 2013 dhe duke i llogaritur ato sipas konfigurimit të ri që ka fleta e votimit në zgjedhjet e 2017-s, pra duke marrë parasysh që partitë e majta nuk konkurrojnë në koalicion, ndërsa opozita ka preferuar që të konkurrojë e gjitha nën siglën e PD-së, 12 mandatet në Qarkun e Vlorës do të ndaheshin: 7 PS, 4 PD dhe 1 LSI.

Vlen të sqarojmë se PD-së i kemi llogaritur votat që ka marrë opozita në 2013, por duke i zbritur votat që ka marrë PDIU e cila në këto zgjedhje konkurron më vete dhe duke i shtuar votat që ka marrë PBDNJ e cila në këto zgjedhje konkurron nën siglën e PD.

Socialistët duket se nuk humbasin gjë nga fakti që konkurrojnë në këto zgjedhje pa koalicion. Madje përkundrazi në këto zgjedhje në rast se do arrijnë të marrin të njëjtin numër votash si në 2013 ata do të marrin një mandat më shumë.

Kështu në 2013 ata morën 56481 vota të përkthyera në 6 mandate. Ndërsa sot po me aq vota ata do të siguronin 7 mandate.

Kjo shtesë vjen nga fakti se në zgjedhjet e shkuara PS duke dalë në koalicion 2 mandate ia morën aleatët, 1 LSI dhe 1 PBDNJ.

Ndaj në këtë qark PS është e favorizuar nga fakti që del më vete, pa koalicion. Ky është numri maksimal i mandateve që mund të marrë PS në këtë qark pasi që të pretendojë mandatin e 8 do duhet të marrë në zgjedhjet e ardhshme më shumë se 10 mijë vota të tjera.

Ndërkohë që ajo e ka të siguruar mandatin e saj të shtatë me afro 5 mijë vota.

Pra ajo duhet të humbas në raport me 2013 afro 5 mijë vota që të humbasë mandatin e 7.

Nga ana tjetër, demokratët nuk do kenë ndonjë shtesë në mandate në raport me 2013, kjo për vetë faktin se ajo vërtet me 37 mijë vota do të merrte në këto zgjedhje 4 mandate, por të sajat do të kishte vetëm tre pasi një do i shkojë PBDNJ-së.

Nga ana tjetër, PD nuk përfiton asnjë mandat më shumë nga votat që i sjellë PBDNJ në këtë qark, pasi ajo mandatin e saj të katërt e ka të siguruar me afro 9 mijë vota, ndërkohë që PBDNJ në zgjedhjet e shkuara ka marrë afro 6 mijë vota.

Ndërkohë që të marrë mandatin e saj të 5 në këtë qark, PD-së i duhet të marrë dhe afro 4 mijë vota të tjera.

Në këtë rast mandati do t’i ikte PS-së dhe jashtë parlamentit do të mbetej Edi Rama, i cili është i renditur i shtati në listën shumemërore të PS-së në Vlorë.

Por demokratët mund t’i dëmtojë në këtë zonë pikërisht votat e komunitetit çam, të cilët e shohin kandidatin e tyre në listat e PD-së të renditur pas kandidatit të PBDNJ-së, Vangjel Dules.

Sa i përket LSI-së, ajo me 10552 votat që ka marrë në zgjedhjet e shkuara e ka të sigurt një mandat edhe në këto zgjedhje. Ajo do duhet të ketë një rënie me afro 2500 vota që të vërë në rrezik mandatin e saj, kjo për vetë faktin se pragu për të marrë një mandat deputeti në këtë qark rezulton të jetë 8 mijë vota.

Ndërkohë që nëse ajo do arrijë të marrë 6 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e shkuara, pra nëse arrin në afro 16 mijë vota do arrijë të marrë mandatin e saj të dytë.

Në këtë rast mandatin ajo do ia merrte PS-së. LSI do e marrë mandatin e dytë edhe nëse ka një rritje me 5 mijë vota dhe PS ka një rënie me 3 mijë vota. PDIU në zgjedhjet e shkuara ka marrë 6700 vota të cilat nuk arrin t’i kthejë në një mandat.

Asaj do t’i duhen që në këto zgjedhje të marrë afro 8300 vota që të ketë mundësi të marrë 1 mandat. Edhe në të rast mandatin do ta humbiste PS.

Ballafaqimi i kandidatëve

Ashtu si edhe në Qarkun e Fierit edhe në Vlorë socialistët kanë ndjekur të njëjtën strategji, ku emrin më të rëndësishëm e kanë renditur të fundit në pozicionet fituese.

Kryetari i PS  ka sfiduar duke u renditur i shtati në listën e socialistëve.

Në bazë të rezultateve të 2013-s ka të sigurta 6 mandate në këtë qark, ndërsa mandati i shtatë është i diskutueshëm dhe do të varet shumë si nga vetë rezultatet që do marrë PS, ashtu edhe nga rezultatet që do të marrin forcat e tjera.

Ndaj kryesimi i listës në këtë qark PS ia ka besuar ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri, i cili përveçse njeh mirë realitetin lokal në Vlorë, është dhe një nga njerëzit që njeh shumë mirë proceset zgjedhore.

Në vend të dytë në listën e PS-së është e renditur Vilma Bello, e cila vjen nga fusha e universitetit ku ka një përvojë të gjatë si pedagoge.

I treti në listën e PS-së është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Gjiknurit, juristi Alket Hysenaj, i cili ka mbajtur pozicionin e Komisionit të Garancive Statutore në PS dhe më pas drejtor i Pastrimit të Parave. Hysenaj ka marrë përsipër fushatën në zonën e Sarandës.

Në vendin e katërt në listën e PS-së është i renditur Vullnet Sinaj, i cili është një nga biznesmenët më të fuqishëm në vend. Ai zotëron një prej rrjeteve më të mëdha të supermarkeve në vend.

I pesti në listën e PS-së është renditur Andrea Marto, i cili vjen si përfaqësues i minoritetit grek.

Atij i është lënë të mbulojë pikërisht Delvinën dhe zonat minoritare, në Himarë dhe Finiq. Natyrisht Vlora ka të veçantat e veta në këto zgjedhje, pasi faktorë të ndryshëm mund të ndikojnë pozitivisht apo negativisht për PS-në.

Kështu PS shkon me një disavantazh në këto zgjedhje pasi një nga emrat e saj të njohur dhe me influencë në qarkun e Vlorës, Koço Kokëdhimën e ka kundër.

Nuk dihet se cili do jetë ndikimi që mund të sjellë qëndrimi i tij kundër Ramës, por dihet se ai gëzon një mbështetje në zonën e Himarës dhe fshatrave të saj, si dhe në Sarandë.

Por duket se PS është përpjekur ta neutralizojë këtë efekt negativ me afrimin e një tjetri emri të rëndësishëm dhe që ka po ashtu mbështetësit e tij në Vlorë.

Bëhet fjalë për ish-ministrin e Financave, Arben Malaj, i cili në zgjedhjet e shkuara kandidoi i pavarur në Vlorë duke arritur të marrë më shumë se 3 mijë vota.

Partia Demokratike kryesimin e listës së saj në Qarkun e Vlorës ia ka besuar Agron Shehajt.

Ai është biznesmen dhe që vepron në fushën e call center-ve.

Qarku i Vlorës përbën rastin e veçantë ku Partia Demokratike ndryshe nga të gjitha qarqet e tjera ku të parët janë renditur politikanë apo intelektualë, ia ka besuar një biznesmeni duke e renditur atë edhe para figurave të njohura politike dhe drejtuese të PD-së.

E dyta është renditur gjithashtu një kandidate tjetër që vjen nga baza e demokratëve dhe një përfaqësuese e ish-të përndjekurve.

Ajo është Nadire Meçorapaj, e cila ka mbajtur deri para pak kohësh pozicionin e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak.

I treti në listën e PD-së për këtë qark është renditur Vangjel Dule, kryetari i PBDNJ-së, i cili gjithashtu e ka të sigurt një mandat të ri në këtë qark.

Në vend të katërt në listë është vendosur, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, praktikisht numri dy i kësaj force, Arben Ristani.

Nuk dihet se cilat janë arsyet që e çuan Bashën që ta rendiste Ristanin të katërtin në listën e Vlorës, por ajo mund të shihet edhe si një kundërpërgjigje ndaj veprimit që bënë edhe socialistët për ta renditur kryetarin e PS-së të shtatin në këtë qark, për të treguar se ata i kanë të sigurta kaq mandate.

Pas Ristanit në listën e PD-së është renditur Dashamir Tahiri që përfaqëson komunitetin çam, por që ka shumë pak shanse që të zgjidhet deputet.

Sa i përket mbulimit të fushatës, Agron Shehaj ka marrë përsipër Vlorën, Ristani Sarandën dhe Delvinën, Dule Himarën dhe zonat minoritare të Sarandës dhe Delvinës dhe Tahiri zonat ku ka një përqendrim më të madh të popullsisë çame.

Lëvizja Socialiste kandidon në Qarkun e Vlorës me një listë që kryesohet nga Shezai Rrokaj, një emër i njohur i botës akademike shqiptare dhe që ka mbajtur pozicionet më të larta drejtuese në Universitetin e Tiranës.

Ai në 2016 u zgjodh zëvendës/rektor i Universitetit të Tiranës, ndërsa ka qenë edhe kryetari i LSI-së në Tiranë.

Kandidimi i Rrokajt në Vlorë si i pari në listë mund të konsiderohet edhe si një shpërblim për pranimin nga ana e tij që të bëhej pjesë e garës për kryetar të LSI-së vitin e shkuar përballë Ilir Metës.

Pas tij në listë është renditur ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj, i cili gjithashtu njihet si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Metës që nga themelimi i LSI-së.

PDIU është kujdesur që edhe në këtë qark të përzgjedh emra që përfaqësojnë si komunitetin çam ashtu edhe të kenë mundësi financiare për të përballuar fushatën.

Listën e kryesor Tahir Muhedini, deputet aktual i PDIU-së, njëkohësisht përfaqësues i biznesit.

I dyti në listën e PDIU-së në këtë qark është renditur Arjol Shero, gjithashtu një përfaqësues i biznesit.

Ndarja e mandateve sipas votave të 2013-s

Partia Socialiste 56481 vota (50.86%): 7 mandate

Partia Demokratike 37237 vota (33.53%): 4 mandate

Lëvizja Socialiste për Integrim 10552 vota (9.50%): 1 mandat

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet 6782 vota (6.11%)

Shkruar Nga
More from revista mapo

Dhuna në fuboll është veç formë e tribalizimit britanik

Nga Paul Beaumont, The Independent Duket sikur ekipi kombëtar i futbollit të Anglisë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *