Vokshi-kritikëve të Bashës: Lufta kundër krimit qeveritar, mbi çdo gjë

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi, flet për situatën politike në vend, aksionin politik të opozitës, bashkëpunimin me LSI-në dhe qëndrimin që ajo ka ndaj kritikëve të Bashës

Intervistoi: Nevila Perndoj

Revista Mapo

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi, shprehet se “çështja ‘Tahiri’ është skandali më i madh shtetëror dhe vetëm maja e ajsbergut”. “Në një shtet normal Kryeministri do të ishte dorëhequr dhe Qeveria do të kishte rënë. Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon arrestimin e ish- ministrit të Brendshëm, si i dyshuar për suport dhe përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Evropës dhe Kryeministri e mbron për të zhdukur provat, që do ta implikonin direkt atë vetë në këtë trafik…”, shprehet Vokshi në një intervistë për Revistën “Mapo”. Për këtë arsye, ajo nënvizon se, Partia Demokratike do të përdorë të gjitha mjetet demokratike, institucionale dhe ligjore në betejën me krimin. Vokshi flet edhe për bashkëpunimin me LSI-në dhe jo vetëm. Ajo përcjell gjithashtu një mesazh të qartë për mbështetësit, por edhe kritikët e Bashës, teksa nënvizon se, “asgjë nuk duhet të jetë më e rëndësishme në këtë kohë se sa luftimi i krimit qeveritar”.

Znj. Vokshi, çështja “Tahiri” duket se e shpejtoi nisjen e debatit të nxehtë mes qeverisë dhe PD-së që në nisje të kësaj legjislature. Si i shikoni zhvillimet e afërme politike dhe sa gjasa ka që kjo situatë të ndikojë në realizimin e reformave të rëndësishme të kërkuara nga opozita, siç është ajo për reformën zgjedhore?

Çështja “Tahiri” është dosja tronditëse që provon se Edi Rama është bërë palë me krimin. Çdo ditë po del e qartë për qytetarët se klanet mafioze kanë përcaktuar kabinetin qeveritar. Çdo ditë po del qartë që shumë deputetë janë në Parlament prej parave të drogës e krimit. Çdo ditë po vërtetohen të gjitha denoncimet që Partia Demokratike ka bërë në 4 vitet e Qeverisjes Rilindase të Edi Ramës. Çdo ditë faktet e reja po vërtetojnë që zgjedhjet në Tiranë dhe Shqipëri tashmë kanë rënë.

Pas 4 viteve, Ramës i ka mbetur veçse ta shpallë zyrtarisht Shqipërinë “Republikë të Krimit” me kontratën: në institucione trafikantët, në burgje qytetarët dhe intelektualët!

Kjo e Ramës ka qenë Qeverisja më e keqe dhe më e rrezikshme për vendin që ka nisur me shpopullimin e dhjetëra qyteteve, varfërimin e më shumë se gjysmës se popullsisë dhe kthimin e Shqipërisë në parajsën e mafies së drogës, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe mbetjeve toksike!

Çështja “Tahiri” është skandali më i madh shtetëror dhe është vetëm maja e ajsbergut. Në një shtet normal Kryeministri do të ishte dorëhequr dhe Qeveria do të kishte rënë. Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, si i dyshuar për suport dhe përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Evropës dhe Kryeministri e mbron për të zhdukur provat, që do ta implikonin direkt atë vetë në këtë trafik.

Pas sulmeve të paprecedenta ndaj prokurorëve, Rama nisi censurimin përmes shantazhimit, intimidimit, fyerjeve arrogante të gazetarëve dhe reporterëve televizivë, si sinjale kërcënimi për të mos hetuar për krimin dhe trafikantët në qeveri.

Për sa i përket Reformës Zgjedhore, PD qysh në ditët e para të kësaj legjislature ka kërkuar ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore, si dhe ka hartuar një platformë në lidhje me shtyllat kryesore që propozohen për ndërhyrje në legjislacion. Por, pa asnjë mëdyshje, mohimi i fjalës së opozitës, në shkelje flagrante të Rregullores së Kuvendit, ishte një përpjekje e dëshpëruar e mazhorancës, për të mos lejuar debatin dhe zbulimin e fakteve të reja në Parlament, për të ndalur çdo hetim për blerjen e votës me fondet e trafikantëve të drogës. Zotit Berisha ju ndërpre fjala në Kuvend në momentin që po denonconte familjarë shumë të afërt të Kryeministrit të përfshirë gjithashtu në trafikim narkotikësh. Zotit Basha, Kryetarit të opozitës, ju mohua fjala dhe u dënua nga Gramoz Ruçi, vetëm pse kërkoi të drejtën e fjalës që ia jep Kushtetuta dhe Rregullorja e Parlamentit. E gjitha kjo sigurisht me urdhër të Ramës, për të mos lejuar asnjë diskutim në lidhje me çështjen e zgjedhjeve të blera, të kërcënuara, shantazhuara dhe deformuara. Tashmë është e provuar në përgjimet e Antimafies italiane se ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, koordinator për zgjedhjet në Partinë Socialiste, ka përfituar rreth 250 milionë euro vetëm nga një klan mafioz për të blerë rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë dhe Shqipëri.

OSBE-ODIHR në raportin e Zgjedhjeve Parlamentare kanë vënë alarmin, për herë të parë, në fenomenet e blerjes së votës, shantazhimin dhe trembjen e votuesve nga përfaqësues të krimit të organizuar që ka çuar edhe në shtrembërim të rezultatit zgjedhor. Rama jo vetëm ndaloi shpërndarjen e këtij lajmi në media, por edhe hoqi sinjalin e transmetimit të seancave plenare dhe kërkoi që në punimet e parlamentit të mos lejohen gazetarët dhe kameramanët.

Çështja “Tahiri” do të vijojë të jetë argument ditët dhe javët në vijim. Cilët do të jenë hapat konkretë politikë që do të ndërmarrë PD-ja nisur edhe nga fakti se seanca e të mërkurës nuk arriti të miratojë kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit socialist, përpos qëndrimit në grup të opozitës?

Partia Demokratike do të përdorë të gjitha mjetet demokratike, institucionale dhe ligjore në këtë betejë me krimin dhe mafien e veshur me pushtet.

Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, konfirmoi në mesjavë qëndrimin e PD për rolin e saj jashtëzakonisht të rëndësishëm në luftën kundër narkotrafikut dhe krimit të organizuar, si në planin e mbështetjes totale ndaj organeve të zbatimit të ligjit, në veçanti ndaj prokurorisë dhe gjykatave të vendit, ashtu dhe në planin legjislativ në ndërmarrjen e nismave që nuk do krijojnë mbrojtje për përfaqësuesit e mafies në pushtet dhe barriera për organet e drejtësisë. Në të njëjtën kohë kemi nisur komunikimin intensiv jo vetëm me strukturat e PD në bazë, por edhe me të gjithë faktorët shoqërorë, përfshi edhe komunitetin ndërkombëtar, partitë simotra për të përballuar bashkë betejën kundër narkotrafikantëve si një rrezik i madh destabiliteti dhe izolimi të vendit.

Grupi i Partisë Popullore Europiane (EPP) i bëri thirrje Kryeministrit dhe shumicës qeverisëse të ndërpresë menjëherë presionin politik ndaj Prokurorisë dhe të kanalizojë instrumentet e saj politike në mbrojtje të Drejtësisë. Në deklaratën e PPE nënvizohet rëndësia e dekriminalizimit të zyrtarëve publikë dhe se lufta kundër krimit të organizuar është çështje jetike për procesin e integrimit.

Sa më sipër folëm për hapat politikë…Ndërkohë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka paralajmëruar në planin legjislativ një nismë për zhveshjen e plotë të deputetit nga imuniteti parlamentar. Sa konkrete është një nismë e tillë dhe sa gjasa ka që të gjejë mbështetje të gjerë, fillimisht te deputetët e grupit parlamentar të PD, pasi ka edhe zëra kundër?

Partia Demokratike e ka konfirmuar qëndrimin e saj politik për heqjen e mbrojtjes parlamentare për ligjvënësit, duke i hapur rrugë hetimit dhe gjykimit të politikanëve bashkëpunëtorë të mafies dhe të përfolur për afera të tmerrshme korrupsioni apo me background kriminal. Personalisht mendoj që është një nismë ligjore që duhet të ndërmerret, bazuar në modelet më të mira të vendeve të zhvilluara, sepse imuniteti parlamentar po favorizon përfaqësuesit e organizatave kriminale në pushtet dhe po krijon precedent të rrezikshëm të zhdukjes së provave, siç ishte dhe rasti i ish-ministrit të Brendshëm, i dekonspiruar për përfshirje në prodhimin dhe trafikun e lëndëve narkotike. Akuzat për vepra kriminale jashtë parlamentit nuk duhet të kenë asnjë lloj imuniteti në Parlament.

Në debatin aktual politik që lidhet kryesisht me luftën kundër krimit dhe drogës, PD-ja ka nisur një bashkëpunim të ri me LSI-në. A është kjo nisja e një ere të re me partinë e majtë që edhe keni bashkëqeverisur në të kaluarën, apo bashkëpunimi mes jush do të jetë vetëm për çështje të caktuara?

Fronti i Bashkuar Opozitar kundër krimit qeveritar është një lëvizje për rikthimin e Shtetit të së Drejtës dhe largimin e trafikantëve dhe kriminelëve nga institucionet. Kryeministri i sponsorizuar nga paratë e drogës duhet të largohet dhe t’i hapë rrugë krijimit të një qeverie Antimafie për të përgatitur vendin drejt zgjedhjeve të reja politike. Nuk ka asnjë “sekret” në këtë detyrë opozitare për të gjithë politikanët e kampeve politike.

Madje unë, do t’u bëja apel e do të ftoja çdo organizatë joqeveritare (aq pak sa kanë mbetur të tilla pa u shndërruar në shtojca të Qeverisë), analistëve, gazetarëve, intelektualëve, biznesmenëve, çdo qytetari të ndershëm, t’i bashkohet Frontit Opozitar kundër krimit. Të bashkohen jo për PD, as për LSI apo parti të tjera, JO!! Por për të luftuar këtë të keqe të madhe që po na zapton çdo hapësirë në jetën tonë e po na merr frymën dalëngadalë. Ftoj çdo qytetar që të ngrihet që paratë e shëndetit të tyre dhe arsimimit të fëmijëve të mos shkojnë në xhepat e Vilmës, Ilirit, Majlindës, Janit apo kujtdo që qëndron pas tyre. I ftoj të bashkohen që fëmijët e tyre të mos bien pre e drogës apo e krimit.

Duket se kjo situatë la në harresë përplasjet me grupin kritik ndaj Bashës në PD? A shikoni hapësirë ribashkimi me ta dhe nëse Po në ç’kushte?

Partia Demokratike ka hyrë në një fazë të re komunikimi, analize, konsultimi me anëtarët e saj në çdo nivel të vendimmarrjes politike. Grupet e punës kanë qenë gjithëpërfshirëse. Asgjë nuk duhet të jetë më e rëndësishme në këtë kohë në Shqipëri për mbështetësit apo edhe kritikët në PD, se sa luftimi i krimit qeveritar. Demokracia është në rrezik përmbysjeje dhe çdo personi i kërcënohet siguria. Zgjidhja që kanë në dorë opozitarët, qytetarët, intelektualët, gazetarët, prokurorët dhe gjyqtarët është të reagojnë në “një trup dhe në një zë” për largimin e kriminelëve dhe trafikantëve nga institucionet!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rezistenca e Bashës

Kuvendi shtyn votimin për reformën zgjedhore. PD bllokon punimet dhe mbledh grupin...
Read More