Vonesa shqiptare apo Latenci shqiptar

Përfaqësues i mendimit liberal, i cili karakterizohet nga hapje ndaj vlerave të reja, eksperiencave, guximit për ndryshime, të mirëqenies jo vetëm të grupimit të vet por edhe të tjetrit, Dr. Henri Çili, sjell këtë kërkim të ri social politik, kundrejt konteksteve, forcave, historisë së tyre dhe tendencave të riorganizimit, në të cilin përpiqet ta kthejë të kuptuarit e tij në një perspektivë orientuese më të mirë për të gjithë.

Nga Dr. Mimoza Ahmeti

Përpara se të flasim për “vonesën shqiptare” në kuptimin primar të saj, domethënë që jemi bërë vonë për arritjen e standardeve që na kërkojnë vendet e zhvilluara për integrim në kohë, do të thosha se ky koncept, në  gjuhën e sociologjisë, parakupton jo thjesht një vonim, edhe pse ky është version i kuptimit, por nënkupton gjithashtu, tërësinë e lidhjeve social politike e ekonomike që sigurisht lidhen edhe me besimin dhe psikologjinë, e cila krijon një natyrë të caktuar akselerimi të një bashkësie, që quhet ndryshe Latenci.

Latenci në gjuhën fizike është vonesa, e cila ndihmon ndërtimin dhe vijimin e sistemeve. Për shembull, vonesa njëzet e katër orë e rrotullimit të tokës, krijon ditë-natën, apo ajo e rrotullimit rreth diellit krijon katër stinët. Me gjithë ngjashmërinë, në teorinë e sistemacitetit social, vonesa hulumton jo vetëm atë strukturë që nevojshmërisht i përgjigjet vijimësisë në segmente sociale ndersistemore që lëvizin me shpejtësi e kapacitet të ndryshëm, për të përmbushur kompletësinë dhe ruajtur diferencën, por një kuptim të veçantë ajo merr në aspektin e nevojës reformative të sistemit, që do të thotë se vonesa ngadonjëherë është fatale për identitetin, madje edhe ekzistencën e një njësie të caktuar ekonomike-sociale, që mund të jetë organizatë, shumësi organizatash por edhe një njësi e tërë shoqërore, shtet, apo edhe kulturë! Paradokset e globalizmit na e kanë bërë të qartë këtë, prandaj ndryshimi në kohë është edhe kushti i mbijetesës në bashkëjetesë.

Ky është mesazhi i padukshëm por qartë i shprehshëm nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë e rapide në librin me ese-ide e debate, të autorit dhe doktorit të shkencave politike sociale, Henri Çili, me titullin: “Vonesa Shqiptare” që vjen fill pas pararendësit, një libër mjaft interesant siç e kam theksuar: “Kundër Reforma” 2015.

Përfaqësues i mendimit liberal, i cili karakterizohet nga hapje ndaj vlerave të reja, eksperiencave, guximit për ndryshime, të mirëqenies jo vetëm të grupimit të vet por edhe të tjetrit, Dr. Henri Çili, sjell këtë kërkim të ri social politik, kundrejt konteksteve, forcave, historisë së tyre dhe tendencave të riorganizimit, në të cilin përpiqet ta kthejë të kuptuarit e tij në një perspektivë orientuese më të mirë për të gjithë.

Ajo që e dallon këtë vëzhgues prej të tjerëve është diversiteti i marrëdhënieve dhe eksperiencave nëpër të cilat kalon, ndjeshmëria ndaj ndryshimit të mjedisit shoqëror dhe empathia morale për tjetrin, të gjitha këto- një bazë materiale ndërtimi idesh e komunikimi me publikun, për arsye të një akselerimi sa më të mirë, jo vetëm të procesit të edukimit që është me rëndësi jetike për shoqërinë shqiptare por edhe të mundësive më të mira të saj, deri drejt formës finalizuese, organizimit, pushtetit, midis stabilitetit dhe ndryshimit!

Eshtë kjo arsyeja që qëndrimi i tij është gjithmonë në lëvizje dhe piketimet e tij në marrëdhënie dhe vëzhgime janë gjithmonë në një hapësirë të papritur për të menduarit konservativ.

Duke dalluar mendimin liberal si mjet për të jetuar me kundërshtarin, në kundërdallim me idealin e drejtësisë, Henri Çili thotë:

“Mendimi liberal ka mbijetuar jo thjesht për shkak të tentacionit të së kundërtës, për shkak të nevojës dialektike, të jetës njerëzore për të jetuar mes kundërshtive por dhe për diçka tjetër. Ideali i lirisë, drejtësisë, meritokracisë, së drejtës, është një ideal shumë i fuqishëm dhe në të gjitha format e mohimit, përmbysjes së saj qoftë dhe në fasadën e arritjes së barazisë, një ideal nën të cilin janë bërë shume krime dhe është një nga penguesit kryesorë të zhvillimit njerëzor, madje ideali i barazisë është thuajse si një triumf i së keqes, përsëri përmes të gjitha atyre formave, mendimi liberal ka triumfuar dhe ka mbetur i pandryshuar. Goditja e tij, kundërshtimi, brohoritja për dështimet, kinset / dështimet e idesë së lirisë kanë qenë veçse të përkohshme, kanë lulëzuar vetëm për pak kohë, ose shumë shkurt ose nën presionin e dhunës pak më gjatë siç ishte rasti i komunizmit. Në të vërtetë mendimi liberal vjen dhe krijon një gjendje konceptuale në shoqëri, një gjendje referencë, herë pas here dhe në Shqipëri.”

Reciprociteti dhe grup autoriteti liberal që karakterizon mendimin e këtij kërkimi, ëndërron dhe projekton për një shoqëri ku kostot e zhvillimit konceptual të jenë sa më pak diskriminuese, dhe grupimet ta shohin njeri tjetrin si kusht i nevojshëm ndërtimi dhe bashkëpunimi për një rend funksional.

Një pjesë me rëndësi e këtij libri janë përpjekjet dhe arritjet e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për të elektoralizuar botëkuptimin e reformave dhe reformizimin e institucioneve, si kuptim imediat në ndërgjegjen e votuesve për të mirën dhe sigurinë e së ardhmes së tyre, kryesisht nëpërmjet konkurrimit të tregut e gjitha kjo.

“Po ashtu lufta kundër drejtorëve dhe vulë- mbajtësve të shtetit që ka nisur Edi Rama, është një rast absolut pra sui generis, siç … Programi i qeverisë Rama 2, është tashmë një program tërësisht reformist mbi bazat e liberalizmit të majtë, program i cili godet shtetin e madh, shtetin prezent, thjeshton jetën e biznesit të shqiptarëve dhe kujdeset për forcat e gjalla të shoqërisë në krahasim me traditën e bllokimit të tregjeve për shkak të politikave sociale. Sot politikat sociale të qeverisë kanë shkuar tek Ministria e Shëndetësisë, një gjest simbolik, për të kuptuar që tregjet janë një gjë dhe ndërtimi i sektorëve me bazë tregun janë një gjë, dhe kujdesi social është një gjë tjetër. Ndarja e politikës ekonomike nga politikat sociale është një nga arritjet konceptuale të kësaj qeverie. Sakaq një gjë është e rëndësishme, ekziston lideri, ekziston motivimi, baza ideologjike, dhe të gjitha premisat që reformizmi shqiptar të shkojë në një moment të ri. Duke krijuar premisa që bashkë me reformën në drejtësi që do të lehtësojë në një nivel më të lartë të zbatimit të ligjit, të krijohen baza për një situatë më të re, dhe në një farë mënyre mendimi liberal qoftë dhe përmes një force të tretë, të majtë vjen dhe triumfon, së paku avancon në suazat e liberalizmit të majtë, duke e shkëputur shoqërinë shqiptare nga social demokracia klasike”.

Në të gjitha përpjekjet e tij për të analizuar më tutje, raporte dhe forca sociale e politike, Henri me dashamirësi vë në dukje specifikat dhe kontributet e tyre, ndonjëherë humbjen e lidhjeve të tyre të brendshme për arsye të mospërputhjes historike tashmë me mjedisin; dedekton forca të reja që dalin në sipërfaqe dhe rrugë të reja që vijnë për arsye të kumulimeve e zmadhimeve prej kumulimeve, duke na bërë të qartë pak a shumë, se realiteti i shoqërisë moderne shqiptare nuk ecën thjesht vetëm prej pritshmërive, por kryesisht prej efekteve dhe mundësive konkrete të rritjes. Disa tregues të axhendës liberale që përmenden janë:

“Po ashtu krijimi i potencialeve të tregjeve të tjera si edukimi, shëndetësia dhe shërbimeve të tjera siguracionet, utilitetet, ujë, energji të cilët mund ta bëjnë jetën gjithnjë e më të mirë, krijojnë mundësinë për kalimin në dekadën tjetër, në një shoqëri të zhvilluar. Sidoqoftë axhenda liberale ka sfida shumë të mëdha por ajo ka paradoksalisht mundësinë më të mirë”.

Duke folur për seriozitetin substancial ndaj reformave, në të gjitha sferat e ekonomisë (e më tej), sidomos në atë të operatorit energjitik, me të cilën edhe filloi aksioni për normalizimin e balancës monetare të shtetit, Henri Çili mendon se, Kryeministri, duke i patur thuajse të gjithë kundërshtarë në këtë sipërmarrje civile- politike, u gjend thuajse singular në iniciativën e tij, por jo i lëkundur:

“ Nga ana tjetër, Rama i shtoi aksionit të tij qeverisës, reformues, elementë nga personaliteti i tij politik dhe komunikativ, programeve të rilindjes urbane, programe të tjera të natyrës sistemuese, rregulluese, estetike etj, etj, krijuan premisat për një mandat i cili, në fund grumbulloi kundërshti të jashtëzakonshme, por të cilat ishin fatkeqësisht kundërshtaret e tij, dhe fatmirësisht për të ekleptike, kundërshtuese. Rama kishte shumë rivalë,  kishte Bashën, kishte Berishën me autoritetin e vet në parlament, kishte Metën, kishte liderë të rinj dhe ambiciozë Blushi që tentonin, shkurt kundërshtohej nga të gjitha anët. Dhe pikërisht për këtë fakt, që kundërshtohej nga të gjitha anët, ai kishte shumë kundërshtarë ndërkohë që ishte i vetëm në krahun tjetër. Dhe nga mënyra se si ai e shtroi pyetjen elektorale të 23 Qershorit pas asaj krizës që e pamë si ndodhi ishte: Ta zgjidhim nyjën gordiane, ma jepni atë të djallosur votë, ma jepni timonin, t’i japim zgjidhje punëve.

Duke shtruar pyetjen se si duhej dhe se kush duhet të qeveriste, Edi Rama zgjidhi dy çështje, dhe rezultati absolutisht surprizë, i paparashikuar nga thuajse askush, vetëm prej pak vetëve; jam krenar që bëj pjesë tek ato që e parashikuan këtë rezultat, ishte ky: jo vetëm Rama të jetë fitues por të jetë fituesi i vetëm. Pse, sepse në një farë mënyre, ai arriti të neutralizonte ose të bënte të pavlefshme, kundërshtitë e kundërshtarëve dhe duke nxjerrë jashtë loje shumicën e tyre.”

Perspektivat reciproke dhe strukturore, që orientohen nga marrëdhëniet me sjelljet, të grupimeve dhe individëve të tyre socialë, hulumtohen e përgjithësohen vazhdimisht në këtë libër me tentim analitik nga Henri, si reformator dhe autor, ngadonjëherë pa konsumuar plotësisht lëndën, por kjo prej shpejtësisë së vëzhgimeve dhe intensitetit të përvijimeve.

Gjithsesi duke na dhënë linja perspektive për veten dhe të tjerë, duke hedhur piketa të identifikimit, Henri Çili po jep një ndihmesë të madhe për strukturimin gjithashtu të identitetit tonë bashkëkohor.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Kazuo Ishiguro fiton Nobelin në letërsi

Kazuo Ishiguro fiton Nobelin në letërsi për vitin 2017.  Pavarësisht se disa...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.