Vota e Shqipërisë në OKB, Thaçi: Kosova, e rreshtuar krah SHBA-ve


Plot 129 shtete në Organizatën e Kombeve të Bashkuara sot kanë shprehur qëndrim të kundërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Jerusalemin, përfshirë edhe Shqipërinë.

Pozicionimi i Tiranës zyrtare kundër Uashingtonit ka bërë bujë të madhe në Kosovë.

Shumica e kombeve të botës sot i ka dhënë një goditje të fortë Shteteve të Bashkuara, duke kundërshtuar vendimin e Amerikës për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, dhe duke i shpërfillur kërcënimet e presidentit Donald Trump për hakmarrje me ndërprerjen e ndihmave për shtetet që votojnë kundër saj.

Aleatët kryesorë, si Britania, Franca, Gjermania dhe Japonia, të gjithë votuan pro rezolutës, ndonëse disa aleatë, si Australia dhe Kanadaja, abstenuan.

Rezolutën që dënon njohjen e Jerusalemit kryeqytet e mbështeti edhe Shqipëria. Qëndrimi antiamerikan i qeverisë së Edi Ramës ka tronditur Kosovën, shtetin më proamerikan në botë.

Pas vendimit të Tiranës ka reaguar edhe vetë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se Kosova do të ishte rreshtuar krah Amerikës, në çdo rrethanë.

“Edhe sikur të ishte vetëm vota e Amerikës kundër kësaj rezolute, e dyta do të ishte e Kosovës, pa marrë parasysh si kanë votuar të tjerët për këtë çështje”,- ka thënë i pari i vendit në një prononcim për “Gazetën Express”.

Edhe aktivisti shqiptaro-amerikan, Uk Lushi, ka dënuar pozicionimin e Tiranës kundër Uashingtonit në OKB.

“Votimi i Shqipërisë për Rezolutën e OKB-së kundër njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, sot, është votim kundër aleatit kryesor të shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe një gabim diplomatik që do të rezultojë me pasoja.

Shqipëria është dashur të abstenojë”, është shprehur Lushi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Po afron Lufta e Tretë Botërore? Edhe Japonia blen raketa

Japonia ka nisur të blejë raketa për t’u mbrojtur nga Koreja e...
Read More