Vota për Kosovën në UNESCO, testi serioz i Zaevit ndaj shqiptarëve


Në nëntor të vitit 2015, Kosova në mungesë të tri votave ka dështuar të anëtarësohet në organizatën më të madhe të Kombeve të Bashkuara UNESCO, proces të cilin e pengoi Serbia.

Debati për anëtarësimin e Kosovës është duke vazhduar ende, ndërsa Serbia vazhdon të bëjë propagandë që Kosova të mos anëtarësohet, transmeton INA.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se Maqedonia do të abstenojë nëse do të vijë deri tek votimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ndërsa kryeministri aktual i Maqedonisë, Zoran Zaev, në të kaluarën ishte kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Mirëpo, analistët politikë shqiptarë në Maqedoni, kanë vlerësuar se tani qëndrimi i Kryeministrit, Zoran Zaev, do të ndryshojë dhe vota do të shkojë në të mirë të shqiptarëve nga Kosova.

Lidhja e Serbisë me sulmin në Kuvend

Politologu, Xhenis Sulimani, ka bërë lidhjen e Serbisë me ngjarjen e dhunës në Kuvendin e Maqedonisë.

Sipas Sulimanit, Serbia nuk pajtohet me ndryshimin e qeverisë në Maqedoni dhe për këtë me incidente sikur dëshiron t’i tregojë Shkupit zyrtar se ajo ka faktor kyç në Ballkan.

“Serbia duke dashur ta mbulojë skandalin e saj në përfshirjen e terrorit të 27 prillit në Kuvendin e Republikës se Maqedonisë, po tenton të krijojë “luftë diplomatike”. Serbia nuk po mund të pajtohet me ndryshimin e garniturës qeveritare në Maqedoni, për faktin se me qeverinë e kaluar qëndronte shumë mirë, në një linjë më Moskën. Tani me incidente sikur do t’i tregojë Shkupit zyrtar se Serbia ka faktor kyç në Ballkan. Por kjo nuk kalon!”, ka thënë Sulimani për “Bota sot”.

Maqedonia në përkrahje të shqiptarëve

Ndërsa, analisti politik Zudi Xhelili, ka pohuar se Serbia dëshiron t’i komplikojë marrëdhëniet në mes rajoneve.

Sipas Xhelilit, deklarimi i kryeministrit Zoran Zaev, ka qenë vetëm sa i përket anëtarësimit të sivjetmë.

Ai ka pohuar se Maqedonia gjithmonë do të ketë përkrahje ndaj shqiptarëve.

“Nuk besoj se në Maqedoni ka ndryshuar diçka sa i përket njohjes së Kosovës dhe përkrahje për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare. Deklarimi i kryeministrit Zoran Zaev, ishte se nuk ka aplikim sivjet të Kosovës për në UNESCO. Maqedonia është edhe shtet shqiptar dhe gjithmonë do e mbështesë Kosovën. Duhet t’i kuptojmë deklaratat e zyrtarëve serbë si tendenca për të futur huti në marrdhëniet mes popujve fqinje që të komplikohen raportet”, ka theksuar Xhelili.

Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-së, në vitin 2015 kishte votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë agjenci të specializuar të Kombeve të Bashkuara për arsim, kulturë dhe shkencë.

Nga 142 anëtarë, 92 votuan pro Kosovës, 50 kundër dhe 29 shtete abstenuan. Kosovës i janë dashur edhe 3 vota për, në mënyrë që të jetë anëtare e UNESCO-s.

Në mesin e vendeve që kishin votuar pro votimit të Kosovës, ishte Maqedonia, atë kohë e udhëhequr nga Kryeministri i cili kishte qëndrime anti shqiptare Nikolla Gruevksi.

Tani me ndryshimin e qeverisë, qeveri kjo e cila është formuar falë votave shqiptare, Zoran Zaev, nuk kishte përjashtuar mundësinë që Shkupi të ketë qëndrim neutral lidhur me këtë çështje.

“Kur bëhet fjalë për marrëdhënie të këtilla, si kjo për anëtarësim në UNESCO, për mbrojtjen e objekteve në Kosovë, Maqedonia nuk guxon të marrë anë, sidomos kur bëhet fjalë për dy vende fqinje, pasi kjo punë nuk varet nga Maqedonia. Lidhur me këtë rast, Maqedonia do të qëndrojë neutrale…unë shpresoj në mirëkuptimin e Kosovës dhe të Serbisë”, kishte deklaruar Zaev.

Abstenimi i Maqedonisë, debakël për Zaevin

Analistët politikë, janë shprehur se qeveria e Zoran Zaevit është formuar falë shqiptarëve, prandaj në asnjë mënyrë nuk guxon të marrë vendim pa pëlqimin e tyre.

Sipas tyre, secili Kryeministër i Maqedonisë duhet të votojë ashtu siç përcaktohen partitë shqiptare.

Politologu Xhenis Sulimani, ka theksuar se një abstenim i Maqedonisë në UNESCO për anëtarësimin e Kosovës, do të nënkuptonte debakël për Zaevin dhe partnerët e tij shqiptarë.

Sipas Sulimanit, vota për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO është matësi më i mirë i sinqeritetit të Zoran Zaevit.

“Qeveria e Zoran Zaev në Maqedoni mori “aminin” nga shqiptarët. Pa shqiptarët, Maqedonia me Gruevskin do merrte rrugën drejt Moskës bashkë me Serbinë. Nisur nga ky fakt, Zaev në asnjë mënyrë nuk guxon të merr vendim pa pëlqimin e shqiptarëve në qeveri, qoftë për politikë të brendshme, qoftë asaj të jashtme. Një abstenim i Republikës së Maqedonisë në UNESCO për anëtarësimin e Republikës së Kosovës, do të nënkuptonte debakël për Zaev dhe partnerët e tij shqiptarë. Mendoj që ky moment- vota për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO- është matësi më i mirë i sinqeritetit të Zoran Zaev ndaj shqiptarëve. Shqiptarët janë etnia e dytë në vend, nëse Maqedonia nuk voton pro Kosovës, që tanimë e njohim më shumë se 2/3 e vendeve të botës, është mosrespektim i shqiptarëve të Maqedonisë” ka shtuar Sulimani.

Kurse, analisti Zudi Xhelili, është shprehur se Maqedonia duhet të tentojë t’i ruajë raportet e mira me gjithë fqinjët, por jo të anashkalojë interesin shqiptar.

“Çdo kryeministër i Maqedonisë do të votojë ashtu si do të përcaktohen partitë politike shqiptare kur është në pyetje Kosova! Normal që Maqedonia do të tentojë të ruajë raporte të mira me të gjithë fqinjët, por jo të anashkalojë interesin shqiptar”, ka pohuar Xhelili.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rama u shpall ‘luftë’ portaleve dhe “Facebook”: Ja dritarja ime

Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit sot ka theksuar se platforma e komunikimit...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.