Votimet e Asamblesë: Kryesia e PS, gjysma e rinovuar



Rama-Asambleja-e-PS

Majko dhe Klosi, figurat më konsensuale në kryesinë e PS. Veliaj “mund” Tahirin në garën për pasardhësin e Ramës. Sekretarët më pak të votuar dhe emrat që nuk kaluan pragun

Partia Socialiste ka mbyllur të shtunën të gjithë procesin e ristrukturimit dhe zgjedhjeve brenda radhëve të saj. Asambleja Kombëtare e dalë nga Kongresi i 19 marsit, ka zgjedhur edhe dy forumet ekzekutive të partisë; kryesinë dhe sekretarët, ku nuk munguan surprizat, si për ata që nuk u propozuan prej kryetarit të partisë, për ata që u tërhoqën nga gara, ashtu edhe për rezultatet që prodhoi votimi i 271 anëtarëve të Asamblesë, që morën pjesë në votim.

edi-rama-voton

Kryesia

Sa i përket kryesisë, ajo që bie në sy që në fillim është se në krahasim me atë pararendëse, ajo është rinovuar gati me 50 për qind. Nga kryesia e vjetër, nuk u rizgjodhën për arsye që lidhen ose me mos rikandidimin e tyre nga Rama, ose për shkak të tërheqjes nga gara, plot 11 anëtarë të saj. Bëhet fjalë për emra me jo pak peshë dhe përvojë në PS, si Namik Dokle, Arta Dade, të cilët u tërhoqën nga votimi dhe Ben Blushi, Mimoza Hafizi, Shkëlqim Cani, Arben Isaraj, Ndre Legisi, Gentian Bejko, Luljeta Arapi, Arben Malaj, të cilët nuk u propozuan nga Rama, si dhe Besnik Bare dhe Eduard Shalsi, të cilët nuk morën mbështetjen e duhur nga anëtarët e Asamblesë. Ndërkohë që kryesisë i shtohen rishtazi, emra si Vasilika Hysi, Evis Kushi, Olta Xhaçka apo edhe Taulant Balla, si dhe Damian Gjiknuri, Fatmir Xhafaj, Blendi Klosi apo edhe Erion Veliaj, të cilët më parë mbanin pozicione sekretarësh, që gjithashtu merrnin pjesë në mbledhjen e kryesisë. Interesant është fakti se rezultati i votave që prodhoi votimi për kryesinë, ku duket se roli i Pandeli Majkos si besnik i linjës zyrtare të partisë dhe sjellja e tij si një njeri popullor, ka bërë që të pëlqehet më shumë nga të gjithë kandidatët e tjerë, së bashku me Blendi Klosin, i cili po ashtu ka përfaqësuar gjithmonë linjën zyrtare dhe një person jo konfliktual brenda radhëve të socialistëve. Të dy ata morën nga 241 vota, nga 271 persona që votuan. Natyrisht ky është një rezultat domethënës për Majkon, si një figurë konsensuale në PS, çka mund t’i shërbejë edhe në garën e ardhshme për President të Republikës.

Interesant është edhe vendi i tretë dhe i katërt në renditje, që mbahen nga kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Në rast se do të merret i mirëqenë rivaliteti i përfolur mes tyre për liderin e ardhshëm të PS-së, atëherë ky votim fitues nxori Veliajn, i cili siguroi 236 vota, kundrejt 234 votave që mori Tahiri. Ky rivalitet shihet edhe në mbështetësit e tyre që hynë apo u votuan në kryesi. Nga ata që njihen si mbështetës apo persona që kanë një lloj marrëdhënieje me të ngushtë me Tahirin, Blendi Klosi, Erion Braçe, Vangjush Dako apo edhe Taulant Balla. Ndërkohë që nga mbështetësi apo personat që kanë marrëdhënie më të mira me Veliajn, hyjnë Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, Vasilika Hysi apo Olta Xhaçka. Ndërkohë që interesant është fakti se edhe dy “skifterët” e grupit të PS-së në Parlament, Erion Braçe dhe Taulant Balla janë renditur tek ata anëtarë kryesie, që kanë marrë pak vota, nga 208 secili. Një tregues ky që lë të kuptohet se tipi konfliktual i Braçes, edhe brenda PS-së dhe mospasja e një identiteti politik origjinal nga ana e Ballës, kanë qenë përcaktuese në votën e Asamblesë.

Sekretarët

Edhe votimi i sekretariatit ekzekutiv ka prodhuar rezultate domethënëse. Kështu, Gramoz Ruçi është rikonfirmuar si njeriu i dytë më i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm në këtë rol në PS, pasi ka marrë 266 vota nga 271 që ishin në kuti. Ndërkohë që një figurë e pëlqyer për socialistët ka qenë edhe ajo e Bashkim Finos. Ai ka marrë plot 260 vota si Sekretar për Organizimin Administrativ. I dyti, më i votuar, ka rezultuar një tjetër figurë e njohur për socialistët, Musa Ulqini, i cili gjithashtu njihet si një nga njohësit më të mirë të strukturës partiake, si dhe si një person jokonfliktual. Ulqini ka mundur të sigurojë 249 vota. I treti, është renditur një prurje e re në PS, gazetari Alfred Peza, i cili militoi në PS në 2013, kur edhe u zgjodh deputet. Peza ka mundur të marrë 247 vota. Nga i gjithë sekretariati, bie në sy se më pak të votuarit janë Koço Kokëdhima, si Sekretar për Reformën Strukturore dhe Emigracionin dhe Ilir Beqaj, si Sekretar për Programin. Ata kanë marrë respektivisht 217 dhe 240 vota. Sekretarët kandiduan pa kandidatë alternativë, siç ishte rasti i kryesisë.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka marrë 266 vota

Kryesia

Pandeli Majko -241 vota

Blendi Klosi -241 vota

Erion Veliaj -236 vota

Saimir Tahiri -234 vota

Eglantina Gjermeni -226 vota

Ditmir Bushati -219 vota

Mimi Kodheli -219 vota

Arben Ahmetaj -216 vota

Niko Peleshi -214 vota

Fatmir Xhafaj -214 vota

Damian Gjiknuri -210 vota

Taulant Balla -208 vota

Erjon Braçe -208 vota

Vasilika Hysi -197 vota

Vangjush Dako -181 vota

Armando Subashi -177 vota

Lindita Nikolla -177 vota

Evis Kushi -167 vota

Olta Xhaçka -166 vota

Valentina Leskaj -163 vota

Sekretariati Ekzekutiv

Sekretar për Organizimin Administrativ, Bashkim Fino – 260 vota

Sekretar për Organizimin e Burimeve Njerëzore dhe Marrëdhëniet me Koalicionin, Musa Ulqini-249 vota

Sekretar për Organizimin Digjital, Alfred Peza – 247 vota

Sekretare për Koordinimin Elektoral, Blerina Gjylameti – 246 vota

Sekretare për Rininë, Elisa Spiropali – 243 vota

Sekretar Kombëtar për Programin, Ilir Beqaj – 240 vota

Sekretar për Reformën Strukturore dhe Emigracionin, Koço Kokëdhima – 217 vota

loading...
Shkruar Nga
More from Revista User

Arrestohet biznesmeni në Sarandë, për qumësht kontrabandë

Policia ka arrestuar pronarin e një supermarketi në lagjen nr. 4, pasi...
Read More