Votimi që duhet të prodhojë Bashën, si liderin konservator të së djathtës

Nga Arjan Çuri

Edhe nëse ka momente që fituesi i një gare dihet paraprakisht, sërish gara duhet bërë e ligjshme dhe transparente, pasi demokracia dhe rregullat e saj të lojës që na vijnë që nga Athina e lashtë, janë më të rëndësishme se çdo individ që i shërben përkohësisht asaj. Kështu, edhe pse votimet për kryetar në Partinë Demokratike do të konfirmojnë Lulëzim Bashën në drejtimin e partisë më të madhe opozitare dhe udhëheqëses së polit të djathë në Shqipëri, procesi duhet të jetë tërësisht korrekt dhe i realizuar me sukses, deri në detajin më të vogël. Kjo, pasi këto votime do të prodhojnë pushtetin që baza e Partisë Demokratike do t’i delegojë kryetarit, që ta udhëheqë këtë parti drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme. Dhe me zgjedhje të ardhshme, nënkuptoj ato lokalet që po afrojnë shumë shpejt, prandaj në kampin e të djathtës, nuk ka shumë kohë për të humbur më me diskurse përçarjeje dhe akuzash të pabaza.

Për sa i përket zhvillimit të fushatës në bazën e partisë, të dy kandidatët bënë një fushatë pozitiviste, por më shumë vlen për t’u evidentuar fakti që z. Basha nuk ra në kurthin e urrejtjes që prodhuan ata që e sfidonin nga jashtë sistemit, si edhe sfidantin nga brenda sistemit, që megjithatë, ditët e fundit, duket sikur e humbi pak qetësinë me të cilën e filloi iniciativën për ta rimarrë kryesimin e partisë, që kur e kishte në ditët e saj të gjenezës, dikur në vitet ‘92-95. Kështu kemi një kandidat që kthehet pas më shumë se 20 vjetësh për të rivendikuar postin që ka mbajtur në vitet postdiktatoriale.

Kështu që PD-ja, tashmë, duhet të shikojë me kurajë përpara, dhe të hënën paszgjedhore të mos merret më me diskurse që e varfërojnë shpirtin human, që është në qendër të ideologjive të djathta, të tipit, jo zgjedhjet u shitën e u blenë e u manipuluan, gjë që duhet të ndalojë njëherë e mirë në të gjithë diskursin politik shqiptar, si një tregues edhe i përfundimit të tranzicionit tonë mental. Dhe kjo, pasi nuk ka më ofendim të madh për zgjedhësit e tu, sepse ti më shumë akuzon ata për shitje të moralit të tyre, se sa blerësit. Imorali, është ai që e shet moralin e tij, pavarësisht se kush është blerësi apo sa është çmimi i ofertës.

Nga kjo e hënë e tutje, Partinë Demokratike duhet ta shqetësojnë disa nga çështjet më të rëndësishme që lidhen me thelbin e saj, si e vetmja parti më e madhe, përfaqësuese e të djathtës konservatore shqiptare. Dhe kjo gjë duhet bërë me urgjencë, pasi deri më sot, çerekshekulli pas themelimit të saj, kjo parti, nuk duket se do të vendosë të bëhet përfundimisht e djathtë, pasi plotësisht e tillë, për hir të së vërtetës që na vjen nga përkufizimet e Shkencave Politike, nuk është se ka qenë ndonjëherë. Nëse do të vendosë për të ardhur në pushtet, me garë elektorale endosistemike, dhe jo nomadike, sipas kritikave tona të njëpasnjëshme, kjo parti, vetëm një rrugë ka. Të bëhet alternativa e të djathtës së kulluar, si një zgjedhje ndryshe, nga e majta që është në pushtet, dhe që për hir të së vërtetës, u votua masivisht këto zgjedhje.

Dhe, sipas mendimit tim, Partia Demokratike, e thelloi humbjen këto zgjedhje, jo për vetëm për faj të Kryetarit, por sepse ky Kryetar, iu nënshtrua presionit të çdo drejtimi, kryesisht të disa këshilltarëve mendjendritur, me kulm, ata që i injektuan idenë e Republikës së Re (si një imitacion fals i rilindjes) apo më keq akoma, të ndonjë ideologu që i pëshpëriste në kanale publike dhe private që progresizmi na qenka edhe i djathtë, këto kohët e fundit, sipas një iluminimi të ri, që vjen nga puna me 7 ekrane njëkohësisht, që nga ai i smartphonit e tabletit, deri tek i televizorit dhe sobës me korrent. Hallakatje më të madhe ekranesh dhe idesh, deri më sot, nuk më kishin zënë sytë.

Kështu, nëse shqiptarëve iu ofrohen dy alternative të majta, ku njëra është pak më e majtë nga tjetra, ata natyrshëm do të zgjedhin, të majtën klasike dhe tradicionale, që tipikisht janë mësuar ta shohin te Partia Socialiste. Nëse Lulëzim Basha dhe njerëzit që ndodhen afër tij, nuk vendosin t’i largohen njëherë e mirë, nuancave të theksuara majtiste, që qarkullojnë në ambientet e Partisë Demokratike, nëpërmjet këshilltarëve multiekranikë, historia e qëndrimit në hije të PD-së do të vazhdojë edhe më tej. E vetmja zgjidhje që ka tashmë kryetari i rikonfirmuar, është që ta çojë Partinë drejt ekosistemit të saj natyror, që ajo të vijë duke u rritur natyrshëm, dhe ky habitat, si e vetmja alternativë ndaj të majtës në pushtet, është konservatorizmi i djathtë, me të gjithë moralin që ai përfaqëson, duke u nisur që nga besimi në Zot e familje, e deri te tregu e kujdesi shëndetësor.

Dhe Basha, kapacitetet personale i ka, madje, besoj fort, se këto kapacitete të plota, nuk i ka shfaqur akoma plotësisht, por kësaj radhe, duhet ta shpalosë hapur dhe guximshëm vetveten, se nuk do t’i jepet shans tjetër, madje as vetë, duke u nisur nga bota e tij e brendshme, nuk do ta kërkojë më. Ajo që duhet të mendojë është të vazhdojë atë që ka filluar, me guxim, qëkur bëri listën e vetë, pra, të rregullojë kapacitetet e partisë, në përputhje me frymën e një ideologjie politike të djathtë. Dhe këtë, përveç tij dhe listës së tij, e bëjnë edhe ideologët, ata që e kanë në gjak, konservatorizmin, që jetojnë çdo ditë të jetës së tyre, sipas moralit joprogresist. Ka shumë mundësi që të qenit liberal apo konservator, të mos jetë as çështje zgjedhjeje, por thjesht shprehja publike politike e karakterit të brendshëm të një njeriu. Dhe njerëz të tillë, Basha i ka edhe brenda partisë, disi të mënjanuar, por edhe jashtë saj. Për t’i lokalizuar apo angazhuar e ka shumë të thjeshtë, pasi lloji e njeh llojin, të ngjashmit e gjejnë kollaj njëri-tjetrin.

E fundit, që Basha nuk duhet të bëjë, sipas mendimit tonë, është që të mos futet në një kurth bashkëqeverisjeje me PS-në, pasi kjo është tërësisht e panevojshme, sipas lojës së numrave në kuvend, plus që nuk ka asnjë emergjencë kombëtare që të mund ta justifikonte. Nëse elektorati, deri më sot, ishte ftuar të votonte mes dy të majtave me nuanca të ndryshme dhe ndaj pati edhe nga ata që s’dolën fare për votim, nesër, ky elektorat do të hutohet fare, nëse mendon, që kujtdo që t’ia japim votën, do të kemi të bëjmë me instalimin në pushtet të së njëjtës qeveri. Kjo do ta asgjësonte totalisht PD-në, dhe rrjedhimisht të djathtën shqiptare, e cila do të shkrihej pa kthim, brenda rrymës së majtë.

Fakt i pamohueshëm është, që për shkak të rrethanave, shumica e votuesve në Shqipëri, kanë nostalgji apo prirje majtiste. Ndaj dhe sfida e Bashës është e vështirë, por jo e pamundur. Nëse shqiptarët do të bindeshin, që një alternativë më e mirë qeverisjeje se kjo ekzistuese, është një qeveri e djathtë dhe konservatore, atëherë mbështetja për PD-në do të rritej natyrshëm dhe ndjeshëm. Por që nga frika, se këtu të gjithë janë të majtë, të ofrosh si alternativë, një të majtë pak më të djathtë, kjo tashmë u vërtetua që është një strategji, nga e cila duhet hequr dorë sa më parë.

Më mirë të mbetesh në opozitë për pak më gjatë, pasi njerëzit nuk janë të bindur ende, për epërsinë qeverisëse të konservatorizmit ndaj liberalizmit, se sa të vish në pushtet, me një paqartësi të thellë ideologjike për veten dhe përballë elektoratit. Nëse Basha do ta ketë të vështirë, të çajë realitetin thellësisht punist shqiptar, me PD-në e tij të spektrit të qendrës së djathtë, të paktën, ai tani ka shansin që të mbahet mend e të kalojë në histori, si lideri që guxoi, konvertoi dhe pse jo, rivendosi partinë e tij mbi shinat e sigurta të së djathtës, që nuk pranon të vijë në pushtet me rrugë të tjera, përveçse vlerave që ajo mbart. Përndryshe do të qe e majtë, sepse aty lejohet gjithçka progresiste.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Diploma 2016-2017 në UET me ‘vulën’ e akreditimit anglez të QAA

Universiteti Europian i Tiranës organizoi dje ceremoninë e diplomimit të brezit të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *