Vrasja e ambasadorit si pretekst lufte

arjan-curiNga Arjan Çuri

Qëllimi pas shpine për vdekje i ambasadorit rus në mes të Ankarasë në një ekspozitë artistike, nga një person, që përveç thirrjes klasike fetare, që Zoti është i madh, rezulton të jetë edhe punonjës i policisë turke, është cilësuar si një ngjarje tejet e rëndë dhe delikate. Atentati është i një natyre të pastër politike dhe synon të arrijë një akt hakmarrjeje lufte, ku polici civil 22-vjeçar, lëshon thirrje mbi konfliktin në Aleppo, që shpjegojnë motivin e veprimit të tij, para se të qëllojë 8 herë mbi diplomatin rus.

Akti i shëmtuar është dënuar me forcë nga liderë politikë botërorë dhe është përcjellë me jehonë nga të gjitha mediat. Diplomati i karrierës, 62-vjeçari Andrei Karlov, ishte marrë edhe me zgjidhjen dhe sqarimin e incidentit më të hershëm në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Turqisë, pas rrëzimit të avionit luftarak rus që kryente bombardime në Siri, ngjarje që solli edhe pezullimin e fluturimeve civile mes dy vendeve, si sanksion nga ana e Moskës, e cila kërkonte hetimin e çështjes dhe kërkimin e ndjesës nga pala turke.

Rusia e ka dënuar ashpër vrasjen e ambasadorit të saj, me anë të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, duke e cilësuar atë si një akt terrorist dhe duke kërkuar hetim të shpejtë dhe dënim të autorëve. Edhe pse autoritetet turke e qëlluan për vdekje autorin, duke e ekzekutuar në vend, si për të bërë një larje të vrasjes me vrasje, fakti që në radhët e policisë turke ekzistojnë individë që nuk ndajnë të njëjtin mendim me politikën zyrtare të Ankarasë, por që kanë axhendën e tyre politike, dhe vendosin të hakmerren në mënyrë guerrilase, ngre pikëpyetje dhe shqetësime të mëdha.

Sigurisht që autoritetet turke të sigurisë ndajnë përgjegjësinë për ruajtjen e jetës së diplomatëve të akredituar, sidomos atyre të vendeve të mëdha, dhe fakti që ambasadori u vra nga polic, e bën praktikisht të pamundur parandalimin, lokalizimin dhe neutralizimin e elementëve të ngjashëm, që do të vendosin të përfshihen në akte të tilla vetëmartirizimi në të ardhmen, sidomos kur ata gjenden mes atyre që supozohet të mbrojnë dhe jo të qëllojnë përfaqësuesit e huaj në territorin turk.

Situata po shkon drejt destabilizimit në Turqi, edhe kur ditët e fundit në rrugët e Ankarasë dhe Stambollit janë zhvilluar protesta popullore antiruse, pasi një pjesë e mirë e popullit turk, e konsideron direkt Rusinë përgjegjëse për konfliktin e gjatë luftarak në Siri dhe Aleppo, si mbështetësen e vetme të presidentit sirian Bashar al Assad.

Ajo që është e qartë, lidhet me faktin, që sa më shumë të zgjatet konflikti në Siri, aq më të pakta do të jenë shanset për të kontrolluar përmasat dhe pasojat e tij, që duket se i kanë kaluar kufijtë e një shteti të vetëm dhe po shtrihen më gjerë, duke rrezikuar që në të ardhmen, të gjendemi përpara surprizave të pakëndshme dhe guxoj madje të them, edhe përpara një gjendje lufte, që mund të kthehet edhe në një konflikt të një shkalle globale.

Komuniteti ndërkombëtar nuk do të duhej ta linte gjendjen të degradonte në përmasa të një katastrofe humanitare, ku një komb i tërë u shkul nga vatrat familjare dhe po endet nëpër botë. As nuk duhet gjithashtu që fuqitë e mëdha, mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet midis tyre, t’i zgjidhin mbi skakierën e kombeve më të dobëta dhe të pambrojtura, sepse kështu do të nisin reagime zinxhir të pakontrollueshme, dhe tashmë dihet, që popujt e rrezikuar, kur nuk luftojnë dot haptas me ushtri të organizuar dhe me avionë bombardues, i kthehen stilit të luftës guerrilase që është shumë më e pamëshirshme dhe e pabesë, pasi nuk njeh rregulla, por vetëm “shahidë”, apo martirë, të cilët nuk e llogarisin vdekjen e tyre, vetëm e vetëm për të arritur qëllimet e tyre hakmarrëse.

Dhe kur një konflikt thellohet e zgjatet në mënyrë të pakuptimtë, gjetja e fajtorëve apo e të drejtës, bëhet gati e pamundur, pasi të gjitha palët tentojnë të heroizohen dhe t’i japin vetes të drejta hyjnore, duke indoktrinuar dhe popujt përkatës, të cilët, nga ana e tyre, me kalimin e kohës, në rast se këto konflikte nuk mbyllen shpejt dhe me efikasitet, nuk hezitojnë të përfshihen edhe në luftëra, me kuptimin klasik të termit.

Nëse nuk veprohet shpejt dhe me mençuri, situata duket dhe po i jep shenjat që mund të dalë tërësisht nga kontrolli. Nuk dihet nëse do të realizohet takimi i të martës mes përfaqësuesve të lartë të Rusisë, Turqisë dhe Iranit, ku do të diskutohej mbi mënyrat e zgjidhjes së konfliktit sirian. Ka ardhur koha që fuqitë e mëdha, t’i lënë mënjanë qasjet egocentriste dhe këmbënguljet mbi mbajtjen në pushtet apo rrëzimin nga pushteti të emrave të përveçëm. Rëndësi primare duhet të marrë dhënia fund e konfliktit dhe vendosja me çdo kusht e stabilitetit në Siri.

Në të kundërt, veprime të tilla suicidale, të shehitëve që thërrasin se popujt nuk do të gjejnë qetësi, derisa sirianët të gjejnë qetësi, do të dëgjohen sërish. Dhe sado plane dhe strategji ushtarake të hartojnë qendrat e njohura të pushtetit botëror, historia tregon, se ka raste kur ato të dalin jashtë kontrollit. Simptomat e kthimit në shkallë të gjerë të konfliktit sirian po shfaqen haptazi. Duhet vepruar shpejt, me mençuri dhe përulësi, sa nuk është shumë vonë. Këtu nuk bëhet fjalë se cili lider botëror do e fitojë lojën, këtu bëhet fjalë që loja po kthehet në luftë, dhe lufta është loja më e rrezikshme dhe e paparashikueshme që historia e popujve njeh deri më sot.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Në Legjionin e Nderit: Franca nderon “komandant” Kadarenë

Dje, në një ceremoni me një rreth të ngushtë të ftuarish, ku...
Read More