Vrasja e Devi Kasmit: Dritë-hijet e arrestimit të biznesmenit 26-vjeçar

Mario Meshini, pronar i një kompanie transporti ndërkombëtar i kishte kërkuar Devi Kasmit të takohen poshtë shtëpisë së tij në momentin kur ndodhi krimi. Policia thotë se 26-vjeçari është bashkëpunëtor në krim, ndërsa avokati i Meshinit deklaroi se klienti i tij është kërcënuar me armë nga vrasësit. Devi Kasmi sapo ishte kthyer nga Spanja, ku dyshohet se kryente trafik droge.

Policia njoftoi dje arrestimin e një të dyshuari si bashkëpunëtor në vrasjen e Devi (Dëfrim) Kasmi, ngjarje e ndodhur katër ditë më parë në Tiranë. I arrestuari është Mario Meshini, 26 vjeç, i cili sipas procesverbalit të arrestit është ndaluar me iniciativë të policisë.

Kjo për faktin se sipas procesverbalit, Meshini është autor i dyshuar i një vrasjeje të kryer me paramendim në bashkëpunim dhe mund të largohej për t’iu shmangur drejtësisë.

Por Kodi i Procedurës Penale parashikon se ndalimi me iniciativë të policisë realizohet vetëm në rastet kur është i pamundur komunikimi me prokurorin që ndjek hetimet.

Ende nuk dihet si ka qenë rasti konkret, por policia konfirmon se ndalimi i Mario Meshinit është kryer me iniciativë. Ai dyshohet se ka bashkëpunuar në vrasjen e Devi Kasmit, i cili u qëllua me 5 plumba poshtë banesës së tij në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë.

Policia nuk dha detaje mbi mënyrën e implikimit të 26-vjeçarit në këtë vrasje, por avokati sqaroi se klienti i tij dhe viktima kishin njohje mes tyre dhe në momentin e vrasjes ata kanë qenë bashkë.

Sipas avokatit Ferdinand Doja, Mario Meshini i ka dërguar një sms Devi Kasmit dhe i ka kërkuar të takohen të takohen poshtë banesës së tij. Kjo është arsyeja përse është arrestuar 26-vjeçari sipas mbrojtësit të tij ligjor.

“Mario Meshini kishte lënë për t’u takuar me Devi Kasmin. Ata kishin folur në telefon, për të pirë kafe pranë pallatit. Mario Meshini ishte duke pritur Devi Kasmin kur sa mbërriti dy persona me motor janë afruar dhe e kanë vrarë. Mario Meshini u largua më pas nga frikë dhe pasi autorët i drejtuan armët. Devi Kasmi ishte duke folur me Mario Meshinin kur ndodhi vrasja”, u shprehën familjarët dhe avokati i Meshinit.

Prokuroria pretendon se në cilësinë e provës ka pamje filmike nga momenti i ekzekutimit të Devi Kasmit, e cila pritet të përdoret si provë edhe ndaj Mario Meshinit. Avokati e pranoi se ishte Meshini, ai që i dërgoi mesazh Kasmit për të zbritur poshtë pallatit.

“I dërgoi një mesazh në telefon zbrit poshtë dhe u takuan”, -tha avokati teksa shtoi se klienti i tij është i pafajshëm.

“Nuk ka asnjë bazë ligjore, është ndaluar vetëm e vetëm sepse ka qenë në vendin e ngjarjes ka qenë i pranishëm kur ka ndodhur ngjarja. Ai është një djalë shumë i edukuar. Fillova takimin dhe e mbarova atë, e lashë duke qarë”, thotë avokati Ferdinand Doja.

Sipas procesverbalit të ndalimit, Mario Meshini akuzohet për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

26-vjeçari përveç njohjes me Devi Kasmin, rreth 2 vjet më parë kishte hapur një biznes në Tiranë. Në mars të vitit 2016 Mario Meshini kishte regjistruar në qendrën e biznesit një kompani me aktivitet kryesor në fushën e import-eksportit ndërkombëtar të mallrave dhe njerëzve dhe në harkun kohor të një viti kishte regjistruar të paktën 8 mjete me të cilat ushtronte këtë aktivitet.

Biznesi i tij kishte ecur mirë, pasi fillimisht ai kishte deklaruar vetëm dy koka tërheqëse për kamion, ndërsa disa muaj më pas ka kërkuar të pajiset me NIPT dytësor edhe për të paktën 6 automjete të tjera, çka tregon se biznesi po funksiononte.

Por nga ana tjetër, miqësia me Devi Kasmin dhe sms-ja në telefonin e viktimës ka ngritur dyshime të forta për policinë e cila e arrestoi si të dyshuar për vrasje, ndërsa ka shpallur në kërkim Domart Konjarin, si personin që dyshohet se ka kryer ekzekutimin.

Sipas pamjeve filmike të siguruara nga grupi hetimor është vërejtur se të dyshuarit kishin më shumë se një javë që ishin vënë në ndjekje të Devi Kasmit.

2 persona me motor kanë qarkulluar disa herë pranë banesës së Kasmit, i cili kishte pak kohë që ishte kthyer nga Spanja.

Kasmi i ruhej një atentati të mundshëm, pasi në momentin e vrasjes janë sekuestruar dy armë zjarri pistoletë, ndërsa në banesën e tij është gjetur një automatik tip “Kallashnikov”, si dhe 3 kilogramë kokainë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kështjella e Krujës, Kështjella e Trojës dhe shija e qershisë

(Lufta për çlirim e Kosovës dhe lufta e sotme e pashpallur e...
Read More