Vrasja e gruas, kryegjyqtari i Fierit: E vërteta e urdhrit të mbrojtjes

urdhriGjykata i kishte dhënë Liljana Rukos një urdhër mbrojtje sipas kërkesës së saj nw 25 nwntor , por ky mund të mos qe i mjaftueshëm për ta shpëtuar. Policia nis hetimet për fatin e vendimit, i cili sipas ministrit Tahiri nuk shkoi asnjëherë në polici…

Nga Leonard Bakillari

Liljana Ruko kishte një urdhër mbrojtjeje të zbardhur nga gjykata, por ky i fundit nuk do mund ta mbronte gruan që humbi jetën tre ditë më parë, pasi u hodh nga dritarja e katit të katërt prej të shoqit.

Ruko sipas vendimit të gjykatës kishte kërkuar mbrojtje, por jo largimin e të shoqit nga banesa.

Kreu i Gjykatës së Fierit i tha MAPO se kërkesa për urdhër mbrojtje ishte miratuar dhe konfirmuar, por mbetej për t’u hetuar pse vendimi nuk kishte shkuar në polici.

Sidoqoftë vendimi i Gjykatës së Fierit nuk i ndante dy bashkëshortët, ai thjesht i jepte gruas të drejtën të kthehej në shtëpi dhe urdhëronte të shoqin të mos i afrohej më shumë se 2 metra.

Megjithatë policia e Fierit njoftoi dje se nis një hetim ndaj gjyqtarit që dha vendimin për mbrojtjen e gruas.

Ngjarja e rëndë solli reagimin e dy ministrave, deputetes Majlinda Bregu dhe në fund reagimin e policisë, e cila tha se po heton gjyqtarin për shpërdorim detyre.

Por pavarësisht pretendimeve të palëve, askush prej tyre nuk ka sqaruar të vërtetën e urdhrit të mbrojtjes ndaj 43-vjeçares Liljana Ruko, e cila u vra nga bashkëshorti pasditen e së shtunës.

Ministri i Brendshëm paralajmëroi nisjen e hetimeve ndaj gjyqtarit, kur tha se ky urdhër mbrojtje nuk ka mbërritur asnjëherë në polici.

Ndërsa kolegu i tij i drejtësisë inkurajoi prokurorinë për hetim të thelluar, ndërsa paralelisht ka urdhëruar nisjen e një hetimi administrativ.

Kërkesën për gjetjen e përgjegjësve e pati bëri më herët deputetja Majlinda Bregu.

Por kryetari i Gjykatës së Fierit në një bisedë telefonike me gazetën “Mapo” sqaroi gjithë ecurinë e çështjes që ka nisur të trajtohet në këtë gjykatë që prej datës 9 nëntor deri më datë 25 të po këtij muaji, kur dhe është dhënë vendimi përfundimtar.

Pasi ishte informuar për ngjarjen, Roland Jaupi, kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier mohoi faktin se gjyqtari nuk kishte zbardhur vendimin për konfirmimin e urdhrit të mbrojtjes ndaj shtetases Liljana Ruko.

“Vendimi përfundimtar për kërkesën e zonjës për t’u pajisur me urdhër mbrojtje është marrë më datën 25 nëntor”, tha Jaupi për MAPO.

Sipas tij, e ndjera i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Fier me një kërkesë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes më datë 9 nëntor.

Në objektin e kërkesës përcaktohej se bashkëshorti nuk duhet t’i afrohej paditëses në një distancë prej dy metrash.

Kjo kërkesë është pranuar nga gjykata, e cila më datë 11 nëntor ka lëshuar urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes duke detyruar bashkëshortin e kërkueses të mos i afrohej asaj më shumë se dy metra, kjo për faktin se ata jetonin në të njëjtën banesë.

Paralelisht me këtë kërkesë gjykata ka verifikuar nëse kërkuesja kishte depozituar ndonjë kallëzim penal ndaj bashkëshortit të saj Ferdinand Ruko, por në polici nuk ka rezultuar një çështje e tillë.

Urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes sipas kreut të Gjykatës së Fierit është konfirmuar në seancën gjyqësore të datës 25 nëntor dhe gjyqtari ka dalë me vendim. Por sipas tij është fakt që vendimi nuk ka shkuar në polici dhe kjo është pjesë e hetimit tashmë të nisur nga blutë e Fierit.

Sipas burimeve mësohet se në përfundim të seancës, gjyqtari për të shmangur vonesat e mundshme të postës i ka dorëzuar paditëses dy kopjet e vendimit të tij për konfirmimin e urdhrit të mbrojtjes.

Ai i ka kërkuar paditëses që një kopje të vendimit ta mbante ajo dhe tjetrën ta dorëzonte në polici.

Por diçka e tillë duket se nuk ka ndodhur, pasi dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi se në polici nuk ka mbërritur asnjë vendim gjykate për këtë çështje.

“Ky urdhër mbrojtje nuk është dërguar kurrë në polici dhe kam frikë në asnjë institucion tjetër. Ndoshta do ketë mbetur në sekretaritë e gjykatës, a gjithkund tjetër, por vetëm në polici dhe institucione nuk ka shkuar”, tha ministri i Brendshëm.

Kjo deklaratë erdhi si përgjigje ndaj reagimit të deputetes Majlinda Bregu.

“Deputetja Majlinda Bregu ka publikuar sot (dje) një urdhër mbrojtje për Liljana Rukaj, viktimën e dhunës së bashkëshortit në Fier. Pas denoncimit të së ndjerës, policia ka bërë strehimin e saj në banesën e vëllait të saj dhe ka kërkuar menjëherë pranë Gjykatës Fier lëshimin e urdhrit të mbrojtjes”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, ligji e do që vendimi i gjykatës për urdhër mbrojtje të dërgohet brenda 24 orësh pranë disa institucioneve, një ndër të cilave edhe policia.

Tahiri tha se kush e ka mbajtur këtë urdhër mbrojtje në sirtar është një dhunues institucional, që i hapi rrugë dhunuesit t’i merrte jetën një njeriu.

“Shpresoj të ketë hetim penal për cilindo përgjegjës që nuk ka bërë detyrën, me koston e madhe të një tjetër viktime të pafajshme nga dhuna në familje”, ka thënë Tahiri.

Nuk vonoi shumë dhe policia e Fierit zbarkoi në gjykatën e këtij rrethi duke sekuestruar dosjen e procesit gjyqësor me kërkuese gruan tashmë të vdekur.

Vetëm dy orë pas sekuestrimit të dosjes njoftoi nisjen e procedimit penal për gjyqtarin me argumentin se nuk ka zbardhur vendimin dhe nuk e ka dërguar atë në kohë në institucionet që parashikohen në ligj.

Por zbardhja e vendimit konfirmohet nga Kryetari i Gjykatës së Fierit, madje deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu tha se kishte mësuar për ekzistencën e këtij urdhri mbrojtje në një postim në rrjetin social.

Deputetja thotë se Gjykata pretendon se ka lëshuar urdhër mbrojtje, policia se nuk e ka marrë, pushteti vendor nuk di gjë.

“Nëse urdhri i mbrojtjes nuk është përcjellë nga gjykata në polici, apo është përcjellë po atje s’ka mbërritur kurrë, unë nuk e di. Di se kushdo qoftë që nuk e ka zbatuar ligjin ose më keq e ka trajtuar këtë rast si një ndër rastet epidemike të dhunës në familje, sot duhet ndëshkuar po si bashkëshorti vrasës”, shkruan deputetja në profilin e saj në Facebook.

Liljana Ruko, 43-vjeçarja nga Fieri humbi jetën pasditen e së shtunës, pasi është hedhur nga dritarja e tualetit të shtëpisë së saj, në katin e katërt.

Ngjarja ndodhi në orën 15:45 në lagjen “Kryengritja e Fierit” dhe, sipas policisë, më herët kishte ndodhur një konflikt në familje mes 43-vjeçares dhe bashkëshortit të saj.

E ndjera u dërgua me urgjencë për në spital, por për shkak të lëndimeve të rënda në trup humbi jetën pa mbërritur në duart e doktorëve.

Policia, ndërkohë ka shoqëruar bashkëshortin e saj 52-vjeçar, Ferdinant Rukaj, nën dyshimin se ka qenë ai që e ka hedhur bashkëshorten nga ballkoni.

Ai akuzohet për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier.

Në vendimin e datës 11 nëntor 2016, gjykata e Fierit vendosi:

-Lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, duke marrë në funksion të tij këto masa:

-Urdhërimin e Ferdinad Rukaj të mos kryejë ose mos kërcënojë vepra të dhunës fizike ose psikologjike në familje, ndaj Liljana Rukaj;

-Urdhërohet Ferdinad Rukaj të mos cenojë, ngacmojë apo kontaktojë me paditësen;

-Të lejohet paditësja Liljana Rukaj të shkojë së bashku me fëmijët e saj në banesën e ndodhur në lagjen “Kryengritja e Fierit”, bashkia Fier;

-Urdhërohet i padituri Ferdinad Rukaj të mos i afrohet Liljana Rukajt përtej një distance prej 2 metrash;

-Kohëzgjatja e urdhrit të mbrojtjes fillon nga data e dhënies së vendimit 9 nëntor 2016 dhe do të vazhdojë deri në datën 9 Nëntor 2017.

Më 25 nëntor u mor në shqyrtim faza e dytë e seancës për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Çmimi Evropian 2017: Cili do të përfaqësojë letërsinë shqipe?!

13 fituesit për vitin 2017, do të shpallen për herë të parë...
Read More