Vrasja e Ivanoviç, shenja e qartë që Shqipëria dhe Kosova t’i thonë po Amerikës pa asnjë hezitim

Nga Ervis Iljazaj

Vrasja e Ivanoviç, përfaqësuesit politik të komunitetit serb në Mitrovicë, është një shenjë e qartë që Rajoni i Ballkanit është ende një minë me sahat. Mjafton një ngjarje e tillë dhe makthet e së kaluarës mund të rishfaqen sërish. Jo më kot, kjo vrasje është pasqyruar në pjesën më të madhe të shtypin ndërkombëtar, si për të na treguar, që vëmendja ndërkombëtare është shumë e madhe në Kosovë dhe në të gjithë Rajonin.

Por, mbi të gjitha, tregon edhe njëherë lojën e madhe gjeopolitike që po luhet në këtë Rajon midis superfuqive të mëdha. Si për koincidencë, kjo vrasje ndodhi pikërisht në një fazë ku bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë ishin në një fazë të avancuar, pikërisht në momentin kur nga pala serbe kishte shenja për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Në këtë kuptim, duket qartë që grupime të ndryshme politike dhe ideologjike kanë interes për të destabilizuar Kosovën dhe Rajonin.

Të gjithë ata që mendonin që roli i ndërkombëtarëve si në Shqipëri dhe në Kosovë po mitizohet dhe po i jep një rëndësi më shumë se sa duhet, kjo vrasje i përgënjeshtron në mënyrë të qartë. Kështu që, jo vetëm që politika kosovare dhe shqiptare duhet të jenë aleatë dhe të flasin të njëjtën gjuhë më Amerikën, por duhet të shtojnë akoma dhe më shumë bashkëpunimin me ta.

Rajoni i Ballkanit është qartësisht një Rajon i rëndësishëm për gjeopolitikën ndërkombëtare, ku superfuqitë si Rusia, Turqia dhe Amerika janë duke u përpjekur për të shtrirë influencën e tyre, dhe për të arritur këtë janë duke përdorur çdo mjet. Për këtë arsye, ndërhyrjet e qarta amerikane nëpërmjet drejtësisë në Shqipëri dhe Kosovë, janë instrument i diplomacisë së saj.

Mirëpo, si në Kosovë si në Shqipëri, në këtë moment që po flasim duket sikur ka një konflikt të hapur të elitës politike përkatëse dhe ndërkombëtarëve, BE dhe ShBA. Në të dyja shtetet shqiptare ka një rezistencë për të penguar drejtësinë, në dëm të Integrimit Europian, duke vënë në dyshim, me qëllim apo pa qëllim aleancën me Shtetet e Bashkuara, që në këto momente është jetike për të dyja vendet, dhe duke shtuar kështu, të gjitha rreziqet që kjo ka për influencat ruse apo të superfuqive të tjera, që kombi shqiptar nuk i meriton, pasi vendi i tij është në Perëndim.

Duhet të kuptojmë njëherë e mirë, se në të gjithë gjeopolitikën që po luhet, Shqipëria dhe Kosova, nuk mund të rijnë neutrale, pasi neutralitet do të thotë izolim. Mbajtja larg e prezencës dhe misionit amerikan do të thotë një getoizim i të dyja shteteve, me pasoja të rënda ekonomike dhe shoqërore.

Për këto arsye, elita politika shqiptare është përpara një momenti pothuajse historik për të zgjedhur rrugën ku kërkojnë ta çojnë popullin e tyre. Prandaj, debatet me sovranitetin kombëtar që po ua dorëzojmë amerikanëve apo me patriotizma, janë debate të pakuptimta dhe aspak në favor të kombit shqiptar.

Shqipëria dhe Kosova janë dy vende që e kanë ceduar sovranitetin e tyre me kohë, në favor të integrimit Euroatlantik. Në këtë drejtim duhet të konsiderohemi me fat, sepse më së paku e kemi ceduar sovranitetin për një perspektivë perëndimore, e cila respekton të drejtat dhe liritë e njeriut, ndryshe nga shumë perspektiva të tjera që ngjajnë me një qorrsokak, që nuk dihet se ku të çojnë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Si po rikthehet Berlusconi me premtimin e taksës së sheshtë

Nga Ervis Iljazaj Silvio Berlusconi është duke u rikthyer bindshëm në protagonist...
Read More